Ka realizuar gati gjithçka që është ëndërr për një këngëtar shqiptar; fituese festivalesh, ka prezantuar vendin në Eurosong, këndon ‘live’ në një ambient të mbushur përplot me fansa, por ka një peng: një album të përmasave botërore, si artistët e mirënjohur ndërkombëtarë.

“Ne kemi albume pafund këtu në Shqipëri, por albume të mirëfillta mungojnë. Ndaj, një kontratë me një shtëpi diskografike të huaj do të ishte perfekte dhe do të shënonte majën e një artisti.

Kjo është ndoshta ajo që më mungon dhe që askush nga ne artistët shqiptarë nuk e ka prekur ende atë stad që duhet të gëzojë një artist i vërtetë ndërkombëtar”, – thotë në intervistën për “standardin” këngëtarja e talentuar Juliana Pasha, e cila së bashku me Luiz Ejllin janë ende fituesit në fuqi të “Këngës Magjike”.

Shumë e thjeshtë në komunikim, me reflektimin që vetëm puna e ka sjellë aty ku është sot, Juli, siç e thërrasin thuajse të gjithë, pranon të flasë për “vitet e arta” në muzikë, mbështetjen e bashkëshortit, dashurinë për kuzhinën e gatimin, si dhe besimin e patundur në Zot.

Juli, sezoni i vjeshtës ka pak kohë që ka nisur, për ty me shumë impenjime  apo jo?

Po, tanimë jam duke punuar intensivisht, pasi nis sezoni dimëror. Siç e dini, veç aktivitetit tim te “Birra Stela”, jam duke u marrë edhe me disa spektakle të ndryshme që po zhvillohen në televizione të ndryshme. Jam pjesë e tyre dhe po punoj fort mbi këto projekte. Gjithashtu, po mundohem të nxjerr një këngë të re, por le të themi “me kismet”. Kam thënë që gjatë verës që do nxirrja një këngë të re dhe në fakt e kisha gati një të tillë, por nuk e nxora, sepse kam  qenë jo vetëm shumë e impenjuar, por edhe sepse kjo verë solli shumë këngë dhe të them të drejtën, jo vetëm që nuk prunë asnjë risi, por mund të them se ishin kopje të njëra-tjetrës. Ishin kopje të hiteve botërore që përsëriteshin këtu në Shqipëri, pa asgjë të veçantë, ndaj duke pasur frikë se mos edhe unë bëhesha pjesë e kësaj rruge, e lashë fare këtë gjë.

Gjithmonë këngëtarët e mirë janë ankuar që këngëtarët komercialë i merrnin punën, ndërsa ju këtë verë keni qenë deri në fyt me angazhime. Si kemi ardhur deri në këtë pikë?

Më ka bërë përshtypje që këto dy vitet e fundit muzika ‘live’ ka ecur goxha. Ndoshta kaloi koha e minifundeve, publiku është ndërgjegjësuar, ka kuptuar që ka këngëtarë që dinë të këndojnë e të përcjellin emocione. Sigurisht që secili do publikun e tij, pasi dikush shkon e dëgjon muzikë ‘live’, një tjetër shkon e dëgjon muzikë me CD-i. Dua ta theksoj edhe njëherë se këtë vit muzika ‘live’ u përhap kudo në Shqipëri, në qytete e bregdet, jo vetëm në Tiranë, pasi dihet që kryeqyteti gëlon nga grupet që bëjnë muzikë ‘live’.

Por ironikisht edhe tallavaja u bë hit këtë vit, të gjithë u dyndën të këndojnë këtë gjini muzikore. Ti vetë a do josheshe nga kjo rrymë?

Dua të sqaroj diçka në fakt. Nuk ka lidhje titulli i këngës me ritmet, pasi ritmet e këngëve që kemi dëgjuar këtë sezon kanë qenë ritme verore. Ndërkohë, sa i takon publikut, sikurse e thashë edhe më sipër, ai është i ndarë; ka që preferojnë komercialen apo muzikën e lehtë etj. E rëndësishme është që njerëzit të ndjehen mirë, ndërsa mundësitë nuk mungojnë, që nga diskot me DJ, muzikës ‘live’ apo edhe interpretimet me CD.

Kemi para Festivalin e Këngës në RTSH? Të intrigon pjesëmarrja?

Në përgjithësi u kam thënë ftesave “jo”, edhe për faktin që do të jem pjesëmarrëse në spektakle të ndryshme që po realizohen, si dhe që do dhuroj kupën e “Këngës Magjike”, duke qenë njëherazi përshëndetëse në finale. Në fakt, më është bërë një ofertë për në festivalin e RTSH-së, por nuk mund të them nëse do të jem pjesëmarrëse apo jo. Them se me shumë mundësi nuk do të marr pjesë. Ndoshta do të jem një ndër artistët pjesëmarrës të Eurosong-ut që do të ngjiten në skenë për të performuar, duke qenë se sivjet shënohet 50-vjetori i Festivalit të Këngës në RTSH.

Ke frikë se do të marrësh të tjera çmime duke i lënë të tjerët pa gjë, apo do të shijosh ende fitoren e vitit të shkuar te “Kënga Magjike”?

(Qesh), Jo, as nuk kam dashur të shijoj fitoren e as nuk kam frikën e këtyre gjërave të tjera…

Të ka thënë ndonjëherë ndonjë këngëtar “çfarë po na bën, se na le thatë”?

(Hahaha). Jo, jo, çdo këngëtar ka vendin dhe momentin e vet, për këtë unë jam e bindur. Mendoj se çdo artist duhet ta presë këtë moment ose ta kërkojë atë.

