Një nga emrat që padyshim ka shënuar talent show “Ethet e së premtes mbrëma”, Klajdi Musabelliu, prej disa kohësh i ka humbur skenës shqiptare duke mos sjellë për një kohë të gjatë asnjë material muzikor.

Megjithatë Musabelliu ka treguar për suplementin “THASH&THEM” se ka qenë pjesë e publikut gjatë performancave të tij në pube të ndryshme të Kryeqytetit. Gjithashtu ai është shprehur edhe për ecurinë e muzikës në vend dhe konkurrencën mes këngëatarëve.

Tashmë që sezoni i verës ka përfunduar mund të na thoni si i keni kaluar pushimet dhe me çfarë jeni duke u marrë aktualisht?

Këto kohë si çdo bashkëmoshatar i imi që jeton në Shqipëri i kam kaluar me pushime part-time. E them part-time sepse kam qenë i impenjuar në dy profesione, në administratë si dhe me muzikë live me bendin. Përveç ndonjë të diele në gjirin e Lalzit kam kaluar edhe gjashtë ditë të mrekullueshme në plazhin e Jalës me të rinjtë e LRI-së. Fundjavat ia kam dedikuar muzikës live dhe pak rrezeve të diellit e kripës së jodizuar të rivierës sonë.

Ka kohë që nuk keni publikuar ndonjë material muzikor, jeni duke u përgatitur për ndonjë kompeticion muzikor?

Në fakt u bë pak shumë kohë tashmë që edhe ime më ma ka harruar fytyrën.(qesh) Dëshira nuk ka munguar por skepticizmi ndoshta më ka bërë që të shoh ridaljen time me shumë mëdyshje. Dua të them jo se kam harruar se si këndohet por materialet muzikore jo bindëse që kam dëgjuar poshtë e lartë nuk më kanë tërhequr dhe kam menduar më mirë që të rri se sa të dal sa për të mos u harruar.

Si e sheh muzikën vitet e fundit, cilat janë ndryshimet që sipas teje ka përjetuar skena muzikore?

Sigurisht që bashkë me kohën dhe muzika ka evoluar disi. Është komercializuar në maksimum si vetë prodhimtaria ashtu dhe publiku e tregu. Gjë kjo që lë vend për debat, vlerash dhe antivlerash. Gjithsesi ndër 100 këngë që prodhohen rëndësi ka që 10 ia vlejnë.

Qarkullojnë zëra mes këngëtarëve se ekzistojnë kolegë që nuk duhet të shfaqen në ekran por askush nuk e merr guximin të bëj kritika hapur, pse?

Nuk e kam idenë e këtij “klani thashethemesh” në muzikë por di që ndonjë nga inati i bën këngëtarët të shajnë njëri-tjetrin. Dikush ka të drejtë dikush jo varet nga objektivizmi apo subjektivizmi i pikëpamjeve të individëve përkatës.

Për të gjithë ka vend nën këtë qiell, dallimin e bën publiku por numri rritet dhe dalin si këpurdha pas shiut, ku mendon se është fajtori?

Nuk duhet të kërkojmë askënd për të kryqëzuar. Dëshirat e pjesës më të madhe të të rinjve janë të shfaqen sa më shumë në ekran, dikush për të qenë i suksesshëm në shoqëri e dikush aspiron të gjejë ndonjë burrë me lekë, dikujt i kanë thënë të afërmit ndonjë gëzim familjar kur ka kënduar se ia vlen. Me pak fjalë pjesa më e madhe e shohin si një lançim në ekran, daljen me një videoklip dhe mendojnë se “bëjnë namin”.

Nuk bën pjesë në grupin e këngëtarëve komercialist, sa fitohet nga muzika dhe çfarë pune tjetër bën Klajdi?

Termi komerc kuptohet keq në Shqipëri, pjesa më e madhe e muzikës komerciale e quajnë muzikën ritmike. Në fakt komerc do të thotë treg që nuk ka lidhje fare me beatin, zhanrin. Këngëtarë komercial do të thotë këngëtarë që shet. Nga viti 2003 deri në 2006 kam shitur dhe unë. Në muzikë fitohet shumë kur ke fat kur je në top e kur di të menaxhosh situatën. Nuk përmendet shifra sepse është gjithnjë jo konstante. Aktualisht prej 1 viti punoj në një sektor të administratës, një eksperiencë ndryshe dhe pa lidhje me muzikën apo gazetarinë por që më pëlqen. Rrogën nuk e them (se mos mbahet puna shtetit që ka rroga të mira) (qesh).

Po përsa i pëket jetës private, ndonjë ndryshim në këtë drejtim, ekziston një dashuri që do donit të ndanit me lexuesit tanë?

Horoskopi më ka thënë që korriku, gushti kanë qenë muajt e mi me fat në aspektin sentimental, ndërkohë që rezultoi se kanë qenë muaj plot punë dhe vetmi. Megjithatë unë vjeshtën e kam stinën time të preferuar në të cilën të gjithëve u bien gjethet, ndërkohë që mua më çelin
lulet.(qesh)
/shqiptarja/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here