Juliana ju tregoj dashurine time me kitaristin e grupitPara 9 vitesh, kur do të bënte provën e parë me grupin e saj muzikor, as që nuk i kishte shkuar në mend që do të martohej pikërisht me kitaristin e këtij grupi. Ajo, duke kënduar, ndërsa ai e shoqëroi me kitarë.

Të dy u mahnitën nga talenti i njëri-tjetrit dhe ranë në dashuri me cilësitë e tyre dhe jo me pamjen. Të kënduarit netëve në Tiranë, në ato vite, për Julian Pashën bëri që dashuria mes saj dhe Altinit të merrte formë.

Tani, pas nëntë vitesh, ata jetojnë në një shtëpi të tyren në një nga lagjet më të reja të kryeqytetit dhe vazhdojnë përsëri si dikur… Juliana duke kënduar dhe Altini duke shpërndarë tinguj me anë të gishtave që veprojnë me mjeshtëri mbi telat e kitarës së tij.

Në një intervistë për SH2-shin, Pasha rrëfen dashurinë e saj dhe dëshirën e madhe për të pasur një fëmijë. Jetën prej një amvise të talentuar dhe pasionin për të kënduar “live”.

Juliana, si fillon një ditë për ju?

Zgjimi është në ora tetë. Ndërsa kur jam e lodhur nga puna, më vonë, nga ora 10-11. Bëj disa rregullime në shtëpi dhe përcjell burrin për në punë (qesh), pasi ai me profesion është kitarist dhe punon në Qendrën Kulturore të Tiranës.

Pastaj merrem me punët e shtëpisë, bëj drekën. Jam shumë e pasionuar pas gatimit. Kjo periudha e festave më frymëzon akoma më shumë për të gatuar, por nga ana tjetër nuk më del koha, pasi doja të bëja shumë gjera.

Më thatë që për shkak të punës, zgjoheni vonë, e keni fjalën për të kënduarit në lokale natë në Tiranë?

Po, këndoj në dy-tre lokale në Tiranë, të enjten të premten dhe të shtunën.

Ju njiheni si këngëtare e të kënduarit “live”, pse të pëlqen kjo gjë?

E para, më mban në formë. E dyta, më pëlqen të këndoj këngët e këngëtarëve të mëdhenj. Pastaj, është një mënyrë shumë e mirë jetese, siguron goxha të ardhura. E kam për zemër këtë lloj pune dhe nuk mund të tërhiqem tani nga muzika “live”.

E ndjeni veten të pëlqyer në të tilla ambiente?

Kam një publik që me ndjek dhe që vjen kudo që shkoj. Ka shumë persona që tani janë bërë pjesë e çdo aktiviteti ku unë shkoj. Më vjen mirë që i kam nga pas.

Na thatë që bashkëshorti juaj është kitarist, si e keni njohur atë?

E kam njohur herën e parë që unë kam filluar të këndoj në grup. Altini ka qenë kitarist në atë grup dhe ka qenë një impakt i menjëhershëm për të dy. Bëhet fjalë për para tetë vitesh, diku rreth vitit 2001. Unë sapo fillova punë atëherë në një lokal “live”, ka qenë grupi i parë më të cilin kam punuar dhe prova ime e parë që ky grup të më dëgjonte.

Më kujtohet që për herë të parë kam kënduar një këngë të Celin Dion, Altini që sigurisht ma ka thënë pas shumë kohësh që “Kur e ke kënduar për herë të parë këtë këngë, thashë uau, çfarë zëri”. Mirëpo e njëjta gjë ka ndodhur edhe me mua. Herën e parë që unë e kam dëgjuar Altinin të luaj në kitarë jam mahnitur shumë pas stilit të tij dhe pas tingullit.

Ndryshe nga të tjerët, ju paskeni pëlqyer cilësitë e njëri-tjetrit dhe jo pamjen, apo jo?
Po kjo është e vërtetë dhe që në fillim kjo na ka goditur. Përgjithësisht, njerëzit në fillim tërhiqen nga pamja, ndërsa me ne ka ndodhur e kundërta, ne i kemi vlerësuar cilësitë që na karakterizonin.

Po më pas, si vazhdoi…?

Tre katër muajt e parë, kishim vetëm shikime ndonjëherë largoheshim e më pas afroheshim.

Por, që të dy e kishim kuptuar pëlqimin e ndërsjellë dhe që ndjenim diçka e që ende nuk ia kishim thënë njëri-tjetrit. Derisa erdhi një moment që e shprehem dhe që nga ajo ditë nuk jemi ndarë më. Kishim të dy të njëjtin mendim. Ka qenë një lidhje e jashtëzakonshme për mua.

Vazhdon me të njëjtin intensitet?

Vazhdon akoma më shumë dhe është ende më e fortë.

Që nga momenti që e njohe e më pas çfarë vutë e re tek ai që të përforcoi më shumë idenë që ai duhet të ishte me ty?

Në fakt, Altini është një person që ka shumë siguri në vetvete dhe më transmeton edhe mua shumë siguri. Unë kam shumë besim tek ai. Duke filluar që nga këngët që unë zgjedh, është ai që më jep mendimin e parë, është kreu im në të gjitha aspektet. E kam shumë të nevojshme mendimin e tij.

Sa kohë keni ndenjur të dashuruar?

Kemi ndenjur pothuajse 5 vjet. Diçka kishte filluar te merrej vesh, më pas kaluam një periudhë njëvjeçare si të fejuar dhe tani kemi tre vjet që jemi martuar, në tërësi kemi 9 vjet bashkë.

Kohë e mjaftueshme për të krijuar një lidhje të konsoliduar, ndonëse ne e kishim njohur dhe e kishim pranuar njeri-tjetrin që në momentet e para.

