Këngëtari 23-vjeçar, Klajdi Haruni në bashkëpunimin me Flori Mumajes in himnizon dashurinë.

Suksesi i këngës duket se fshihet pas sinqeritetit jo vetëm të këngës por edhe historisë personale të vetë autorit, po për më shumë le të zbulojmë bashkë detaje të tjera përmes këtij rrëfimi.

Në klipin e këngës “Lutem unë sot” ti të krijon përshtypjen sikur je vërtet duke vuajtur për një histori dashurie. Është e vërtetë kjo gjë?
Dashuria për mua është ndjenja që më shumë se çdo gjë është e lidhur me muzikën. Është frymëzim për krijuesit e melodisë dhe të fjalëve. Edhe për mua që i këndoj asaj.
Pra teksti i këngës ka lidhje me një përjetim personal?
E ke vënë re, që një tekst kënge dashurie i shkruar bukur merr nota universale dhe pastaj kushdo mund ta bëjë të vetën një këngë dashurie. Ndaj, le të themi që është një këngë dashurie e të gjithë mund ta gjejnë veten te kjo këngë si edhe unë.
E kujt ishte ideja e videos?
Ideja e videos ishte e Florit dhe “Pro video Albania”, të cilët kanë punuar me përkushtim e profesionalizëm për realizimin e çdo detaji. Skenat dhe vendet e xhirimeve janë zgjedhur prej tyre. Kërkonim diçka të thjeshtë dhe të bukur e mesa duket ia arritëm.
Po ndonjë incident patët gjatë xhirimeve të klipit?
Incidente jo, por kishte të qeshura pa fund, batuta dhe dubla deri në orët e para të mëngjesit. Falë zotit nuk është videoklip-aksion që të dëmtohej dikush nga ne (qesh). Veç të ftohtit nuk patëm ndonjë incident tjetër.
Po vajza për të cilën vuan në video, cila është?
Afroviti është një modele si dhe mikeshë e jona dhe së bashku me Florin vendosëm që të ishte pikërisht ajo, vajza për të cilën unë vuaj (qesh). Ajo pranoi me dashamirësi dhe mendoj që kemi bërë zgjedhjen e duhur.
Si nisi bashkëpunimi me Flor Mumajesin. Erdhi ai te ty apo ti shkove te ai?
Bashkëpunimi me Florin ka lindur krejt rastësisht. Ne kemi frekuentuar të njëjtin vend, disa herë kemi rastisur të dy në një karaoke në Tiranë dhe Flori e vlerësonte vokalin tim, duke e thënë këtë gjë tek miqtë tanë të përbashkët. Kështu lindi dhe ideja e parë për të bashkëpunuar. Më pas, kur unë vendosa të realizoja këngën time të parë e kontaktova.
Ju keni marrë pjesë edhe ne “Top Fest” me një baladë të mrekullueshme. Për fat të keq, balada nuk e pati suksesin e këngës “Lutem unë sot”. Përse mendoni se nuk pati dhe aq sukses?
Sepse ishte pjesëmarrja ime e parë në një kompeticion të tillë, ku merrnin pjesë edhe artistë të njohur të muzikës shqiptare. Unë e dua shumë atë këngë dhe më vjen mirë që u pëlqye dhe është transmetuar shpesh edhe në “Top Albania Radio”. Fakti që nuk u shoqërua me një videoklip ndoshta nuk i dha popullaritetin e duhur.
Ju keni përfunduar studimet për juridik, por të ardhurat i nxirrni nga netët ku këndoni live në night club-e. Cilin konsideron profesionin e vërtetë të jetës tënde: muzikën apo avokatinë?
