Shumë këngëtarë të estradës sonë preferojnë të këndojnë nëpër dasma, pasi që kjo paguhet mjaft mirë. Por ka edhe nga ata që nuk e pëlqejnë këtë lloj pazari për faktin se nuk e kultivojnë llojin e këngës që këndohet në dasma.

Këngëtarja Adelina Thaçi nuk preferon të këndojë në dasma pasi ajo ka stilin e veçantë të interpretimit dhe cilësohet si një këngëtare profesioniste.

“Kam pasur rastin të ftohem për të kënduar në dasma, mirëpo gjithnjë kam refuzuar. Nuk këndoj në zhanrin e këngës popullore ashtu siç këndohet në gazmende të tilla dhe kjo është shkaku i vetëm që nuk më pëlqen të këndoj në dasma. Nuk jam kritikuese e atyre që këndojnë në dasma, ngase e kultivojnë po atë zhanër muzikor që interpretohet në evenimente të tilla. Madje kam hasur të shoh organizime mjaft të mira dasmore me nivele evropiane, ku muzika ka qenë mjaft e mirë, mirëpo unë nuk mund ta udhëheq një dasmë me një këngë të tillë. Edhe po të më ofrohej një shumë e majme e të hollave, nuk do të pranoja të këndoj në dasma”, ka thënë ajo për “Zëri”.

Edhe këngëtarja Gili nuk është e prirë për të kënduar në ahengje të ndryshme gazmore për shkak se nuk i pëlqen stili i të kënduarit në këto evenimente.

“Nuk jam prej atyre këngëtarëve që këndojnë në dasma e ahengje të ndryshme gazmore, jo se nuk mund të interpretoj në zhanrin popullor, por në dasma kërkohet edhe këndimi tallava dhe kërkesat e dasmorëve për lloj-lloj këngësh nuk më pëlqejnë fare”, thekson ajo.

As këngëtari Genc Prelvukaj nuk preferon të këndojë në dasma dhe ahengje të ndryshme muzikore, ku, sipas tij, në dasmat e sotme janë bërë ndryshime shumë të mëdha, si në zakonet e trashëguara, ashtu edhe në pjesën argëtuese muzikore.

“Në dasmat qytetare, sot mund të dëgjosh këngë e muzikë nga të gjitha vendet e botës, ngase më nuk i jepet rëndësi ruajtjes së vlerave tradicionale kombëtare dhe këngëtarët e muzikantët e sotshëm as që e dinë se çfarë janë duke kënduar, as luajtur në instrumentet muzikore. Muzikën e sotme dasmore e ka vërshuar shundi, kiçi, antivlerat, këngët e përkthyera dhe të adaptuara nga vendet e ndryshme, e mbi të gjitha, atë e ka kapluar stili i muzikës tradicionale rome, i quajtur ‘Tallava’”, ka thënë Genci.

Në estradën tonë muzikore kemi edhe shumë këngëtarë të tjerë që nuk performojnë me këngët e tyre në dasma. Në mesin e tyre përfshihen edhe këngëtarët si Yllka Kuqi, Rona Nishliu, Teuta Kurti, e shumë të tjerë. /telegrafi/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here