Është e shpejtë, energjike, kamera duhet të jetë në lartësinë e zhdërvjelltësisë së saj që ta kapë. Klaudia Pepa është prima balerinë në televizionin Klan. Ka rënë në sy për një personalitet të spikatur në kërcim që bën të ngulësh shikimin në ekranin e televizorit.

Ndoshta këtë ndjesi ka pasur edhe koreografi Albi Nako kur e ka parë për herë të parë duke kërcyer.

Aq sa ka vendosur që jo vetëm ta ketë balerinë në skuadrën e tij të kërcimit, por edhe të dashur në jetë. Në këtë bisedë me Pepën, mësojmë shumë për të, dashurinë për Albin, baletin dhe muzikën…

Klaudia, ku e gjen energjinë një balerinë?

Unë besoj tek energjia e cila më ushqen mendjen, trupin dhe më vë në lëvizje. Nëse mund të shprehesha në gjuhë metaforike, jam thjesht një bateri së cilës i mbaron karikimi në fund të udhës së jetës. Me sa duket, jam një bateri e karikuar mirë që rrezatoj energji e cila më gjeneron një energji të vrullshme dhe më rrëmben me forcën e saj.

Baleti iu ka shoqëruar që nga fëmijëria…

Në moshën 5-vjeçare prindërit më çonin shpesh të shikoja shfaqjet në cirkun e Tiranës ku kishte variete të ndryshme, e në mes tyre debutonte grupi i fëmijëve “Spekter” drejtuar nga prof. Llaqi Nako. E admiroja grupin e tij, dhe si fëmijë ëndërroja të isha aty e kërceja në skenë, pa ditur se çfarë ishte baleti, por thjesht kënaqësia që të isha pjesë e tyre. Kështu nisa të jem pjesëtare e grupit “Spekter” prej 6 vitesh. Më pas konkursi i talenteve të vegjël “Gjeniu i vogël 1” më shpalli fituese e çmimit të parë të baletit. Në moshën 15-vjeçare u bëra pjesë e trupës “Albi Nako Dance”, ku shumë shpejt Albi më spikati për të qenë partnerja e tij, dhe si nismë ishte klipi “Dashurisë”. Ndërsa sot jam jo vetëm partnerja e Albit, jo vetëm pjesëtare e trupës, por dhe soliste prej 3 vitesh e “Albi Nako Dance”.

Thonë  që  kur je  fëmijë  e merresh me balet, privohesh nga shumë lojëra që bashkëmoshataret e tua bëjnë…?

Në njëfarë mënyre bëra pakt me fëmijërinë time, duke u marrë me balet e duke lënë lojërat apo kënaqësitë që mund të ketë një fëmijë. Në art nuk mund të ketë palë. Arti dhe artisti që e zhvillon atë, shkrihen e bëhen një, janë ndjenjat ato që artisti i përçon nëpërmjet artit. Por a mund të bëhet kompromis me ndjenjat me shpirtin? Kurrë jo. Në shumë fusha të jetës kompromisi është i pranueshëm, ndërsa në art kompromisi dhe suksesi janë dy të kundërta që përjetësisht përjashtojnë njëra-tjetrën. E nisa 5 vjeç dhe deri tani jam në një drejtim rruge, dhe nuk jam aspak e penduar apo të më ketë ngelur peng ndonjë gjë që nuk e kam bërë si bashkëmoshatarët e mi, sepse zgjodha një rrugë arti, të bukur, të vështirë dhe që i kam kushtuar jetën….

Çfarë ju bën ta doni kaq shumë kërcimin?

Në radhë të parë muzika më rreh nga zemra dhe përhumbem në tingujt e saj. Nëpërmjet lëvizjeve mund të shpreh ndjenjat e mia, mendimet e mia, pra, trupi është gjuha ime e të folurit. Kur lëvizjet përputhen me tingujt dhe notat e muzikës, me mendjen dhe psikologjinë e vet personit, atëherë arrihet ‘fluturimi”’ ose ‘dehja’, gjë që e ndjej vazhdimisht kur interpretoj jo vetëm në skenë, por edhe gjatë provave, edhe në shtëpi apo kudo ndodhem. Kërcimi jeton me mua dhe është lëkura që kam mbi trupin tim. Ç’është e vërteta, ky profesion për mua përbën të vetmen dashuri të patjetërsueshme. Që këtu kuptohet çfarë kënaqësish shpirtërore e morale më shkakton.