Unë kam studiuar piano nga klasa e parë deri në vitin e katërt të shkollës së mesme. Kam mbaruar liceun artistik në Korçë. Nuk vazhdova për piano, jo sepse më mungonte talenti, por sepse më mungonte vullneti për t’iu përkushtuar pianos. Duhej të studioja katër orë në ditë, por nuk kam vullnetin e duhur, ndaj hoqa dorë nga piano, por jo nga muzika. Kam kënduar gjatë gjithë jetës sime, në festa ku mblidheshim me miqtë. Pas pjesëmarrjes në “Top Fest” unë pata shumë oferta për të kënduar në klube nate në Tiranë e kështu nisa të fitoj edhe paratë e para nga muzika. Me këtë shpjegim të gjatë, dua të them se muzika është pjesë e imja. Për fat mund të nxjerr edhe të ardhura prej saj, ndaj pse jo, le të jetë muzika profesioni im. Nuk kam ndonjë thirrje të brendshme për avokati.
Fakti që me baladën që ke lançuar me Florin po krijon një popullaritet të shpejtë të tremb?
Nuk më tremb aspak, më dhuron vetëm kënaqësi. Nëse do njihnit karakterin tim do ta kuptonit më mirë këtë. Jam shumë i thjeshtë dhe nuk besoj se tani që më njohin pak më shumë, do të ndryshoj. Besoj që peshën më të madhe të popullaritetit të këngës e mban Flori. Çdo këngë e realizuar prej tij është pëlqyer dhe pjesëmarrja e tij në duet ishte ajo që unë kam dëshiruar gjithmonë.
Do të vazhdojë ky bashkëpunim me Florin edhe në të ardhmen?
Unë shpresoj dhe dëshiroj që bashkëpunimi ynë të jetë sa më jetëgjatë dhe i suksesshëm. Zërit tim i përshtatet shumë muzika që ai bën. Karakterit tim pak melankolik në të kënduar i ka përshtatur 2 këngë të mrekullueshme. Kjo nuk do të thotë që në të ardhmen nuk do realizohen këngë ritmike. Por le t’ia lemë kohës. Florin nëse e gjen duhet të bësh të pamundurën të mos e humbasësh.
Po a je i përgatitur edhe për famën?
Dua që fama ime të interpretohet si talent. Dua që njerëzit të vlerësojnë tek unë punën dhe mënyrën si unë këndoj. Nuk besoj që njerëzit e famshëm në Shqipëri bëjnë ndonjë gjë të jashtëzakonshme, ndryshe nga njerëzit e thjeshtë. Kështu që unë jam i përgatitur për famën, pasi do vazhdoj gjithmonë të kem të njëjtën sjellje, mënyrë jetese dhe të njëjtën dashuri që kam pasur gjithmonë për njerëzit që më rrethojnë dhe dua….
Cili do të jetë ai moment që do të mendosh për veten “Më në fund jam bërë i famshëm”? Si e kupton një artist famën?
Nëse më ofrohen shuma marramendëse për koncerte, nëse shtrohet tapet i kuq kur të kaloj dhe të jem i shoqëruar me truproja, nëse vajzat do të ulërasin dhe do të shkulin flokët për mua…Por kjo nuk ka për të ndodhur, sepse as unë vetë nuk jam i tillë. Kështu që po kënaqem me faktin që jam person publik dhe tani më njohin pak më shumë njerëz sesa miqtë dhe familja ime (qesh).
Deri më sot cilët janë njerëzit që të kanë frymëzuar më shumë në jetë?
Personi që më frymëzon dhe që e kam idhull në jetë është babai im. Të gjithë thonë që i ngjaj shumë në sjellje dhe në sensin e humorit. Ai dhe familja ime më kanë mbështetur shumë. Ndërsa artistët që vlerësoj dhe më frymëzojnë janë ata që punojnë shumë, kanë arritur shumë gjëra në jetë dhe janë modestë e të dashur. Një ndër ta është edhe Flori Mumajesi, i cili pati besim tek unë dhe bëri të mundur realizimin e ëndrrës time.
Në klip, përveçse dukesh sikur e përjeton këngën dukesh edhe sikur vuan shumë. Je djegur ndonjëherë nga dashuria për të përfituar atë lloj emocioni që arrin ta transmetosh edhe në këtë klip?
Të gjithë kemi ndjerë dhe vuajtur nga dashuria. Fabula e saj më përket mua dhe të gjithëve që e dëgjojnë dhe preken prej tekstit të saj. Kënga iu dedikohet atyre që duan shumë, ashtu si edhe unë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here