Një realitet të cilin Ardit Gjebrea ka dashur ta tregojë gjatë javës së kaluar në promovimin e këngëve të festivalit “Kënga Magjike” te programi “E diela shqiptare”, por që gazeta “Panorama” e ka pasqyruar muaj më parë.

Ai ka qenë një shkrim për të cilin ka pasur mjaft reagime.

Këngëtarë, producentë e kompozitorë reaguan duke pretenduar se ajo që kishim shkruar ishte totalisht e gabuar dhe se përmendja e emrave në atë shkrim u krijonte shumë dëm në imazh kompanive dhe emrave të njohur të cilët krijonin këngë e klipe.

Kanë kaluar shumë muaj dhe Ardit Gjebrea tashmë ka marrë iniciativën për të përshkruar në detaje mënyrën se si këngëtarët tanë bëhen të famshëm përmes klikimeve false të cilat i blejnë nga kompani të ndryshme që bashkëpunojnë me kanalin e videove youtube. Sa hap e mbyll sytë brenda një nate lindnin yje të muzikës me shumë klikime, saqë të mbushet mendja se vërtet arrihet një gjë e tillë.

Për klikimet false, lexuesit e gazetës “Panorama” kanë pasur mundësi të njihen edhe më herët, por këtë radhë do mundohemi të pasqyrojmë një tjetër realitet. Atë të fansave falsë në facebook! Po ku arrihet të kuptohet se shumë artistë shqiptarë kanë fansa falsë në facebook? Nuk është vetëm tek shqiptarët, por edhe tek të huajt.

Në momentin që drejtuesit e facebook kishin vendosur të fshinin shumë profile dhe like të cilat nuk përdoreshin nga përdoruesit, ne kemi ndjekur me vëmendje se si te këngëtaret e njohura Beyonce, Lady Gaga dhe Rihanna, binte dhe numri i fansave. E njëjta gjë po ndodh edhe me këngëtaret tona, por menaxhimi i facebook-ut ende nuk ka filluar të fshijë profile dhe like me emrat shqip, gjë që do të sillte dukshëm rënien e numrit të fansave te këngëtarët shqiptarë.

Për të vërtetuar se ata nuk janë fansa realë, ne kemi marrë imazhe të cilat i kemi realizuar pikërisht nga faqet zyrtare të këngëtarëve. Genta Ismajli, e cila po mban rekord për nga numri i fansave te shqiptarët dhe i ka kaluar mbi 400 mijë në facebook, tregon se për të diskutojnë jo më shumë se 4 mijë veta, gjë që është e pamundur në gjithë atë shifër të madhe që ka grumbulluar këngëtarja e njohur.

E njëjta gjë ndodh edhe tek faqja e fansave të Adelina Ismailit. Ajo ka grumbulluar mbi 273 mijë fansa, ndërsa për të diskutojnë 7 mijë persona. Çiljeta Xhilaga me 70 mijë fansa dhe 300 diskutues, Elvana Gjata me 36 mijë fansa e 1.500 diskutues, Nora Istrefi me 17 mijë fansa e 1000 diskutues, Zanfina Ismaili me 215 mijë fansa e 3 mijë diskutues. Interesante në këtë lojë është faqja e fansave të Zajmina Vasjarit, e cila përdoret vetëm për reklama.

Përdoruesit po keqpërdorin imazhin dhe emrin e këngëtares për reklamime dhe marketing, ndërsa faqja ka arritur të mbledhë 368 mijë fansa dhe 50 mijë diskutues.

PAS AKUZAVE TË ARDITIT, FLORI MUMAJESI SULMON ADELINA ISMAILIN
Ardit Gjebrea siç duket i ka hedhur benzinë zjarrit duke diskredituar këngëtarët që blejnë klikime false. Për këtë gjë kanë reaguar disa nga kompanitë të cilat janë zotuar se mbrojnë të drejtat e autorit të artistëve në internet.

“Onair music” kanë qenë të parët të cilët kanë reaguar mbi klikimet të cilat mendonin se janë falco. Ata madje kanë filluar të japin detaje mbi një nga projektet e fundit të Ardit Gjebreas, këngës së Adelina Ismailit me titull ”Ku ma ke”, këngë kjo e cila për një kohë të shkurtër arriti të grumbullojë mbi 2 milionë klikime.

Jo se Adelina nuk mund t’i arrinte ato, pasi është një nga emrat më të njohur të skenës shqiptare, por që këto klikimet e fundit sipas tyre duket se nuk janë reale. Një reagim të ngjashëm ka bërë edhe kantautori Flori Mumajesi, i cili po shfrytëzon rastin të vjellë vrer mbi këngëtaren e njohur kosovare Adelina Ismaili, me të cilën si duket nuk janë në raporte të mira, edhe pse më herët që të dy kanë punuar shumë këngë së bashku.

/PANORAMAPLUS/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here