Ju keni nëntë vite bashkë, por, sipas disa të dhënave, kriza e parë e një lidhje është në vitin e shtatë, çfarë bëni që të t’i eliminoni krizat?

Lidhja jonë që qëndron e fortë bazohet edhe në një fakt tjetër dhe ky është se ne jemi të dy besimtarë dhe kemi vendosur që në lidhjen tonë të kemi Zotin në mes. Sepse, është ai që deri tani na ka ruajtur nga çdo gjë dhe na ka mbajtur fort. Jam e krishterë ungjillore.

Ka një moment konkret kur ke filluar të besosh, ndoshta kur jeta jote ka qenë në vështirësi?

Po, është e vërtetë, që para 5-6 vitesh më parë nuk ka qenë një periudhë fort e mirë për mua. Erdhi krejt pa pritur. Kemi kaluar të dy një gjendje jo të mirë, jo për sa i përket lidhjes, po për sa i përket shëndetit tonë.

Dhe ishte ky moment që në vërtetë kërkonim dikë që të na udhëhiqte. E kërkuam në shumë njërës dhe nuk e gjetëm. Një ditë dëgjojmë nga një mik i yni fjalën Zot. Ishte ky moment që ne vendosëm të dinim më shumë dhe kështu bëmë.

Jeton vetëm me Altinin, apo edhe me prindërit e tij?

Jo, jetoj vetëm me Altinin.
Është e vërtetë që nuset nuk i durojnë dot vjehrrat në shtëpi, ti hyn tek ato?
Jo, nuk ka lidhje me këtë, po ata kanë shtëpinë e tyre dhe kanë një djalë tjetër më të vogël

Nuk është se e keni problem jetesën me ta?

Jo, ne kemi zgjedhur që të jemi bashkë, jemi familje e re dhe duam të ndërtojmë familjen tonë. Nuk besoj që më bezdis. Madje edhe kur jam martuar kam ardhur direkt në shtëpinë time. Por, mund të them diçka që gjatë kohës që kam qenë e fejuar unë kam ndenjur pothuajse çdo ditë në shtëpinë e tyre. Kështu që e kam kaluar atë periudhën e qëndrimit me vjehrrën.

Vjehrrën e kam dashur që në momentin kur kam qenë e fejuar.
Ndihesh mirë tani në këto kohë, e ndjen nevojën e një personi tjetër, të një fëmije?
E ndjej shumë nevojën. Po do t’ju them një sekret që kohët e fundit kam marrë një qenush të vogël.

E kam marrë për arsyen se shpesh herë unë ndodhem vetëm paraditeve në shtëpi edhe ndonjëherë mërzitesha, doja diçka apo të dëgjoja një zë nëpër shtëpi. Meqenëse ne për momentin ende nuk kemi fëmijë, unë vendosa të marr një qen, dhe ai e ka thyer pak atë monotoninë, por, që nuk e zëvendëson absolutisht fëmijën.

Unë e dua shumë një fëmijë, dhe ne shpresojmë që do ta kemi së shpejti. Kjo ka qenë një periudhë goxha e ngarkuar për mua. Nuk është se vendosim punën në vend të parë, por që kemi menduar t’i bëjmë gjerat me një hap të sigurt. Këto gjëra nuk planifikohen, nëse fëmija do të vinte tani, unë do ta pranoja më shumë dashuri.

Je natyrë xheloze?

Nuk besoj dhe nuk kam asnjë arsye për të qenë e tillë.

Periudha që keni qenë të lidhur, takoheshit shpesh bashkë?

(qesh) Tani kujtojmë diçka, e cila që në momentin kur jemi lidhur deri më sot, nuk ka ditë që ne të mos jemi bashkë. Gjithë këto nëntë vite, ka qenë vetëm një javë që ne kemi qenë larg njeri-tjetrit dhe kjo për arsye pune. Unë nuk e konceptoj dot ditën pa të.

Po ai është për shkak të punës, ndoshta, pasi ju jeni vazhdimisht nën vëzhgimin dhe syrin e njerëzve?

Ne qëndrojmë të dy në skenë. I kemi të dy këto vështirësi, megjithatë, unë gjithmonë kam menduar të jem korrekte, me veten time në radhë të parë, pastaj me Altinin. Duke qenë korrekte, nuk besoj se tjetri do të ndihej ndonjëherë keq. Puna jonë ka edhe vështirësi dhe prandaj them që duke pasur atë në krah, mua më jep shumë besim për të qenë e mbrojtur dhe për të mos gabuar.

Jeni këngëtare që si armë të fortë keni zërin, si ju duket pjesa tjetër e kolegeve të tua që përdorin së armë jo zërin po performancën, imazhin?

Besoj se publiku është i ndarë në dy pjesë. Është një anë që preferon shou pa masë, duke filluar nga paraqitja e jashtme dhe deri te performancat skenike.

Dhe një publik tjetër që kërkon të dëgjojë muzikën e vërtetë dhe unë futem të kjo pjesë. Jo vetëm me muzikën “live”, por edhe e me daljen time skenike, unë përqendrohem shumë të kënga dhe jap maksimumin tim aty.

Nuk them që duke u përqendruar te kënga unë lë pas dore dhe nuk duhet të bëj asgjë për paraqitjen time. Por, kjo ka të bëjë edhe me personalitetin. Mua, gjithmonë, më ka shkuar kjo gjë përshtat. Nuk kam paragjykime ndaj atyre që dalin në atë formë.

Tregu shkon pas asaj se çfarë bëhet në botë, kuptohet që në të gjithë botën, po i mëshohet shumë shout. Edhe muzika nuk ka çfarë të bëjë. Ka arritur në një pikë që po prodhohet muzikë me kompjuter, të kënaqet syri./Gazeta Shekulli/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here