Ne shohim vetëm dritat e skenës, por në prapakuintë ku artistët nuk u ekspozohen kamerave, shpesh ndjehen vetëm. Ku e gjen Juliana atë çlodhje dhe siguri, pasi dritat e skenës mbyllen?

E kam theksuar që janë dy gjëra shumë të rëndësishme që e kanë bërë të bukur këtë pjesën e pas skenës: familja ime, bashkëshorti, si edhe Zoti.

Është Zoti një “gur themeli” për një jetë të suksesshme?

Po sigurisht. Shumë njerëz thonë “besoj në Zot” e shumë të tjerë nuk duan t’ia dinë për të, por vjen një moment kur gjithsecili prej nesh do ngrejë sytë lart në një moment të jetës, për të kërkuar krijuesin. Zoti ekziston edhe në thellësinë e shpirtit të atij personi që thotë “nuk besoj në Zot”. Është fryma e tij që mbizotëron te njeriu dhe një ditë njeriu do ta shpallë nevojën që ka për të, kjo është e sigurt. Unë e kam gjetur, e kam ndjerë dorën e tij, praninë e tij, ndaj e di shumë mirë që e gjithë rruga që kam kryer në jetën time, ka një arsye, sepse Zoti e ka vendosur këtë. I jam falënderuese së pari për bekimin e madh të vokalit, por sidomos që më ka dhënë suksesin në këtë moment e jo më parë, sepse ndoshta edhe unë do të kisha humbur si shumë të tjerë.

Nëse Zoti nuk do të të kishte dhënë talentin, me çfarë mendon se do ishe marrë në jetë?

Nuk e  di, nuk e kam menduar. Dikur, kur isha e vogël, duke qenë se babai im është mjek, thoja edhe unë që do bëhesha mjeke. Por, ky profesion nuk ka qenë dëshira e zemrës sime, dëshirë e zemrës sime ka qenë muzika dhe i jam shumë falënderuese Zotit që kjo ëndërr më është realizuar.

Je një amvisë shumë e mirë, që vazhdimisht realizon receta të mrekullueshme në kuzhinë. Ku e gjen kohën për t’u marrë me këtë art?

E dua shumë familjen dhe e dua shumë, shumë bashkëshortin tim. Nëse nuk do t’ia bëja ato recetat e mira atij, ç’kuptim do të kishte?! Uroj të mos e kem lënë pas dore këto kohë (qesh). Normalisht, edhe punët bëhen duke lënë pas dore shumë gjëra, por unë e kam me dëshirë dhe përkujdesem që të sjell gjëra të reja jo vetëm në gatim, por edhe në mbajtjen e shtëpisë etj. Madje mundohem që ta mbaj vetë shtëpinë, me pastrim e me të tëra shërbimet, pa marrë dikë që të më ndihmojë. Shumë gjëra nuk ia dal t’i realizoj, kjo është normale, por familjen e kam pikë të dobët.

Fatkeqësisht, edhe në muzikë ekzistojnë klane, kjo është e qartë. Nuk keni bërë kompromise? Të kemi parë vetëm në krah të bashkëshortit tënd…

Është e vështirë, sigurisht. Për mua ka qenë fat që kam pasur Altinin në krah, pasi nuk është e lehtë të ndërmarrësh vendime, t’u thuash “po” ose “jo” ofertave, pasi mund të jenë shumë joshëse financiarisht, por jo për imazhin e këngëtarit. Mendimi profesionist i Altinit, si dhe prania e tij si bashkëshort pranë meje, më ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë. Natyrisht, kam nevojë edhe unë për mendime, jo vetëm të atij, por edhe të miqve etj. Zakonisht unë konsultohem përpara se të marr një vendim, mendohem gjatë e mirë.

Të performosh ‘live’ nuk është e lehtë, pasi është shumë lodhëse. Ke thënë ndonjëherë kur ke shkuar në shtëpi, “mjaft”, nuk merrem më me këtë gjë?

Edhe e kam thënë. E kam thënë sepse ndoshta lodhja bën të vetën, u bënë 10 vjet që unë këndoj ‘live’, këndoj ‘live’ që në moshën 21-vjeçare, por fatmirësisht Zoti më ka dhënë forcë.

Megjithatë, nuk do kemi ndonjë shkëputje nga muzika, të paktën së shpejti, apo jo?

Jo, jo, nuk besoj, por ndonjëherë lodhem dhe i them vetes: duhet të bëj pushim apo të përzgjedh më pak gjëra.

Ke arritur shumë suksese, pika kulminante në jetën e një artisti. Cila është ajo gjë që të sfidon akoma?

E kam thënë gjithmonë: një album i mirëfilltë, i një artisti të vërtetë, sikurse ka gjithë bota. Ne kemi albume pafund këtu në Shqipëri, por albume të mirëfilltë mungojnë. Ndaj, një kontratë me një shtëpi diskografike të huaj do të ishte perfekte dhe do shënonte majën e një artisti. Kjo është ndoshta ajo që më mungon, pasi me këtë album, me këtë kontratë diskografike do të vinin koncertet ‘live’, recitalet etj. Fakti që ne në Shqipëri kemi artistë shumë të mirë, por të gjithë se bashku kemi mbetur në këtë vorbullën e mbrëmjeve muzikore apo mbrëmjeve ‘live’. Askush nga ne nuk e ka prekur ende atë stad që duhet të gëzojë një artist i vërtetë ndërkombëtar./Standard/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here