Balerina e parë e “Albi Nako Dance” përtej limiteve të baletit. Prima balerina e televizionit Klan në versionin prezantuese. Shanset që i ofroi Ardit Gjebrea dhe pritshmëritë për më vonë.

Historia dyvjeçare e dashurisë me Albi Nakon dhe bashkëjetesa. Lidhjet e hershme të Klaudia Pepës me familjen e artistëve dhe destinacioni show biz.

Ka qenë aty qysh kur nuk i kishte më shumë se 15 vjeçe. Ata që nuk i mbajnë mend emrin mund ta kujtojnë nga pjesa që interpretuan bashkë me Albi Nakon vite më parë: Tango e dashurisë.

Portreti fëminor dhe flokët e gjatë, trupi ende i parritur i balerinës mbështjellë nga fustani ngjyrë e kuqe e ndezur, por interpretimi profesionist, qarkullon ende nëpër site të ndryshme interneti. Në trupën e balerinëve të televizionit Klan, Klaudia Pepa ka qenë pothuaj gjithmonë e pranishme.

Po ashtu edhe sa i takon familjes Nako: ende 5-vjeçare adhuronte Llaqi Nakon dhe grupin e fëmijëve “Spektër”, pjesë e të cilit ishte gjashtë vjet me radhë, deri kur u rrit. Ndërsa më vonë, sytë i drejtoi nga i biri i mjeshtrit të baletit, u bë një nga balerinat e Albi Nako Dance, dhe tre vjetët e fundit, partnere e tij dhe soliste e grupit. Thënë ndryshe sa i takon pjesëmarrjeve dhe performancave në balet, nuk ka pse qahet.

Megjithatë po të mos ishte për lajmet e muajve të fundit dhe sidomos për spektaklin “E diela shqiptare”, prima balerina e Klanit nuk do të ishte kaq shumë në qendër të vëmendjes sa tani. Si fillim ishte historia e dashurisë me partnerin e saj në balet, Albin, që zgjat prej dy vjetësh dhe më pas spektakli i Arditit, Telebingo shqiptare, afrimi i balerinës në panelin e prezantuesve dhe gjatë muajit gusht shfaqja vetëm e Klaudias në ekran: Gjebrea e paralajmëroi në puntatën e fundit dhe spoti publicitar u shfaq me qindra herë –Klaudia do të merrte në dorë drejtimin e Telebingos dhe lojën telefonike. Mbase jo shumë për një prezantuese mirëfilli, por jo edhe aq pak për një balerinë, e cila këtë nuk e ka pasur ndonjëherë qëllim. Në transmetimin e drejtpërdrejtë të çdo të diele, Klaudia Pepa ndjeu shijen e mirë të të qenit drejtuesja e një programi në pikun e shikueshmërisë dhe perspektivën që në të ardhmen të mos kënaqej vetëm me baletin. Prezantimi mund të jetë, pse jo, edhe një profesion i dytë.

Pastaj këto javë i ka provuar të gjitha suprizat që një transmetim live mund të sajojë. Dhe që jo gjithmonë janë të mira. Ka bërë edhe gabime, i ka ndodhur t’i bllokohet telefoni pikërisht në kohën e lojës, ta mbyllë pas dashje pavarësisht se dikush është përgjigjur saktë, të ndjejë sikletin e të papriturës në një kohë kur të gjithë, sytë i kanë pasur të ngulur mbi të. “Por duke pasur parasysh se në lojën Telebingo Shqiptare, kam qëndruar një vit në krah të të madhit Ardit Gjebrea, them se kam përfituar edhe unë taktika manovruese për të kapërcyer me sukses situata të tilla, që në transmetime direkt janë mëse normale”, thotë Klaudia. Çka mund të përkthehet se në fund, bilanci i gjithë këtyre javëve është më shumë se i kënaqshëm.

 

