Sfida e spektaklit të ri. Marrëdhënia me Prishtinën dhe të ftuarit nopranë. Jeta e vanitozit.

Kjo është intervista e parë që unë bëj me gazetarin radioteleviziv Adi Krasta. U desh largimi i tij sensacional nga “TCH”, kalimi në “Vizion Plus” dhe shfaqja e madhe “A” në Pallatin e Kongreseve që arsyetoi këmbënguljen time. Me Krastën nuk jemi takuar asnjëherë. Kemi shkëmbyer pyetje e përgjigje me ‘e-mail’ derisa intervista mori formën që po publikojmë më poshtë, por që ngjan me një bisedë në kafeterinë e tij të preferuar.

Në fund të majit përfundoi sezoni i parë televiziv, vetëm tre mujor, i programit tuaj “A Show”. Si shkoi? A ishte në pritshmëritë tuaja suksesi i këtij programi?
Njihen pak njerëz në botën televizive aq ekscentrikë që fillojnë seri të reja programesh, suksesi i të cilave nuk është në pritshmëritë e tyre. Nëse ndodh kështu ata e bëjnë këtë për zhurmë, ose për të provokuar fort. Po t’i hedhësh një sy “A”-së, por t’ia hedhësh ama, kupton qartë se është me pretendime të pangatërrueshme. Intervista në një skenë pothuaj teatrale, një trio instrumentistësh, një balet i përmbajtur dhe dy këngë. Pak dhe qartë. Brenda pritshmërisë. Është një shfaqje e prezentatorit.
Ka patur insinuata në shtyp për një sezon disi të vakët…
A nuk ka gjithnjë insinuata? Jam i bindur se publiku inteligjent e pëlqen programin. Për atë më pak inteligjent unë do këmbëngul me dashuri.
Në shfaqjen e madhe anteprima në Pallatin e Kongreseve ju mbajtët një qëndrim antiqeveritar…Pse?
Në Shfaqjen e Madhe iu referova që në fillim situatës politike, duke i dhënë të drejtë deklaratës që kishin bërë atë mëngjes tre ambasadorët që shihnin me sy pozitiv idenë e një rotacioni të paqtë të pushtetit kur t’i vinte koha. I jam referuar gjithashtu qeverisjes në fund të shfaqjes, me një tallje të hapur që i bëra vetes time për pamundësinë që kam për të mbyllur gojën. Që nga ajo shfaqje kanë kaluar shtatë muaj dhe më duhet të them se mendimi im nuk ka ndryshuar.
Çfarë mendoni ju për opozitën?
Në përgjithësi opozitat nuk janë në mendimet e mia. Ato nuk janë në pushtet. Filloj të mendoj sapo shndërrohen në qeveri (dhe është ky momenti kur fillojnë të tjetërsohen e të gabojnë). Është jo dialektike dhe budallaqe të merresh me opozitën, është si të shqelmosh një kalë të rrahur, i cili nuk mbërrin dot në finish. Më shqetësojnë më shumë kuajt e harbuar.
Duket në fakt, sikur me emisionin tuaj jeni larguar pak nga spektakli, duke u fokusuar tek politika e aktualiteti në Shqipëri. Pse kjo zgjedhje?
Është një shfaqje e folur. I jam larguar me dashje varietesë al italiana. Më tërheq më shumë shkolla amerikane e Carsonit.
Programi ka besnikërisht një stil amerikan, të ngjashëm me David Letterman. Çfarë ju bashkon dhe çfarë ju ndan me show-n e tij?
David Letterman e mori këtë format nga idhulli i tij, prezentatori më i madh amerikan i të gjitha kohërave, Johnny Carson. Në fakt ai ishte i pari që vendosi tryezën e madhe dhe një kolltuk përbri. Kur Carson dha dorëheqjen dhe publiku priste që stafeta t’i lihej Lettermanit, të cilin edhe unë e parapëlqej, drejtuesit e televizionit ia besuan shfaqjen Jey Lenos. Të ngjashme programet kanë atmosferën dhe tryezën e madhe…
Një nga të ftuarit që spikati në natën e parë ishte edhe Platinette. Cila mendoni se duhet të jetë qasja e shoqërisë sonë ndaj komunitetit LGBT?
Platinette u ftua si gazetar i radios dhe TV që kishte dhënë ndihmë të madhe për ndryshimin pozitiv të opinionit të italianeve për ne shqiptaret. Personaliteti i Platinette me pamjet prej Drag Queen, provokoi natyrshëm dhe më vjen mirë për këtë. Deklaratat e tij nxitën diskutimet e forta që pasuan për fatin e komunitetit LGBT në Shqipëri. Në vend do të duhet që të gjithë komunitetet e mundshme të jetojnë të qetë. Nuk shoh asnjë arsye përse të mos ketë liri që gjithkush të jetojë jetën e tij si të dëshirojë.
