Qeveria e Maqedonisë do të ndajë katër milionë euro për të mbështetur realizimin e dy filmave maqedonas nga regjisorët Stolle Popov dhe Darko Mitrevski, ndërkohë që vazhdon mungesa e mjeteve buxhetore për projektet kulturore të shqiptarëve.

Lajmin për financimin e dy filmave maqedonas e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançevska – Milevska, e cila projektet në fjalë i ka konsideruar si shumë të rëndësishme për Maqedoninë.

“Krahas mjeteve nga Fondi i Filmit, edhe Qeveria do t’i mbështesë financiarisht filmat e Popovit dhe Mitrevskit. Konsiderojmë se këto janë dy projekte të rëndësisë së madhe për Maqedoninë”, është shprehur ministrja gjatë takimit me dy regjisorët maqedonas, ku ka marrë pjesë edhe kryeministri Gruevski, transmeton portali Zhurnal.

Ndërkaq, përgjatë dy viteve të fundit, Qeveria e Maqedonisë ka ndarë mjete simbolike për projektet kulturore të shqiptarëve. Madje, me rebalancin e fundit, arka e institucioneve kulturore të udhëhequra nga shqiptarët është shkurtuar, ndërsa një gjë e tillë pritet të ndodhë edhe me Buxhetin e vitit 2011.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here