Komplimenti më i bukur që ju kanë bërë, cili është?

Më shumë më pëlqejnë kritikat, sepse më ndihmojnë për të qenë më e realizuar. Ndërsa për sa i përket përkufizimit tim, më thonë se kërcej si një gazele, spërdridhem si një lule kacavjerrëse, duke u harmonizuar në sytë e njerëzve si vetë natyra që mbart të gjitha gjallesat brenda saj.

Ç’ndjesi të jep të qenët në qendër të vëmendjes?

Njerëzit e artit në njëfarë mënyre janë si vajzat adoleshente, e kanë qejf vlerësimin dhe komplimentin, kështu ndodh edhe në rastin konkret, ndihem mirë.

Jeni më shumë për baletin klasik apo atë modern dhe pse?

Siç e thashë edhe më lart, e kam nisur në një grup fëmijësh ku ushtroja kërcimin klasik dhe modern, më pas bëra shkollën e baletit, e cila është e përqendruar kryesisht te baleti klasik, më vonë u futa në grupin e Albit ku ushtrova baletin modern, bashkëkohor dhe kërcime të karaktereve të ndryshme, për të mos thënë të gjitha gjinitë e baletit. Gjatë këtyre viteve, prirjet e mia, të dhënat e mia fizike, muskulatura dhe plastika përcaktuan gjininë e baletit bashkëkohor, m’u ndodh pranë njeriu i duhur, i cili punoi mbi mua ashtu siç duhej, dhe me vizionin e tij duke më parë si talent, ai po më formon si figurë, dhe po investon mbi mua ashtu siç duhet të jetë një artiste me plot kuptimin e fjalës. Unë kam bërë një shkollë të mirëfilltë baleti, por shkollën më të mirë që kam bërë dhe po bëj është shkolla e Albi Nakos.

Tani jo vetëm kërceni, por edhe prezantoni. Ju pëlqen kjo gjë?

Në fakt kam prezantuar në verë, një përvojë e shkurtër në muajin gusht, në lojën Telebingo shqiptare, ndërsa tani jam vetvetja. Jam balerine. Jam ajo çka di të bëj më mirë. Më pëlqen prezantimi, por e shoh si një perspektivë pak më të largët, megjithatë nuk i dihet (qesh).

E keni menduar të bëni një prezantim të mirëfilltë me një program tuajin?

E kam menduar, por them që do t’i vijë koha edhe prezantimit. Kur isha e vogël ëndërroja të bëhesha balerinë, kurse sot që u rrita, përveç baletit kam dëshirë të realizoj shumë gjëra të tjera, të cilat si përkufizim do të kishin fjalën Shou-girl.

Si lindi dashuria me Albin?

Në fillim e dashuruam njëri-tjetrin si artistë. Dashuria shpirtërore lindi natyrshëm.

Si është kur bashkohet kërcimi dhe Albi?

Realisht profesioni ndikon ndjeshëm në këtë pikë, sidomos kur Albi është në pozita drejtuese, në planin profesional marrëdhënia është e magjishme dhe si çdo magji ke dëshirë të mos e prishësh, por dhe kur punon me të, duhet të bësh kujdes që ta lësh brenda magjisë së saj. Nga ana tjetër, profesioni ndikon ndjeshëm në njohjen e vetive shpirtërore. Pa dashur të filozofoj, dua të them se plastika koreografike është shprehje, është fjalë pa tingull, duke gëzuar këtë veçori unike ajo përcjell mesazhe dhe emocione të brendshme.

Si është marrëdhënia e punës, grindeni shpesh?

Kur thua marrëdhënie pune, është marrëdhënie pune. Albi është drejtuesi im dhe i grupit dhe duke u nisur nga ky fakt dhe nga fakti që e njoh mirë atë, fjala e tij përmban mençuri, dituri, pra ka peshën që duhet të ketë një mashkull, një partner, një drejtues dhe një udhëheqës që mbi të gjitha garanton suksesin. Me këtë dua të them që në moshën dhe pozicionin që unë kam, më takon me plot kuptimin e fjalës të jem e dëgjuar dhe e bindur për atë çfarë ai kërkon dhe beson.