Me një fustan ngjyrë ari, ngjitur pas formave prej balerine të trupit, Klaudia mundohet të kontrollojë çdo lëvizje dhe fjalë. Vërtetë ka shumë vite që kërcen, është e para ndër balerinët e trupës ku bën pjesë, kryeqendra e vëmendjes sa herë që interpreton, por vetëm në skenë. Ndërsa kjo është diçka tjetër. I duhet të flasë për veten, të pozojë bukur, të rrëfejë mbi të shkuarën dhe të tashmen, eksperience kjo e re, dhe e një lloji tjetër nga ato me të cilat është mësuar. Pak më tutje është Albi që po përgatit ambjentin (në shtëpinë e tij), ku do të realizohet seti i fotove dhe Klaudia si fshehurazi hedh sytë herë pas here mbi të. Duket sikur i kërkon një lloj miratimi për çdo fjalë dhe veprim, i kërkon një lloj sigurie për të vazhduar më tutje. Ndaj akulli thyhet vetëm kur ai i ulet pranë dhe i jep një dorë kur vjen puna për të shpjeguar këtë punën e prezantimit të Telebingos. Ka qenë surprizë edhe për ta, po aq sa për publikun që e ka ndjekur nga ekrani. Sigurisht që Klaudias i ka ardhur mirë kur javë pas jave e ka gjetur veten në krah të Gjebreas gjatë transmetimit të së “Dielës”, por që të drejtonte ajo lojën e fatit këtë as e kishte menduar dhe as parashikuar. E kanë zgjedhur Ardit Gjebrea dhe Pali Kuke, dhe ajo vetëm sa e ka pritur me mirënjohje këtë. Pa gjetur guximin të pyesë më tutje nëse kjo do të thotë se në sezonin e ri do të ketë një rol më shumë në spektaklin e së dielës, apo do të vazhdojë të qëndrojë në të njëjtat pozita. Trupa e baletit e ka filluar punën, por stafi i së “Dielës” ende nuk është mbledhur i gjithi, aq sa për të ditur diçka më shumë. Deri në vigjilje të 18 shtatorit kur të rinisë transmetimi, edhe ajo do ta fillojë me “ndoshta” pjesën që flet për drejtimin e një spektakli, për ëndrrën e re që ka filluar të ndjekë: prezantimin.

“Ishtë një rastësi që Ardit Gjebrea dhe Pali Kuke ma besuan. Kjo ishte njëkohësisht edhe një provë për mua. Më pëlqeu prezantimi dhe e shoh si prespektivë për të ardhmen, si një profesion i dytë apo i tretë. Për një vajzë si unë, e re në moshë dhe e re në prezantim, kjo ishte një përgjegjësi shumë e madhe. Çdo profesion ka vështirësitë e veta, megjithatë eksperienca ishte e re, e bukur dhe vërtetë e vlefshme”.

Qoftë edhe për ato momente kur është gjendur në vështirësi përpara kameras, jashtë çdo parashikimi të shkruar në skenar dhe dalja nga situata ka qenë improvizim i saji. E ka parë ta bëjë këtë Arditi, por edhe prezantueset që ka zgjedhur gjatë këtyre muajve dhe vëmendja që ka treguar nuk i shkoi kot. “Sigurisht që është një punë e vështirë. Unë kam një eksperiencë nga fusha e baletit ku prej 14 vitesh ushtrohem, studioj, punoj dhe kam bërë një shkollë enkas për të”, thotë Klaudia. “Një performancë 3 minuta, e cila kalon në një vlerësim bardh e zi tek spektatori mbart në vetvete orë e orë të tëra pune, mundi e sakrifice. Të gjitha këto harrohen kur duartrikitjet e suksesit kanë marrë ngjyrën e kurorës, por në fund të fundit ky profesion është sfidë e përjetshme dhe sakrificat janë të panumërta. Askush nuk mund ta besojë, përveç artistëve që e lëvrojnë këtë fushë. Unë jam ende në fillimet e mia dhe rruga drejt suksesit është shumë e gjatë. Kjo vlen për çdo fushë, sepse çdo profesion ka vështirësitë e veta, do përkushtim dhe sakrifica”.

 

Nga ato që 19 vjeçarja i njeh mirë sepse i ka hequr mbi kurriz. Këto javët e fundit e ka provuar në lëkurë se ç’do të thotë të drejtosh, qoftë edhe një lojë, për të cilën njerëzit kanë kuriozitet dhe interes, por përtej kësaj, qysh fëmijë Klaudia ka provuar se çdo të thotë të heqëssh dorë nga shumë kënaqësi të moshës për të bërë atë çka do të shumë: kërcimin.

“Në moshën 5 vjeçare shikoja shpesh shfaqjet në cirkun e Tiranës ku kishte variete të ndryshme, e në mes tyre debutonte grupi i fëmijëve “Spektër”, drejtuar nga profesor Llaqi Nako. E admiroja grupin e tij dhe si fëmijë që isha ëndërroja të isha aty e të debutoja në skenë, pa ditur se çfarë ishte baleti, por thjeshtë kënaqësia që të isha pjesë e tyre”, thotë Klaudia.

