Duket se pas dështimit të vitit të kaluar, ku konkurroi në “Kënga magjike” me të njëjtën këngë që kishte konkurruar në një festival në Maqedoni, Gaxha këtë vit konkurrimin e mori shumë seriozisht, pasi ka menduar të vijë me një histori personale dashurie.

Fjala është pikërisht për tekstin e këngës, që thuhet se është një dedikim pasionant për Luana Vjollcën, një nga ikonat e spektakleve në “Top Channel”. Adriani, i cili ka pasur një lidhje mbi trevjeçare me Luanën, ka vendosur që edhe pas deklaratave në media për ndarjen nga ajo, t’i shprehë asaj respektin dhe dashurinë për atë çfarë kanë kaluar bashkë nëpërmjet kësaj kënge, që deri tani ka rezultuar mjaft e pëlqyer.

Miq të afërt të tyre kanë dëshmuar se këngën ai e ka shkruar posaçërisht për Luanën, kur ata ishin duke jetuar lidhjen në momentet kulminante të saj, por që Adrianit i ka pëlqyer shumë si këngë dhe ndaj ka vendosur të konkurrojë me këtë histori dashurie të jetës së tij në një festival prestigjioz, siç është “Kënga Magjike”. Madje thuhet se edhe vetë Luana është çuditur, se pse Adriani ka vendosur ta bëjë publike pikërisht tani këtë këngë, për ekzistencën e së cilës ajo ka qenë në dijeni.

Për krijimin e këngës “Ngjyra e kuqe”, Adriani është frymëzuar nga një kopertinë reviste, ku Luana pozonte e gjitha në të kuqe, përfshi edhe flokët. Ndërkohë që nga ana e saj, Luana nuk ka preferuar të flasë për lidhjen me Gaxhën, nëse mes tyre ekziston miqësia edhe pasi ai është shprehur se janë ndarë.

Pas deklarimit të këngëtarit se ata s’janë më bashkë, Adriani dhe Luana u fotografuan në një mbrëmje në Gostivar, në një tavolinë ku ishin me ta edhe Big Mama e një femër e panjohur. Ky fakt u komentua në media si historia e dashurisë në një provë të dytë, e cila përfundoi para disa muajve, por që kishte filluar të ringjallej. Gjithsesi, ndër komentet që u bënë, ishte dhe varianti se mes tyre gjithçka ka mbaruar, dhe se ata shoqërohen veç si miq./indeksonline/.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here