Formacioni i grupit është i vetmi që ka ndryshuar. “Hithat” edhe pas gjashtë vjetësh pauzë vazhdon t’i këndojë dashurisë.

“Është gjëja më e mirë në botë”, thotë vokalisti dhe basisti, Luan Tashi, i cili ka marrë iniciativën që të ringjallë rock grupin, të cilin vetë e kishte themeluar më 1995. Tashi, veteran i rockut, vazhdon të mbetet zëri i “Hithave”, derisa pjesën tjetër të punës ia ka besuar dy djemve të tij. Kitaristi Lum Tashi (19) dhe Drin Tashi (15) në bateri, janë pjesë e formacionit të ri të “Hithave”.

Videoklipi dhe kënga e titulluar “Në zemër përjetë”, me të cilën grupi i bashkohet edhe një herë skenës muzikore kosovare, është promovuar të shtunën mbrëma në kafenenë “Filikaqa”.

Në dhjetë ekrane që mbushin muret e këtij lokali, “Në zemër…” emetohej pa pra derisa treshja shkundte skenën. Fiks në 23 e 23 minuta, “Hithat” janë akorduar për “Në zemër përjetë”, pas një shëtitjeje në hitet e pavdekshme të rockut botëror. Intro e ekzekutimit të tyre ishte një minihistori që jepte Luan Tashi për secilën këngë. Në repertorin e tyre nuk ka munguar as “Mori loçka jem”, e cila është kënga e fundit që grupi kishte realizuar me formacionin e vjetër.

E notat e para të “Në zemër përjetë” ishin hedhur dy vjet më parë.

“Realizimi ka zgjatur një vit e gjysmë meqenëse këngën e kam punuar në studion time dhe nuk kam pasur nevojë të ngutem”, ka thënë Luan Tashi, i cili po ashtu ka shkruar tekstin. “Kënga është finalizuar në studion e Florent Boshnjakut, ndërsa videoklipi është xhiruar në hapësira të Teatrit Kombëtar të Kosovës”.

Mesazhi i këngës së re të “Hithave” për Tashin është shumë i thjeshtë.

“Është një këngë e bukur dashurie dhe bën fjalë për dikë që kërkon dashurinë e humbur. Nuk ka asgjë të keqe nga dashuria”, ka thënë ai.

Kur flet për formacionin e ri të grupit, Tashi thotë se nuk e ka pasur të vështirë të bashkëpunojë me dy djemtë e tij.

“E kam ndier se mund të besoj në ta dhe më vjen mirë që kemi bërë një punë të madhe me shumë dashuri sikurse është edhe mesazhi i këngës”, ka thënë ai.

Videoklipi dhe kënga e re janë hapi me të cilin “Hithat” do të “masin pulsin” e publikut.

“Do të shohim se si do të pritet kënga dhe videoklipi. Nëse ka sukses atëherë do të vazhdojmë me këngë të tjera”, ka thënë ai. Hithat kanë arsye të vazhdojnë me këngë të tjera. Në performancën “live” ata janë mirëpritur. Një “sound” i mirë i krejt grupit – solo të sakta të Lum Tashit dhe kontra – kalime të bateristit Drin Tashi – duket se janë përputhur mirë me eksperiencën e Luan Tashit.

“Jam krenar që babai im është një muzikant me eksperiencë dhe që jam pjesë e këtij grupi”, ka thënë Lum Tashi, i cili studion për arkitekturë. Në “Në zemër përjetë” kombinimi ndjeshmërinë së tingujve të kitarës akustike me ato elektrike duket i qëlluar.

“E kemi parë se këngës i fle të përcillet nga një kitarë akustike dhe nga një elektronike. Megjithatë preferoj kitarën elektrike, sepse ndihem më i lirë”, ka thënë kitaristi i cili në performancën “live” e ka dëshmuar këtë (veçmas me ‘coverin’ e ‘Little Wing’ të Jimi Hendrixit, por jo vetëm).

Edhe pse thotë se është ende herët të flitet për suksesin e këngës, Lumi duket optimist.

“Shpresojmë që do të bëhet hit”, ka thënë ai.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here