Kristi Popa është një këngëtar dhe kompozitor i njohur. Ai ka krijuar shumë këngë të bukura, të cilat janë ngulitur në memorien e publikut shqiptar. Krahas këngës dhe kompozimit atij i pëlqen shumë edhe piktura.

Në fëmijërinë dy pasione më të mëdha të tij kanë qenë; kënga dhe piktura, pasione që i ushqen edhe tani.

Kristi Popa ka lindur në Tiranë në vitin 1973 në një familje me prejardhje nga zona e Gollobordës, së Dibrës, me tradita të hershme. Gjyshi i Kristit, Kristo Popa, ka qenë një nga inxhinierët e parë që ka dhënë kontributin e tij në ndërtimin e shumë objekteve të rëndësishme si, Kombinatin e Tekstileve, Pallatin e Madh të Kulturës, Varrezat e Dëshmorëve, etj.. Babai i Kristit, i ndjeri Gjergji ka qenë një ndër teknikët e preventivuesit më në zë në fushën e ndërtimit, ndërsa nëna e Kristit, Zografa ka punuar për gjatë gjithë jetës së saj si arsimtare. Familja e Kristit nuk është e njohur vetëm në ndërtim, po dhe në fusha të tjera; nga gjiri i saj kanë dalë dhe fëmijë të arsimuar. Kështu halla e tij Desa është mjeke pediatre, një xhaxha mjek veteriner, ndërsa xhaxhai tjetër ka mbaruar për Biologji, motra e Kristit, Manjola është ekonomiste dhe punon në Ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizimeve në Tiranë

Kristi, familja juaj është përmendur në fushën e ndërtimit, por dhe në fusha të tjera, si lindi tek ju dëshira për të studiuar art?

Që në fëmijëri jam rritur me dëshirë dhe pasion për artin, veçanërisht për muzikën. Them veçanërisht për muzikën, sepse veç saj kam pasur pasion për pikturën. Por prindërit e mi më kanë mbështetur e orientuar drejt muzikës. Babai im, ndjesë pastë, kishte shumë dëshirë që unë të bëhesha muzikant. A i gjithnjë më thoshte: “Ke prirje për muzikë”, dhe këmbënguli e investoi që unë të vazhdoja studimet në fushën e muzikës. Unë u’a di për nder prindërve për këmbënguljen e tyre, që unë të bëhesha muzikant dhe për ndihmën që më kanë dhënë gjatë gjithë kohës së shkollimit tim.

Si filloi më tej puna për shkollimin tuaj si muzikant?

Siç e thashë dhe më sipër, dëshira ime dhe pak ndihma e prindërve rritën më tej pasionin tim për muzikën. Kështu në shkollën “Dëshmorët e lirisë”, ku unë fillova shkollën, që në klasën e parë mësova t’i bija pianos dhe fillova mësimet e para të teorisë së muzikës. Gjatë kësaj kohe vazhdoja të ushtrohesha në piano dhe privatisht, ky ishte fillimi. Por, më e rëndësishme është se tashmë kishte filluar puna dhe si thotë dhe fjala e urtë: “Fillimi i mbarë është gjysma e punës”. Kështu filloi pak e nga pak të realizohej dëshira ime dhe e prindërve të mi për t’u bërë muzikant. Pas mbarimit të shkollës 8-vjeçare m’u dha e drejta e studimit në Liceun Artistik “Jordan Misja”, ku u angazhova me aq sa munda për të dalë me rezultate të mira. Me mbarimin e Liceut, tashmë dijet e mia për artin e muzikën në veçanti u thelluan më tej. Pas kësaj kërkova të studioj në Akademinë e Arteve të Bukura, ku m’u dha mundësia të studioj për kompozicion.

Pas mbarimit të Akademisë, ç’ndodhi më tej?

Pasi përfundova studimet për kompozicion fillova aktivitetin tim në këtë fushë si kantautor i këngëve të mia. Shumë këngë i kam kompozuar për artistë të njohur, por dhe për të rinj. Një pjesë të kompozimeve i kam kënduar vetë në radio e televizion.

A keni marrë pjesë në festivale të ndryshme që janë organizuar në radio e televizion, dhe a keni fituar ndonjë çmim?

Po. Kam marrë pjesë në disa festivale e aktivitete të tjera muzikore, që janë organizuar, në të cilat këngët e kompozuara nga unë janë vlerësuar dhe kanë fituar shume çmime, si p.sh: “Top Fest”, “Kënga Magjike”, si dhe në aktivitetet e Radio Televizionit Publik Shqiptar. Kam marrë pjesë dhe jam angazhuar dhe në aktivitete te tjera si: në “Juritë” e organizuara për konkurrimin e talenteve të reja, në të cilat jam përpjekur që të përzgjidhen më të mirët e mundshëm. Të gjitha këto kanë shërbyer që të rrisë aftësitë e mia dhe të bëj kompozime sa më të arrira.

Po për të ardhmen çfarë mund të na thoni?

Tashmë mund të them se, unë kam fituar përvojën e nevojshme për të vazhduar më tej në plotësimin gjithnjë e më mirë të dëshirave dhe ëndrrave të mia për muzikën. Tashmë punoj me ngulm e mendoj të vazhdoj në këtë drejtim, për t’u bërë një profesionist i aftë i muzikës, e cila është bërë tanimë pjesë e jetës sime. Mendoj se duke punuar me ngulm për rritjen cilësore të kompozimeve të mia do të jepja dhe kontributin tim në të mirë të artit dhe muzikës në veçanti.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here