Një vit ndryshimesh për Kamelën. Një baladë dashurie dhe një pamje tërësisht klasike.

Këngëtarja korçare flet për vitin që lamë pas, pjesëmarrjen në Festivalin e RTSH-së, jetën në Tiranë dhe mallin për vendin e lindjes.

Pakkush mund t’u besonte syve, në momentin që ajo u ngjit në skenë. Vajza e stilit punk, me xhinse të grisura në kupën e gjurit, me pirsing të mbërthyer në hundë, buzë apo vetull, i kishte lënë vendin një tjetër imazh të lakuar dhe tepër klasik.

Fustani i gjatë, i derdhur pas trupit, takat e larta dhe frizura e flokëve e kishin transformuar këngëtaren e njohur për ritmet rrok në një zonjushë të kuruar në detaje. Por ama diçka mbeti nga Kamela e “njohur”. Në natën finale ajo shkeli në skenë zbathur… Tanimë që eksperienca e Kamela Islamajt në skenën e Festivalit të RTSH-së ka përfunduar, nuk e ka vështirë të flasë për zhanrin e ri muzikor që përqafoi në ndryshim nga viti i kaluar, për këngën fituese të Rona Nishliut, “detyrën e shtëpisë” që doemos duhet ta përmbushte gjatë performancës në natën finale të festivalit, pa harruar projektet për një videoklip të parë dhe album muzikor.

