kieda1Flasin këngëtaret e reja Persa Beqiri, Festina Mejzini, Sabina Dana, Enca Haxhia, Kieda Budini, Evi Reçi. “Të vjetrit të mos i kërkojnë çmimet me zor”.

Ka pak kohë që janë në skenën muzikore, por cilat janë baticat dhe zbaticat që kanë përjetuar ato deri më tani, çfarë u ka pëlqyer dhe cili ka qenë motivi kryesor që i janë futur rrugës së muzikës? Çfarë mendojnë për konkurrencën dhe çfarë porosie kanë për këngëtarët me karrierë, a ka ardhur koha që t’iu japin hapësirë talentëve të rinj? A është aparenca një plus për tërheqjen e publikut? Ne kemi kontaktuar me disa nga emrat e rinj të skenës shqiptare që po bëjnë karrierë këto dy vitet e fundit, dhe ja çfarë mësuam prej tyre.

Festina Mejzini
”U bë një vit e gjysmë që jam aktive në skenën shqiptare, pasi unë në qytetin tim të lindjes kam marrë pjesë në programet shkollore edhe para X Factor, ndërsa për baticat dhe zbaticat do flisja më mirë për përfitimet sesa humbjet nga muzika. Në rastin tim, X Factor më ka bërë të njohur  gjithandej ku ka shqiptarë për një kohë shumë të shkurtër, kurse në anën tjetër sakrificat apo humbjet janë se jam larg familjes, shoqërisë dhe studimeve. Motivi buron nga muzika e cila është kultivuar nga familja ime, kurse konkurrenca nuk më frikëson, përkundrazi më shtyn që të angazhohem dhe përgatitem akoma më mirë. Në radhë të parë këngëtarët e vjetër janë ata të cilët përcjellin traditën te të rinjtë, ndërsa në gjithë botën e kulturuar këngëtarët e vjetër e kanë vendin në skenën muzikore, kështu që muzika nuk njeh moshë. Për mua më mirë është që këngëtarët të cilët tentojnë që përmes playback-ut dhe formave të tjera të depërtojnë në skenë, t’u lirojnë rrugën talentëve të vërtetë që janë të gatshëm të performojnë live. Porosia ime për këngëtarët me karrierë do të ishte që të vazhdojnë të këndojnë derisa kanë mundësi vokale. Vokali është në radhë të parë, pasi tregu në viset shqiptare është i stërngopur me këngëtarë të cilët më shumë aktrojnë sesa këndojnë”, kështu tregon për eksperiencën e saj si këngëtare Festina Mejzini, pjesëmarrësja e edicionit të parë të X Factor.

Persa Beqiri
Ndërkohë, këngëtarja tjetër e re e cila jeton në Greqi, Persa Beqiri, tregon arsyet pse është futur në muzikë. ”Janë bërë afërsisht 3-4 vite që jam në skenën muzikore, por në vitin e fundit nuk kam qenë aq aktive, për shkak se shkolla dhe jeta ime këtu në Greqi nuk më lejon t’i përkushtohem muzikës. Ende nuk mund të them se kam jetuar gjëra të këqija në muzikë e as shumë të mira, pasi jam diku në mes. Gjithmonë e kam dashur muzikën. Nuk ka gjë që mos të më pëlqejë në muzikë e as nuk jam trembur kurrë nga bota muzikore, pasi aty marr frymë. Edhe konkurrenca në përgjithësi nuk më ka frikësuar kurrë, se çdo njeri në këtë botë është i ndryshueshëm dhe nuk kam si të xhelozohem ose të frikësohem për diçka. Jam e lumtur për këtë që jam dhe që më ka dhuruar Zoti. Nuk më pëlqen dhe shumë ideja që këngëtarët e vjetër të largohen nga skena për t’u lënë vend të rinjve se ata këngëtarë janë pjesë e historisë së vendit dhe unë, po të isha në vend të tyre, nuk do më pëlqente shumë kjo ide. Të gjithë kanë një vend në skenën muzikore. Personalisht më shumë më pëlqen talenti sesa pamja, por e vërteta e hidhur është se 90% e njerëzve tërhiqen nga pamja e jo nga zëri, por nuk u vë faj se të gjithë  na shtyjnë në një aparencë perfekte se ajo shitet më shumë sot”, thotë Persa.

