Këngëtarët të cilët duan t’ia mësyjnë garës që u siguron biletën për festivalin evropian të këngës “Eurosong” kanë kohë për të finalizuar krijimet e tyre muzikore deri në muajin tetor.

Radiotelevizioni Shqiptar ka hapur dyert për këngëtarët që duan të ngjiten në skenën e edicionit jubilar të 50-të të festivalit tradicional të këngës.

Festivali tradicionalisht mbahet në dhjetor. Derisa organizatorët premtojnë se spektakli i cili shënon dekadën e pestë të këtij evenimenti muzikor do të jetë më i veçantë, disa nga këngëtarët kosovarë janë të prerë për të mos marrë pjesë në këtë festival. Vitin e kaluar katër këngëtarë e grupe nga Kosova kishin hequr dorë nga pjesëmarrja. Linda Halimi, Shpat Deda, rock grupi “Humus” dhe “NRG Band” kishin braktisur pjesëmarrjen në këtë festival për arsye të ndryshme, ndër të cilat edhe “gara në një festival që dihen fituesit është e panatyrshme”, shkruan “Koha Ditore”.

Edmond Zhulali, drejtor artistik i Festivalit të Këngës së Radiotelevizionit Shqiptar, ka thënë se beson në disponimin e mirë të artistëve për t’u bërë pjesë e garës më të madhe të këngës shqipe.

“Shpresojmë që të ketë pjesëmarrje më të gjerë, meqë është edicioni jubilar dhe me sa kemi dëgjuar ka interesim të madh edhe prej artistëve të vjetër edhe prej atyre të rinj”, ka thënë Zhulali.

Zhulali nuk ka komentuar nëse ia ka frikën bojkotimit të këngëtarëve nga Kosova, por ka thënë se festivali i RTSH-së i ka dyert të hapura.

“Mund të them me plot siguri se këngëtarët nga Kosova e kanë pasur derën të hapur dhe do ta kenë gjithmonë. Edhe nëse ndodh ky fenomen, festivali do të mbahet gjithmonë, pavarësisht individëve. Festivali ec dhe Shqipëria do të përfaqësohet në ‘Eurovision”, ka thënë Zhulali. “Duhet pasur parasysh se festivali nuk është privat”, ka shtuar ai.

“Incidentin” e vitit të kaluar Zhulali e ka komentuar në një mënyrë. “Ka qenë gabimi i tyre. Ndonjë paragjykim ose organizim i dikujt që ka dashur t’i ulë vlerat e festivalit”, ka thënë ai. Duke pasur parasysh peshën e festivalit, ai beson në interesin e këngëtarëve për t’i thënë “po” këtij konkursi.

“Fituesi i festivalit do ta përfaqësojë Shqipërinë në festivalin evropian dhe kjo është një ndër mundësitë më të mira që të vlerësohen këngëtarët”, ka thënë Zhulali.

Këngëtarët nga Kosova ende nuk e dinë nëse do t’i përgjigjen ftesës së festivalit të madh shqiptar.

“Nuk kemi ndonjë plan dhe nuk jemi të përgatitur. Nëse mundemi me mbërri të realizojmë diçka, ndoshta marrim pjesë”, ka thënë Meti Çaka, anëtar i “NRG Band” që vitin e kaluar ishte tërhequr nga gara në momentet e fundit.

Këngëtarja Flaka Krelani, e cila tri herë ka përjetuar “ethet” e kësaj gare, sivjet nuk e ka ndërmend të bëhet pjesë e festivalit të RTSH-së.

“Kam vendosur që sivjet edhe vitin e ardhshëm të mos shkoj askund nëpër festivale. Është strategjia ime, sepse kam plane të tjera për sivjet”, ka thënë Krelani. Në edicionin e 48-të ajo zuri vendin e dytë. Juliana Pasha me “Nuk mundem pa ty” ia rrëmbeu pozitën numër një.

Mirëpo, ajo ka pranuar se 50 për qind të vendimit të saj sa i përket festivalit të RTSH-së i kanë kontribuar edhe eksperiencat e kolegëve të saj. “Secili kur merr pjesë në një garë shkon me mendimin se nuk e di kush fiton. Por të marrësh pjesë në një garë ku dy muaj më herët e di fituesin është e palogjikshme. I kuptoj kolegët e mi që janë tërhequr në momentin e fundit dhe 50 për qind edhe kjo ka ndikuar në vendimin tim”, ka thënë ajo. Vitin e kaluar fitorja e Aurela Gaçes bëri bujë të madhe. Fillimisht Linda Halimi e më pas Alban Skënderaj e Miriam Cani deklaruan se fitorja qe e kurdisur.

Këngëtarja Teuta Kurti, e cila po ashtu ka qenë pjesëmarrëse në edicionet e kaluara të këtij festivali, ka thënë se ende nuk ka vendosur nëse do të jetë pjesë e garës.

“Kam marrë ftesë për sivjet por ende nuk kam vendosur”, ka thënë Kurti, derisa ka shtuar se në rast se vendos të marrë pjesë nuk do të bojkotonte festivalin.

“Kam qenë dy a tri herë pjesëmarrëse dhe e kam ditur se kush fiton por nuk jam tërhequr. Ata që mendojnë se dihet fituesi duhet ose të mos marrin pjesë ose të pajtohen me këtë”, ka thënë Kurti.

Festa për jubileun

Drejtori artistik i Festivalit të RTSH-së, Edmond Zhulali, ka thënë se veçantia e edicionit të sivjetmë e këtij evenimenti qëndron tek edicioni jubilar. Për këtë festivali do të ketë më shumë ngjyra.

“Ende nuk kemi vendosur përfundimisht, por krahas garës do të zërë vend të madh edhe festa për t’ia kthyer publikut këto vlera të vjetra me vite dhe për t’i kujtuar krijimet e bukura që me vite i kanë rezistuar kohës”, ka thënë ai.

Sipas tij, shumë artistë të mëdhenj kanë dalë nga ky festival dhe është e rëndësishme mënyra si do ta shënojnë 50-vjetorin.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here