Si është dita juaj?

Një ditë e mbushur plot dinamik. Duke nisur nga mëngjesi, nuk mund të dal nga shtëpia pa një vakt të plot sepse duhet të ushqehem mirë për të pasur energji gjatë ditës. Vajtja në shkollë më merr energjitë e para duke qenë se bëj gati 10 orë në ditë bashkë me orët artistike. Pas orarit të drekës, pra një vakti tjetër të shëndetshëm, më duhet të nis punën në TV Klan. Atje stërvitem me orë të tëra, jo vetëm për spektaklet ku punoj për momentin. Dita ikën aq shpejt sa vjen darka, ku kthehem në shtëpi tepër e lodhur nga ngarkesa e ditës. Orari i gjumit duhet të përmbushë 7-8 orë, sepse trupi do regjimin e tij të caktuar.

E ndjeni xhelozinë e kolegeve? Si e shmangni?

E ndjej shpesh herë!. Shmangja e xhelozisë? “Nuk kam rivale dhe nuk më shqetëson suksesi i asnjërit. Bota është e madhe, dhe ka vend për të gjithë”

Si ushqehet Klaudia balerinë?

Ushqehem normalisht pa dieta… {or shpesh dëgjojmë se balerinat mbajnë dieta për të pasur një trup në formë. Por kjo nuk është zgjidhja e duhur… Profesioni ynë harxhon shumë energji, kështu ajo çfarë t’i ha nuk kthehet në shëndoshje. Pra, ky term i dietave shërben për dembelet që nuk lëvizin e nuk punojnë. Sot çdo femër por dhe meshkujt kanë filluar të mbajnë trupin në formë, me stërvitje, me kurse të ndryshme baleti e me palestër. Madje, realisht po të shohësh, trup më të bukur kanë njerëz të thjeshtë që dinë dhe duan ta mbajnë trupin e tyre, sesa një balerin ose balerinë e ditëve të sotme. Ky është thjesht një respekt që çdokush duhet ta ketë për veten dhe trupin e tij.

Jeni e kënaqur me çka keni arritur deri më tani?

Njeriu, ose me saktë, artisti nuk mund të ndihet asnjëherë i realizuar ku në unin e tij qëndron ambicia për të ecur përpara dhe për të eksploruar gjëra të reja tek vetvetja…

Cilat janë ambiciet e tua?

Në moshën që jam unë, një balerin ose balerinë është në kulmin e tij deri në moshën 23-24, në bazë të muskulaturës dhe trupit. Unë e nisa rrugën në vendit tim dhe me njeriun e duhur të cilin sot e kam edhe shok jete, punoj në një televizion ku më plotësohen nevojat e momentit, dhe më është dhënë mundësia e kohës televizive dhe e njohjes sime si individ, gjë që televizionet e tjera nuk e kanë këtë veçori. Nuk mund të them një plan të caktuar, sepse edhe kur e kam bërë një të tillë, jeta më ka sjellë të papritura dhe planet bien poshtë. Sot mund të them që falë Albit, e kam marrë të plotë kënaqësinë dhe emocionin e kësaj pune, kam prekur ëndrrën time. Të futesh këmbët në moshën 15-vjeçare në një industri që ka shume të përbashkëta me luftën, me ashpërsinë, me intrigën, sigurisht që të duhet edhe fat për të mos rrezikuar deformimin e personalitetit, që pësojnë shumë emra të rinj që lançohen në botën e spektaklit, e që paplotësuar ciklin e shkëlqimit zhduken nga ekrani pa lënë gjurme.

Majkëll Xheksonin e kërceni shumë bukur?

Muzika e tij frymëzon çdokënd, mendoj unë. Jam munduar të “vjedh” tek ai gjërat më të rëndësishme në jetën e tij artistike. Më frymëzon muzika e tij, melodia, teksti i fjalëve dhe mesazhi që përcjellin, interpretimi i tij, kërcyeshmëria, energjia e tij, dashuria për jetën, për fëmijët, dhe për natyrën.

Po plane për martesë …?

Duke marrë parasysh që martesa është një kurorëzim i shenjtë që si derivat ka edhe krijimin e familjes, kjo gjë nuk më shmang as mua. Për sa i përket rastit tim, mendoj se është pak herët të shprehem…./shekulli/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here