Megjithatë në kohën e duhur u bë pjesë e atij grupi, pa e ditur se nuk do të dilte më nga familja Nako dhe vite më vonë do të bëhej edhe nusja e shtëpisë. Gjashtë vjet i mjaftuan ta donte baletin aq sa ta bënte profesionin e saj, dhe, kur ende nuk i kishte kapërcyer kufijtë e fëmijërisë, në moshën 11 vjeçare, konkuroi në spektaklin “Gjeniu i vogël” dhe fitoi vendin e parë. “Kam hyrë e madhe në shkollë dhe një vit tjetër e humba në shkollën e baletit”, tregon ajo, aktualisht studente në vitin e parë në degën e koreografisë. Humbi një vit sepse në shkollën e baletit nuk e pranuan, pavarësisht të dhënave dhe çmimit të parë që kishte fituar në Klan. “Konkurova herën e dytë dhe fitova”. Në të njëjtën kohë pothuajse, Albi Nako vendosi ta mbante në televizionin Klan, kësaj here në trupën e tij të baletit, në të cilën është sot e kësaj ditë dhe tre vitet e fundit si soliste e tij.

“Gjithmonë kam dashur dhe ëndërruar të isha pjesë e Albi Nako Dance”, thotë balerina. “Me dëshirë dhe iniciativë kërkova të punoja dhe të përformoja në skenë me këtë trupë, pjesë e së cilës jam që në moshën 15 vjeçare. Shumë shpejt Albi më pikasi për të qenë partnerja e tij dhe si nismë ishte klipi Tango e dashurisë. Ndërsa sot jam jo vetëm partnerja e Albit, pjesëtare e trupës, por dhe soliste prej 3 vitesh e Albi Nako Dance”.

Është edhe e zgjedhura e tij jashtë baletit. Vitet e këtij bashkëpunimi të ngushtë i hapën shtegun një lidhje që zgjat prej dy vjetësh, ndërkohë që përgjatë vitit të fundit Klaudia është shpërngulur në shtëpinë e Albit dhe bashkëjeton me partnerin dhe bashkëpunëtorin e saj më të ngushtë. “Bashkëjetesa na ndihmon ta njohim më mirë njëri-tjetrin duke qenë se jemi gjithë kohën bashkë, në punë, shptëpi, kudo”, thotë ajo. “Siç e thashë, që e vogël e ndiqja vazhdimisht trupën e Albit dhe mbi të gjitha isha e lidhur me familjen Nako. Unë e njihja Albin dhe ai mua, por unë një ditë u rrita, u bëra pjesë e trupës dhe partnerja e tij. Në fillim e dashuruam njëri-tjetrin si artistë, ndërsa më vonë dashuria shpirtërore lindi në mënyrë të natyrshme. Sot ne bashkëjetojmë me plot kuptimin e fjalës: Njihemi  mirë, i kushtojmë kohë dhe kujdesje njëri-tjetrit”.

Koha ka kaluar ndërkaq dhe Klaudia duket se nuk ka më nevojë për ndërhyrjen e Albit që të jetë e lirshme në çka bën dhe thotë. Bashkëpunimi i shumëfishtë i këtyre viteve të fundit mbi të gjitha duket se i ka bërë miq të mirë, ndaj dhe kur vjen puna për të saktësuar se çfarë duhet pritur nga Klaudia, – një balerinë apo prezantuese – çifti shkëmben një vështrim të shpejtë. “E kemi diskutuar shumë herë këtë të dy”, thotë Albi i pari, duke ngritur supet. Nuk dinë të thonë diçka konkrete në lidhje me sezonin e ri televiziv. Klaudia padyshim që do të jetë prima balerina e trupës, por se sa vend do t’i lihet asaj në panelin e prezantuesve, këtë nuk mundet ta thotë hë për hë. Ndoshta do të ketë shumë hapësirë, ndoshta asgjë. Sidoqoftë, “artisti nuk mund të ndihet asnjëherë i realizuar kur në unin e tij qëndron ambicja për të ecur përpara dhe për të eksploruar gjëra të reja tek vetvetja. Do të doja të bëja shumë gjëra në jetë, sepse di edhe mundesitë e mia”, thotë Klaudia. “Përveç baletit më pëlqen fusha e aktrimit, pse jo dhe prezantimi. Ndoshta nesër një showgirl?”

Rastësia e ka ndihmuar për këtë. Jo më larg se të dielën e kaluar fytyra e saj u shfaq në televizionin Klan në orarin e darkës me një lojë që tërheq audiencë edhe prej dëshirës për të fituar para. Në shtator do ti rikthehet skenës, me siguri si balerinë e ndoshta më shumë. Por edhe sikur të ndodhë e kundërta një hap të parë e ka shënuar. Është vetëm 19 vjeçe dhe ka plot njerëz përreth për t’i dhënë sigurinë. Jo më kot ka sqaruar në krye të herës së ky është vetëm fillimi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here