Cili ka qenë personazhi më pak komod që keni pasur në studio gjatë këtij sezoni të parë?
Unë ftoj njerëz nga të cilët pres në emër të publikut të jenë komodë, të çiltër, analitikë dhe simpatikë. Ky për të cilin ti më pyet është një këndvështrim për të ftuarit, të cilin nuk e kam realisht.
Është përfolur shumë largimi nga “Top Channel”, do të na e tregoni arsyen e vërtetë të atij largimi të befshëm?
Ne jemi aktualisht në një përballje gjyqësore. Studio e juristëve që ka marrë përsipër të bëjë mbrojtjen do të ofrojë një ekspoze shumë të detajuar të arsyeve të largimit. Shumë e kanë bërë shpesh këtë pyetje dhe nuk ka ndonjë mister të madh; Njerëz të televizionit janë larguar gjithnjë dhe do të largohen nga institucionet mediatike ku punojnë.
Çfarë ndjesie keni për mbylljen e programit “E Diell”?
Nuk kam informacion për këtë, por është pa më të voglin dyshim e trishtë. Mund të merret për fat të keq si një tërheqje disfatiste. Sidoqoftë, programe mbyllen dhe të tjera fillojnë, nuk duhet të konsiderohet si katastrofë.
Pas shakasë që ju bëtë me kolegun tuaj Ardit Gjebrea në show, u shkruajt në një të përditshme se ju e konfirmuat atë si rivalin tuaj personal. A është vërtet kështu?
Në botën televizive dhe kudo tjetër rivalët nuk zgjidhen. Ata janë aty. Nuk kam konfirmuar asgjë, asnjëherë. Ne jemi shumë prezentatorë programesh televizive në këtë vend. Jemi të pafuqishëm të përpilojmë radhitjet sipas aftësive dhe popullaritetit. Është një prerogative që e ka vetëm publiku dhe që mësohet nga pyetësorët. Ne kemi njohje shumë të vjetër me Gjebrenë dhe pavarësisht nga ndonjë krizë nëpër të, kemi mësuar të bashkekzistojmë. Kjo ka ndodhur dhe me prezentatorë të tjerë, të vjetër dhe të rinj. Është fat që çdo prezentator në Shqipëri është i aftë të japë diçka të paimitueshme për publikun.
Jeni ju një antikonformist?
Unë jam ai që jam. Dhe nuk kam asnjë qëllim të ndryshoj.

Tani pas kaq vjetësh e ndjeni ende përplasjen mes Kimisë ku jeni diplomuar dhe gazetarisë…?
Këtë mund ta thonë ata që nuk e njohin, ose gazetarinë, ose kiminë. Të dyja i bashkon kërkesa për të vërtetën e pakundërshtueshme, përpjekja për sintezë, përpunimi i fakteve dhe substancave në kërkim të asaj që qëndron fshehur. Unë nuk e kam dashur kiminë dhe tani pendohem. Por jam i lumtur që kam dashuruar gjithnjë gazetarinë.
Për ju dhe disa kolegë të tjerë përmendet shpesh BBC si një dekoratë që ju e mbani të varur plot krenari. Nuk ju duket e tepërt tanimë?
Ka edhe gazetarë të tjerë të cilëve BBC nuk u ka ndikuar as për mirë e as për keq. Ka prej tyre qe BBC i ka bërë më të mirë. BBC nuk është një rrethanë specifike temperature e presioni ku ti domosdoshmërisht bëhesh një shkëlqim. Gjithçka varet nga personi, nga ajo që ti përfaqëson, fillimisht si njeri, pastaj si profesionist. Por BBC është institucioni më i organizuar në botën globale mediatike dhe standardet e vendosura atje me kohë, janë te parrëzueshme.
Flasim për një media të zhvilluar, shumë televizione, gazeta, revista, radio…Pas fasadës së bukur, si mendoni kemi një media në interes të pronarëve apo të publikut?
Them se asnjëherë nuk do të mundnin interesat të bashkoheshin në mënyrë perfekte. Afrohen shpesh, jashtëzakonisht shumë, por duke qëndruar të ndara. Të qenit i përkushtuar ndaj interesit të publikut për drejtuesit e televizionit zakonisht lihet në diskrecionin personal. Tanimë po ndodh diçka shumë pozitive. Vetë publiku po e kupton shumë mirë kush ka axhendë personale, kush përpiqet ta manipulojë, kush është i ndershëm, kush është dallkauk dhe kush është i shitur. Më në fund.
Radio vs Tv, si mendoni a do të vdesë ndonjëherë radio? Mos vallë po e mbyt televizioni?
Shqetësim i drejtë, por i tejkaluar. Radio nuk vdes. Ajo ka ditur të mbijetojë falë atyre që e dëgjojnë dhe atyre që e bëjnë.
