Po të kërkohet në “Google” “Giffoni Kosova Film Festival” rezultatet e vetme që të dalin kanë të bëjnë me një festival për fëmijë, pa Kosova në mes, që mbahet në Itali e Shqipëri, së bashku me disa intervista të ambasadorit italian në Prishtinë, Michael Giffoni.

Këtë festival – i cili nuk dihet se kush e organizon e as kur mbahet dhe çfarë karakteri do të ketë – Ministria e Kulturës e ka përkrahur me 5 mijë euro.

Pa rezultate në kërkimin virtual është edhe edicioni i filmit të shkurtër, “Ilyricum” që Ministria e Kulturës ia ka ndarë 3 mijë euro. Këto dy festivale janë në mesin e 12 festivaleve të filmit, të cilët Ministria e Kulturës i mbështet financiarisht këtë vit. Shuma totale që MKRS-ja sivjet ka shpenzuar nga buxheti i saj për festivale të filmit në Kosovë është 87 mijë euro.

Kamuran Goranci, drejtor i Departamentit të Kulturës në MKRS, thotë se kjo shifër është për organizimet e festivaleve në Kosovë. E pjesëmarrja e artistëve vendorë në festivale jashtë vendit merr tjetër buxhet. “Nëse e llogarisim edhe pjesëmarrjen e filmave, regjisorëve, producentëve dhe aktorëve kosovarë në festivalet e filmave jashtë Kosovës, atëherë shuma është dukshëm më e madhe”, ka thënë ai, pa precizuar ndonjë shifër. Goranci nuk ka precizuar as dallimin me vitin e kaluar në numrin e festivaleve që e kanë mbështetur këtë vit.

“Dallimi është se sivjet janë mbështetur më shumë festivale se vitin e kaluar”, ka thënë ai (gjerësisht në “Kohën Ditore”).

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here