Kosova hap pavijonin në Bienalen e Venedikut“Jam i unët me të pas ngatë. Po dua me i gjet fjalët që më ngopin, por në fund s´mbetet tjetër pos një qark i mbyllur. Ironia asht që ti nuk je këtu, asnjë gjë nuk asht këtu”, është titulli i punës i cili është instaluar në pavijonin Arsenale në Venedik, ku Kosova para të gjithë botës po shfaqë për herë të parë artin bashkëkohor kosovar, kjo përmes pavijonit të parë shtetëror, i cili prezantohet nga artisti Petrit Halilaj. Vepra e cila ishte e vendosur në pavijonin që ishte përcaktuar për Kosovën, duke e çuditshme.

Qysh në hyrje vizitorët papritmas ballafaqohen me një strukturë të çuditshme të ndërtuar me thupra të thurura si dhe me tokën dhe muret e mbuluara me dhe e llaç. Diku në mes shihej edhe një vrimë e bardhë, që jepte sinjal tjetër. Për gjithë këtë vepër, artistin Petrit Halilaj e kishin inspiruar këshillat e nënës së tij për të zhvilluar një strukturë të strehuar brenda strukturës e cila lejon që projekti i tij të lirohet nga një pritje e supozuar dhe presioni për të përfaqësuar një komb.

Halilaj shtyri eksperiencat kolektive të të gjithë kontribuuesve të ftuar deri në kufi, duke i shndërruar ato së bashku me kujtimet e tij mbi fëmijërinë rurale në Kosovë dhe përvojave të jetës së tij mes dy botërash, realitetesh dhe ideologjish, në art, “të gjitha përderisa zbulonte realitetin e pashmangshëm të një sfere shumë me të gjerë social-politike”. Vetë Halilaj, në hapjen e bienales theksoi se veprën e ka krijuar me liri absolute. “Për një artist është e rëndësishme të krijosh një projekt me liri të plotë.

Kjo ka ndodhur me mua dhe jam shumë i lumtur. Ky ka qenë një proces i gjatë dhe shpresoj që ta shijoni atë që kam bërë”, ka thënë Halilaj. Krejt veprës ai thotë se i ka ndihmuar edhe jetesa e tij multinacionale, në shumë kryeqytete dhe ambiente me aparencë tjetër nga njëra tjetra. Erzen Shkololli, Drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës, njëherësh edhe komisionar i pavijonit kosovar, tha se kjo pjesëmarrje është një hap madhorë për skenën e artit kosovar.

“Kjo do t`i hapë rrugë edhe artistëve tjerë kosovarë për përfaqësime të tjera në këso evenimentesh, në mënyrë që ata të kenë tani e tutje më shumë mundësi prezantimi”, ka shtuar Shkololli në hapjen e pavijonit, shkruan Tribuna.

Pavijonin francez e përfaqëson artisti shqiptar

Po ashtu edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Memli Krasniqi i cili kishte marrë rrugë për në Venedik, gjatë hapjes së Pavijonit të Kosovës, shtoi se është një hap i madh për artin kosovar një pjesëmarrje e tillë, dhe të tjerat që vijnë duhet të kenë kriter të madh që të “dyluftojnë” me artin që ka krijuar Halilaj.

“Është një punë e shkëlqyer me një ekip shumë profesional. Për të gjithë artistët tjerë kosovar që synojnë një sukses të tillë të pjesëmarrjes në Bienale, duhet të fillohet të mendohet që tani për këtë punë”, ka pohuar Krasniqi. “Bardhësia e mureve të brendshme bën kontrast me errësirën e hapësirës së jashtme. Një kontrast aq i fortë sa që ja jep dhomës cilësinë e një bote të ndarë, një lloj i ‘hapësirës mentale’. Muret e saj nuk janë katrore por të rrumbullakëta.

Për ta bërë edhe më kurioze, kjo hapësirë del të jetë streha dhe shtëpia e dy bilbilave, të cilët deri vonë kanë jetuar në shtëpinë e artistit”, shkruan kuratorja e ekspozitës, Kathrin Rhomberg, në kritikën e saj ndaj konceptit kuratorial. Po të njëjtën ditë, në Bienalen e Venedikut është hapur zyrtarisht pavijoni francez, të cilin sivjet e përfaqëson shqiptari Anri Sala, me një video inspiruar nga një kompozitor francez të ndarë në 3 pjesë. Artisti me famë botërore Sislej Xhafa të mërkurën ka shfaqur dy veprat e tij kushtuar kësaj bienaleje: e para e quajtur “Paralel Paradoks”, dhe e dyta që shpërfaq një tabut përthekuar me kuponë lotarie.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here