Shumë gazetarë ka sot, ju si e shihni këtë si inflacion cilësie apo sasie?
Asgjë e jashtëzakonshme. Nuk mund të jetë inflacion cilësie. Cilësia është vetëm cilësi. Çdo gazetar apo gazetare e re ka të drejtën e plotë të luftojë për të bërë diçka në këtë kapitalizëm mediatik. Ka që kanë sukses, ka që jo. Ndonjë cinik mund të kishte thënë se është mirë që ka shumë dhe pjesa më e madhe janë të pazhvilluar, sepse kjo ia bën të lehtë disave, por ky këndvështrim më duket vërtet racist.
Cila është ajo cilësi që e bën një gazetar të mirë?
Të jesh një Javer Malo, Alfons Gurashi, Indro Montaneli, Enzo Biaggi, do të thotë të jesh një gazetar i mirë. Me këtë rast të përmenda edhe ndonjë idhull.
Në jetën tuaj keni intervistuar shumë politikanë, artistë, akademikë, gazetarë. Cili personazh ju ka ngjitur më shumë? Cili ju ka lënë më shumë mbresa?
Ka relativisht pak natyra të çiltra, por ka. Gjithashtu vërehet se të intervistuarit e kanë të vështirë të flasin shkurt. Nuk është vendi për të fajësuar kënd. Sot ata që kanë fatin të flasin në televizion duhet të trajnohen nga specialistë. Ka ardhur momenti kur duhet të reformohet cilësisht sjellja e të ftuarve në program dhe vetë sjellja e tyre gjatë intervistës. Një pjesë janë kaps dhe të kapur dëshpërimisht në darët e autocensurës. Një pjesë e vogël janë vërtet të frikësuar, por edhe pse kështu, secili prej tyre ka dhënë diçka për publikun dhe mua. Po zgjedh të mos përkëdhelem duke sjellë emra të intervistuarish të veçante. Në spotet promocionale të programeve të ndryshme televizive ka shumë që e bëjnë sot këtë edhe për ne.
Para cilit personazh keni mbetur pa fjalë?
Mua nuk më takon të mbetem pa fjalë. Nuk e kam atë luks.
Cili është ai personazh që ka refuzuar të vijë dhe që jeni betuar që nuk do ta intervistoni kurrë?
Unë vete nuk shkoj tek disa programe. Nuk është fundi i botës. Por unë nuk jam politikan. Nuk votohem. Ka që nuk e fshehin qëndrimin inatçor me stacione televizive të veçanta. Nga pikëpamja e marrëdhënieve publike më duket një gabim. Nuk ka televizione armike për të komunikuar me publikun kur qëllimi është ndërtimi i një imazhi të pranueshëm dhe të votueshëm. Presidenti Obama ka shkuar dy herë në programin e gazetarit antiobamist O’Rielly dhe çuditërisht ka rezultuar me një rezultat shumë të mirë përballë opinionit republikan. Sidoqoftë, për t’ju përgjigjur sy më sy pyetjes tuaj, ka patur disa refuzime spektakolare për të ardhur në programe. Është çështje demokracie…!
Ju keni marrë shumë çmime të rëndësishme gazetarie, por nuk keni fshehur ndonjë ndjenjë mospranimi ose shqetësimi ndaj tyre. Përse ky dyzim?
Sepse nuk merr kurrë ndjesi vetëm pozitive siç do të duhet të ndodhte. Ndjehesh i vlerësuar, por në të njëjtën kohë i përdorur dhe herë-herë i sulmuar nga të tutë. Në një vend ku profesionistët marrin një vlerësim dhe drejtorët e urdhërojnë të mos shkojë ta tërheqë çmimin siç ndodh me dy institucione të mëdha, nuk ka shumë vend për optimizëm.
Ka ndodhur që edhe keni marrë kritika. Si reagoni ju ndaj tyre? Apo jeni krejt indiferent?
Jo, nuk jam indiferent. Puna jonë vlerësohet nga opinioni i publikut dhe kritika e specializuar. Ndaj këtyre kategorive jam i ndjeshëm. Shashkat e tavolinave, ndonjë pickim banal, apo letrat anonime janë për burrat, thuhet diku në Kanun…
“New Day” ka qenë një sukses i madh i juaji. Çfarë është për ju një emision mëngjesi dhe a mendoni se duhet të riktheheni sërish në një format të tillë?
Për të qenë plotësisht i çiltër me ty, unë e kam përfunduar “New Day”-n si një pothuaj mossukses. Por, i besoj gazetarisë impenjative në mëngjes. Një shikues në mëngjes nuk është më budalla se në drekë apo në darkë. Nuk ka arsye përse të mos jepen mesazhe të qarta që në mëngjes. Programe si “New Day” ka sot e shumë vjet në të gjitha vendet perëndimore. Në fakt disa kolegë të mi, si Blendi Salaj, apo edhe tani Endri Xhafo, bëjnë ose do të bëjnë po këtë, duke besuar si edhe unë në gazetarinë e vërtetë që në fillim të ditës.