Sabina Dana
”U bënë rreth dy vite që jam pjesë aktive e skenës muzikore dhe deri më tani kam nxjerrë 8 klipe, mund të them se nga zbaticat kam arritur te baticat. Më pëlqente aq shumë të bëhesha këngëtare, sa nuk i mora fare parasysh ato që s’më pëlqenin. Motivi im ka qenë babai i cili në moshë të re është marrë me muzikë. Secili këngëtar ka vendin e tij në tregun muzikor. Ndërsa këngëtarët e vjetër atë çfarë kishin për të dhënë e kanë dhënë me kohë dhe ka plot talente të reja që nuk janë afirmuar ende. Për sa i përket pamjes, në ditët e sotme sado talent të kesh, po nuk ishe e kompletuar nga ana e aparencës, njerëzit nuk të kushtojnë shumë rëndësi”, tregon Sabina, e cila është shumë aktive në skenë.

Keida Budini
Një tjetër emër i ri dhe premtues është dhe Kieda Budini, e cila jep një këshillë që këngëtarët me karrierë të mos i marrin vendet e para me ngulm, por t’i meritojnë. ”U bënë dy vite që kam dalë në ekran, kam përjetuar emocione të ndryshme, por kjo është një rrugë e gjatë që ende nuk e kam nisur siç duhet. Muzikën e kam pasur pasion që e vogël, ajo është futur tek unë e jo unë tek ajo. Konkurrenca të bën të punosh më shumë, pasi është motiv për të ecur përpara. Kisha një këshillë për këngëtarët më të vjetër që të mos marrin çmime nëpër festivale me ngulm, vetëm se kanë vite në skenë, por t’i meritojnë. Aparenca është një faktor shumë i rëndësishëm por, nëse s’je i/e bukur, mjafton vetëm talenti dhe shpirti artistik”, thotë Budini.

Evis Reçi
”Me muzikë merrem që në moshë të vogël, por në mënyrë profesioniste po bëj 6 vite. Vështirësi ka pasur që në fillim shumë, pasi dihet se në botën e artit të jesh artist i ri kërkon shumë sakrifica për të treguar veten dhe për t’u vlerësuar. Një nga faktorët që më bëri të jem aktive, ishte se jam bijë e një muzikanti që më ka edukuar me muzikë klasike. I hyra muzikës se besova tek ajo dhe vetja ime. Kisha shumë dëshirë të këndoja dhe të bëja art. Konkurrenca për mendimin tim nuk bën asgjë të keqe. Është ajo që zhvillon çdo sektor dhe jo vetëm muzikën. Vë në lëvizje mendjen dhe aftësitë e njeriut për të treguar veten. Por kur ajo kalon në anën negative, nuk sjell zhvillim, por konflikte. Nuk besoj se duhet eliminuar dikush nga jeta artistike. Ne të rinjtë nga të vjetrit mësojmë shumë gjëra. Shumë herë shohim dhe nga eksperiencat e të tjerëve nëpër botë që pas ca kohësh kur ato nuk këndojnë më, marrin përsipër talent të ri, i përgatisin, bëhen me pak fjalë tutorë të këngëtarëve të rinj. Kjo gjë duhet të merret në konsideratë dhe në Shqipëri. Talenti dhe aparenca shkojnë bashkë. Aparenca tregon sa vetëbesim dhe siguri ke për personin tënd, sidomos kur je në skenë. Fundja estetika ndikon shumë në syrin e njeriut, është gjëja e parë që dikush vëren, por talenti është ai që vë vulën e një artisti të kompletuar”, kështu e përfundon bisedën këngëtarja e re, Evi Reçi.

Enca Haxhia
”Janë bërë 9 vite që kur preka skenën për herë të parë dhe vendosa të mos ndahesha prej saj, por kam vetëm një vit si këngëtare për tregun muzikor ku jam prezantuar me këngët e mia origjinale. Kam punuar dhe punoj shumë, kam kaluar disa eksperienca të vlefshme, kam pasur disa pengesa të vogla, por fatmirësisht po shkon siç e kam planifikuar. Ajo që më ka sjellë deri këtu është pasioni pa fund që kam për muzikën, dëshira për të ndarë ndjesitë e mia me të tjerët, kënaqësia që marr nga kjo gjë, më pëlqen lodhja, puna e gjatë, ditët pa gjumë, streset dhe sidomos ai momenti ku pas gjithë këtyre ke bërë ndonjë gjë të bukur. Konkurenca më ka motivuar edhe më shumë. Mendoj se ka ardhur koha që kompeticionet muzikore në përgjithësi të fokusohen më shumë te të rinjtë. Ka shumë talentë të reja, të cilat kanë nevojë për pak hapësirë dhe mbështetje. Artistët e vjetër janë pa dyshim të shtrenjtë, por s’duhet të bëhen pengesë për rrugën e të rinjve. Ka shumë faktorë që të bëjnë artist të kompletuar. Aparenca nuk është kryesorja, por nuk duhet të mungojë asnjëherë”, këtë mendim ndan me lexuesit tonë këngëtarja simpatike, Enca Haxhia.

BLERAND REXHEPI

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here