KlediBalerinët shqiptar, Kledi Kadiu dhe Anbeta Toromani, që prej pak ditësh janë pjese e një fushate të Shoqatës Italiane të Multisklerozës (Encephalomyelitis disseminata) dhe ftojnë fansat që të dhurojnë për kërkimet kundër kësaj sëmundjeje.

Ata kanë realizuar një video për të sensibilizuar opinionin publik të Italise. Një video e thjeshtë, pa shumë kosto, për mos të rënë ndesh me qëllimin e saj, ku sigurisht të dy bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë: kërcejnë, nën tingujt e “Crazy Tango” të Anastasovskit dhe përcjellin mesazhin nëpërmjet zërit në sfond.

Që prej vitit 2006 në Itali funksionon ligji që taksapaguesit mund të falin 5 të mijtat e taksave të tyre ndaj shtetit për një qëllim humanitar. Shoqata Italiane e Multisklerozës (Associazione Italiana Sclerosi Multipla) bën thirrje që kjo pesë për mijë të shkojë për të financuar kërkimin shkencor dhe universitar gjatë deklarimit të të ardhurave. Dhe për këtë ka zgjedhur balerinët shqiptarë.
“Unë në Itali jam vendosur gati përpara 20 viteve, po ashtu dhe Anbeta për një kohë të gjatë punon dhe jeton në Itali. Programi “Amici” dhe pjesëmarrja në aktivitete kulturore të tjera ka bërë që të zgjerohet harta e njohjeve në masën e të rinjve, si nëpërmjet TV po ashtu dhe interpretimeve në teatër. Për më tepër pjesëmarrja ime në disa edicione të ‘Progetti di Danza’ në Rai 5 për tre vjet dhe pjesëmarrja e Anbetës në skenat e teatrove ne Bratislavë me baletin ‘Romeo e Giuletta’, kanë surprizuar publikun. Besoj se kanë qenë këto shtysat e AISM për të bërë propozimin e pjesëmarrjes sonë si imazh i saj, për të ftuar fansat tanë për të dhuruar një pjesë të pallogaritshme të kursimeve personale për kërkime shkencore”, ka thënë Kledi për “Mapo”.

Ata, në të vërtetë, me të marrë propozimin nga shoqata italiane për këtë fushatë që do zgjasë për rreth një vit, kanë pranuar dhe janë angazhuar për ta realizuar sa më shpejt që mesazhi të përhapej menjëherë.

“Jemi shumë të lumtur që vullnetarisht jemi bërë imazhi i kësaj fushate, jo vetëm sepse kemi miq dhe njohim të sëmurë me Multisklerozë, por sepse duke e njohur pak këtë sëmundje të rëndë dhe deri tani të pashërueshme, e cila zbulohet edhe në moshë shumë të re, mendojmë që mund të ndihmojmë përpjekjet e shkencës për të shpëtuar jetë njerëzish. Është pra një detyrim dhe nder në të njëjtën kohë”, – thotë Kledi, i cili vazhdon të flasë dhe në emër të Anbetës. “Dëshirën dhe kontributin tonë në artin e bukur të baletit nuk mund ta veçojmë nga detyrimi dhe kontributi ynë edhe për shoqërinë. Një gjë e tillë nuk na bën të tërhiqemi prapa, sepse siç thotë dhe Anbeta ‘secili mund të kontribuojë edhe me një buzëqeshje”, thotë Kledi Kadiu.

Për të, ky nuk është angazhimi i parë social. Më parë ka prezantuar imazhin e tij në fushatën e UNICEF, që ka pasur si qëllim sensibilizimin e shoqërisë për sjelljet diskriminuese kundrejt fëmijëve të emigrantëve. “Kam kuptuar dhe ndjerë shumë qartë atë që integrimi, përballja dhe bashkëjetesa mund të parandalojnë pengesat kulturore dhe mentalitetin që ekziston sot. Kjo është një tematikë që unë e kam shumë përzemër dhe impenjimi im për UNICEF-in është zgjeruar në një përvojë tjetër edhe në Bangladesh për një projekt që synon të luftojë shfrytëzimin e punës së minorenëve.” Dhe tashmë për të bëhet dhe një projekt më shumë, i ngjashëm për nga fryma. “Nga UNICEF në AISM, unë nuk kam menduar dy herë për një impenjim social; nëse vite më parë theksoja që ‘karriera nuk është e gjithë jeta’ sot me zë të lartë theksoj ‘Jeta është mbi të gjitha”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here