Prej dhjetë vjetësh tashmë ju jeni pedagog në Kolegjin Universitar AAB të Prishtinës. Si është jeta juaj mes Tiranës dhe kryeqytetit kosovar, cili kryeqytet ju ngjit më shumë? Po si auditorë studentësh?
Mësimdhënia më pëlqen shumë. Ti mund të ndikosh tek njerëzit. Prishtina më ka pëlqyer që ditën e parë kur dola nga zyra e sapo përfunduar e BBC dhe jashtë binte bora më e bukur që kam parë ndonjëherë. E dua shumë Kosovën dhe konstatoj se më duan atje. Jo më kot e kam ndërprerë mësimdhënien në Tiranë. Studentët nuk të shihnin në sy me interesin e duhur. (Edhe pse kishte dhe ka respekt në vështrimin e tyre, nuk ka pjesëmarrje dhe pasion). E kundërta ndodh në Prishtinë. Ka emocion në auditorin universitar. Janë të vërtetë në dëshirën e tyre për të ndryshuar dhe për t’u bërë më të mirë.
Ku ndryshojmë dhe ngjasojmë me prishtinalinjtë?
Thjesht nuk ndryshojmë. Janë aq gjëra të vogla sa nuk do të duheshin të ishin amplifikuar për motive të pasakta.
E njohim Adin vetëm përmes televizionit, po si është ai në jetën e përditshme?
Nuk mundem të jem ndryshe dhe po të doja. Nëse do ia arrija do kisha gënjyer në njërën prej tyre. Unë jam vanitoz dhe kam bindjen se jam shumë mirë kështu siç jam në të dy ambientet. Natyrisht, me plot defekte, fjalë, gjeste, reagime, që shpesh nuk qëndrojnë. Por kjo më bën ai që jam dhe më vjen mirë që ndodh. Një ditë, një dentiste më ndaloi në rrugë dhe më tha se e ndjente për detyrë të më rregullonte stërdhëmbëshin e poshtëm që nuk i pëlqente. E mora këtë si një mungesë të lehtë edukate, edhe pse e vlerësova gjestin si dashamirës. I thashë se stërdhëmbëshi më pëlqen siç është dhe rregullimi i tij do ishte ekuivalent me vendosjen e silikonit në buzë.
Është koha kur prezentatorët drejtojnë disa programe njëherësh. Jeni pro apo kundër kësaj?
Kam qenë kundër. Tani jam pro.
Ju, a po mendoni për një projekt të ri të cilin do ta drejtoni paralel me “A Show”?
Po. Them të filloj një serial të ri paralel me “A Show”. Më intrigon shumë kultura dhe informacioni i të rinjve dhe jemi duke përfunduar punën për një spektakël popullor me fuqi të madhe ekzaminuese.
Si po e përjetoni këtë periudhë të festimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë?
Jo mirë. Nuk ka atmosferë festive. Nuk duket si festa e të gjithë shqiptarëve. Kur udhëheqësit e tri vendeve fituese të Luftës së Dytë Botërore, Truman, Churchill e Stalin do të takoheshin në Postdam, Kryeministri britanik ishte përpara zgjedhjeve të përgjithshme, të cilat mund t’i fitonte ose humbiste (i humbi në fakt). Ai bëri një gjest aristokratik që vetëm një aristokrat liberal mund ta bënte, zgjodhi në delegacion si zëvendësin e tij pikërisht shefin e opozitës, i cili pas zgjedhjeve u bë Kryeministri i Britanisë. Churchill ka menduar se Britania është e të gjithëve dhe nëse humbiste zgjedhjet, marrëdhënia me aleatet dhe vendimet për fatet e botës duhet të kishin vazhdimësi. Në këtë aspekt, 100-vjetori do të duhej të organizohej nga të gjithë dhe t’i përfshinte në gëzim e reflektim të gjithë.
Çfarë do bëni ju në 28 Nëntor?
Fillimisht do vendos një flamur kuq e zi në Ballkon. Do kemi me siguri të ftuar në shtëpi miq të dashur nga Kosova për të ngritur një dolli. Ato ditë ka të ngjarë që të bashkëpunoj me artistë të njohur për të organizuar një shfaqje në Vlorë, atë qytet të shkëlqyer që e kam dashur gjithnjë. Me atë popullatë që e përfaqëson aq bukur, rrëmujshëm, por me drejtësi të qenit shqiptar.
Pyetja e fundit: Në këtë moment a jeni ju i lumtur? Keni krampe palumturie?
Po po, jam i lumtur. Ndonjë stërkëmbësh tutje tehu e bën jetën më interesante.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here