Gangnam StyleReperi koreano-jugor, Psy, është kthyer në origjinë me albumin e tetë të tij, të quajtur “4×2=8”, duke u kushtuar më shumë vëmendje fansave koreanë, ndërkohë që bën atë që do më shumë: performon dhe çmendet në skenë.

Ylli i “Gangnam Style” i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters se ai e ka lënë prapa suksesin e hitit të vitit 2012, që e bëri atë të njohur ndërkombëtarisht.

“Gangnam Style” mban rekordin si videoja më e shikuar në botë, me 2.8 miliardë klikime në YouTube, transmeton Top Channel. Aktualisht ai ka më shumë se 10 milionë ndjekës në kanalin e tij zyrtar të YouTube, një rekord për një individ në Azi.

Këngët me titull “I Luv It” dhe “New Face”, nga albumi i fundit, i shkojnë më shumë për shtat audiencës koreane, thotë vet këngëtari.

“Kur ‘Gangnam Style’ u bë i famshëm në botë, kjo nuk ndodhi për shkak të lirikës, por sepse kënga ishte në gjuhën koreane dhe askush nuk e kuptonte se çfarë thuhej në tekst, përjashtuar frazën ‘Sexy Lady’. Në fakt unë jam një krijues që fokusohet më shumë te lirika, ndaj, pavarësisht sesa shumë e kam provuar, nuk mund të shpreh plotësisht mendimet e mia. Ndaj, tani thjesht u fokusova te komunikimi me njerëzit e vendit tim”, ka deklaruar Psy.

Me dy fëmijë e tashmë 39-vjeçar, Psy thotë se do të fokusohet më shumë te prodhimi i muzikës dhe ndihma e artistëve të rinj. Si këngëtar, ai thotë se ka arritur gjithçka që kishte dashur, e madje edhe më shumë. Ai do të donte të qëndronte në skenë sa më gjatë që të mundet, por ëndërron të tërhiqet përpara sesa njerëzit të fillojnë të thonë se “nuk ka çfarë të japë më”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here