Kjo e diel do të jetë e fundit për prezantimin e krijimeve të këtij edicioni të “Kënga Magjike 2012”, që do të ketë natën finale të ndarjes së çmimeve të shtunën (10 nëntor) në një natë show në Pallatit e Koncerteve në Tiranë. Tashmë showman-i i njohur, Ardit Gjebrea së bashku me dy partneret e tij, Olta Gixhari dhe Armina Mevlani, kanë nisur përgatitjet për një prezantim sa më spektakolar në tri net festival që do transmetohet në “Tv Klan”. Ndërkohë që artistët konkurrentë janë përfshirë tashmë nga ethet e garës, pasi do u duhet ta zgjedhin fituesin nëpërmjet votave të tyre. Janë shpallur listat e këngëtarëve që do të këndojnë në natën e parë gjysmëfinale të festivalit (të enjten, më 8 nëntor), dhe në natën e dytë më (9 nëntor), një prezantim në skenë i këngëve, prej të cilave do të votohen finalistët. Po ashtu në këto lista zyrtare figurojnë dhe emrat e Aleksandër Gjokës e Renis Gjokës, Ermal Mamaqit dhe Vedat Ademit, të cilët pritet të prezantojnë këngët e tyre nesër në programin “E Diela Shqiptare”. Meqenëse këto këngë të së dielës së fundit nuk do të kenë kohën e domosdoshme të votohen e të promovohen, ato kalojnë direkt në gjysmëfinale. Ndërkohë që këngëtarët e tjerë pjesëmarrës kanë pasur kohën e mjaftueshme të dëgjohen, apo klikohen në youtube duke krijuar në një farë mënyre dhe pozicionin e tyre në këtë garë. Deri tani favoriti kryesor për të fituar këtë edicion të “Kënga Magjike” mendohet të jetë këngëtari Alban Skënderaj me baladën “Refuzoj”, ndërsa për çmimin e internetit dihet tashmë që kryeson Adrian Gaxha ft Florian me këngën “Ngjyra e kuqe”, një dedikim për të dashurën e tij, Luana Vjollca.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here