Para pak ditësh përfundoi edicioni 50-të i Festivalit të Këngës në RTSH, ç’shije të la?
Shije e ëmbël! Ndonëse është afërmendsh që secili nga artistët që merr pjesë në të tilla kompeticione, thellë-thellë pretendon për ndonjë çmim. Një këngëtar ndihet më shumë i vlerësuar kur merr një trofe, ndaj edhe unë nuk mund të mjaftohem vetëm me komplimentet që mora apo urimet e rastit. Meqenëse nuk u vlerësova me një çmim, them se më ka mbetur shija e të kënaqurit nga vetja, jam kënaqur në skenë, sepse kam pasur të gjitha kushtet për t’u ndier rehat. Gjithnjë ka kontestime nëpër festivale, kështu që gjithmonë do të ketë të pakënaqur.
Je një prej këtyre të fundit?
Besoj se dhashë maksimumin tim në aspektin profesional, qoftë në kualitetin vokal apo performancën skenike. Megjithatë, të tjerë janë ata që bëjnë vlerësimet, kësisoj po shijoj ende kënaqësinë që mora nga përvoja në skenën e RTSH-së.
Të pëlqeu kënga fituese e Rona Nishliut?
Kënga ishte shumë personale, si vetë titulli, “Suus”. Interpretimi i Ronës ka qenë shumë rrëqethës. Mendoj se këtë herë Shqipëria do të përfaqësohet në mënyrën më të veçantë, qoftë nga stili i këngës apo cilësia e vokalit të vetë artistes protagoniste.
Si e shihni në skenën e Europianit?
Konkurrimi nuk ka mëdyshje që do të jetë i vështirë. Diferencën nuk e bëjnë vetëm zhanret muzikore, por edhe faktorë të tjerë mbështetës në skenën e Festivalit Europian, siç janë fushatat reklamuese, menaxhimi i imazhit të këngës e këngëtares shqiptare etj. Nëse u referohem eksperiencave të kaluara me këngëtarët që na kanë përfaqësuar, besoj se ata pjesën artistike e kanë mbuluar më së miri. Shpresoj që këtë herë të godasim në shenjë me hitin e Ronës.
Kishte rikthime emrash, por edhe shumë pjesëmarrës të rinj këtë vit…
Kam përshtypjen që një faktor tërheqës për festivalin këtë vit ka qenë edhe të qenët “live”. Po aq sa kishte këngëtarë të rinj, po aq këngëtarë dhe kompozitorë të vjetër të skenës shqiptare i ishin rikthyer asaj, kështu që unë mendoj se më në fund festivali nuk mbeti në të njëjtat nivele, me të njëjtët emra, duke u bërë kësisoj edhe më popullor. Pjesëmarrja e artistëve të rinj është frymë e re dhe pozitive për festivalin, por edhe një shans shumë i mirë për vetë këngëtarët.
Kënga jote titullohej “Mbi yje”… Nga ritmet rrok alternativ të vitit të kaluar, u prezantuat me një baladë dashurie. Pse ky kapërcim?
Kënga më ngjiti që në fillim dhe mund të them që është një ndër këngët e mia të preferuara. Gjej rastin të falënderoj Albanin për këtë material të veçantë dhe të thjeshtë në të njëjtën kohë, si dhe Iris Sojlin, tekstshkruesen e hitit. Ndryshimi i stilit erdhi si nevojë imja profesionale për të eksperimentuar në ritme të tjera, ndryshe nga ato rrok me të cilat identifikohem. U përshtata në nota, stil, por edhe performancë ndryshe… Një ndryshim tjetër thelbësor imi që u komentua gjatë, ishte edhe look-u im…
Pikërisht Kamela në versionin klasik… U ndjeve komode apo ishte “detyrë shtëpie” e festivalit që duhet ta përmbushje?
Si fillim isha shumë e shqetësuar, nuk e ndieja veten rehat dhe e kisha si një “detyrë shtëpie” që duhet ta bëja doemos. Por, pasi u pashë disa herë “më pëlqeu vetja” dhe u familjarizova shumë shpejt me “Kamelën klasike” dhe kjo ndodhi sepse e dija që, sapo të mbaronte festivali, do të rendja pas atleteve të mia shumë shpejt.
Një detaj që ra në sy gjatë performancës sate, ishte fakti që kënduat zbathur në skenë. Për çfarë arsye?
Meqenëse kënga kishte si subjekt yjet, hapësirën… për çfarë më nevojiteshin këpucët apo takat e larta? Teksa këndoja, imagjinoja veten mbi yje, ndaj këpucët dilnin jashtë kontekstit. Ideja ishte që të dilja sa më origjinale edhe në pamjen time, përveç këngës apo performancës live.
Deri më tani nuk kemi parë ndonjë videoklip apo album muzikor të mirëfilltë tëndin. A ka trokitur momenti për një hap të tillë në karrierën tënde?
Besoj se jam e pjekur artistikisht për të krijuar një album, ku këngët mbajnë firmën time. U bënë shumë vite që këndoj, e ndonëse jam vetëm 25 vjeçe, eksperienca bën të sajën. Në momentin që do të lançoj albumin apo klipin tim të parë, dua të kem hite jo për numër, por këngë që të rezistojnë gjatë. Ky është një ndër planet e mia, për të cilën nuk mund të jap një afat kohor. Mund të them vetëm që klipi im do të dalë së shpejti në tregun muzikor shqiptar.
Jeta jote përtej muzikës, miqësitë, familja…
Duke qenë se nuk kam shumë kohë për të pasur një ditë të zakonshme, po përfitoj nga ditët e pushimit për të marrë pak veten nga lodhja e vitit. Po ngopem me gjumë e po çlodhem disi më tepër. Përgjithësisht jam në punë prej mesditës e deri në darkë, më pas takohem me miqtë, sigurisht në qoftë se nuk jam në ndonjë performancë live nëpër Tiranë. Të kënduarit live është një tjetër angazhim imi, të cilin e kam me shumë dëshirë.
A të merr malli për Korçën, vendlindjen tënde?
Sigurisht që më merr. Kam prindërit atje. Por, që kur u vendosa në Tiranë, krijova jetën time këtu, kam një punë që më pëlqen dhe e bëj me shumë kënaqësi, preferoj që në vendlindjen time të kthehem herë pas here si vizitore, por për të jetuar sërish atje, as që e mendoj…

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here