Janë tërhequr për pak javë nga transmetimet televizive për t’u karikuar me energji edhe aktorët e njohur të humorit që na bëjnë të qeshim çdo javë, ndërsa komandojmë telekomandën për të parë “Apartamentin 2XL” dhe “Sketch Show”.

Por Julian Dedën, Juli – siç i thërrasin të gjithë – mund ta shohim edhe në videoklipin më të ri të Adelina Ismajlit, “Ku ma ke”, ku ai si zakonisht nuk ka dalë nga natyra e tij komike.

“Adelina vërtet ka një sens simpatik humori. Është mjaft shpotitëse – nëse mund ta quaj kështu. Ka dëshirë të bëjë shaka. Nëse ajo do të ishte bërë aktore, mendoj se mund të ishte një partnere e besueshme në skenë. Ajo edhe si këngëtare që është, aktron shumë mirë. Është shumë simpatike me mimikat e saj”, – tregon për “Standard” aktori. Pak ditë më parë ka prezantuar së bashku me këngëtaren Rosela Gjylbegu edhe Festivalin Mbarëkombëtar të Fëmijëve në Shkodër, një eksperiencë që, siç thotë ai, ishte unike. Por më poshtë Jul Deda na ka thënë diçka edhe për pritshmëritë e “Apartamentit” dhe “Sketch Show” në lidhje me sezonin e ri televiziv, por na ka treguar paksa edhe për fëmijët e tij, që ai si prind nuk do të dëshironte kurrsesi t’i shtynte të bëheshin në jetë diçka që nuk do të kishin prirje!

Juli, përshëndetje! Si po kalojnë këto ditë, me punë apo keni marrë pushimet?

Përshëndetje! Këto ditë mjaft të nxehta them se po kalojnë shumë mirë. Në fakt, akoma nuk i kam marrë pushimet, por sezonin e “Apartamentit 2XL” dhe “Sketch Show” e kemi mbyllur, kështu që në njëfarë mënyre, si pushim jemi. Them se po e përballoj me sukses këtë të nxehtë afrikan, hahah!

Të kemi parë te klipi i Adelina Ismajlit “Ku ma ke”, me një interpretim të paparë. Si u lidhe me Adelinën?

Në fakt, Adelinën edhe unë si çdo shqiptar e njoh prej kohësh si këngëtare mjaft e suksesshme e skenës sonë. Adelina ishte gjithashtu e ftuar te “Apartamenti 2XL”. Ai që na lidhi për klipin ishte menaxheri i saj, i cili më bëri ofertën për të marrë pjesë në klip, që unë e pranova me shumë kënaqësi.

Dihet që edhe Adelina ka mjaft të dhëna për aktrim, e sidomos për humor. A ishte ajo një partnere dinjitoze dhe nëse do ishte bërë aktore, do kishte spikatur?

Hahah, Adelina vërtet ka një sens simpatik humori. Është mjaft shpotitëse – nëse mund ta quaj kështu. Ka dëshirë të bëjë shaka. Nëse ajo do të ishte bërë aktore, mendoj se mund të ishte një partnere e besueshme në skenë. Ajo edhe si këngëtare që është, aktron shumë mirë. Është shumë simpatike me mimikat e saj.

Kanë kaluar vetëm pak ditë që kur ti dhe Rosela u ngjitët në skenën e Festivalit Mbarëkombëtar të Fëmijëve në Shkodër, për ta prezantuar këtë event. Emocione të rralla besoj, aq më tepër që organizohet në Shkodër…

Të them të drejtën, kisha mjaft emocione, për vetë faktin që ishte në Shkodër, ishte një përgjegjësi e madhe. Në fakt, është ftesa e parë që vjen drejt meje për të marrë përsipër diçka me shumë rëndësi në atë qytet. E para, m’u bë qejfi shumë që më ftuan, u ndjeva mirë dhe për këtë dua të falënderoj drejtorin e Festivalit Mbarëkombëtar të Fëmijëve, Kujtim Alia. E dyta, u ndjeva shumë mirë me Rosela Gjylbegun në krah, sepse ajo ka një seriozitet si këngëtare që ia shtoi vlerat festivalit. Dhe e treta, është gjithmonë emocion i veçantë kur kthehesh në vendin nga ti ke dalë për të bërë më të mirën. Me pak fjalë, ishte një eksperiencë shumë e bukur.

Para pak javësh “Apartamenti 2XL” u shpall nga Akademia e Çmimeve AKT si programi më i mirë argëtues mes shumë të ngjashmëve në televizionet shqiptare. Çfarë mendon se e dallon këtë kabare-show nga programet e tjera?

Unë mendoj se “Apartamentin 2XL” e bën të veçantë pikërisht fakti që prej katër vitesh është e vetmja risi televizive në Shqipëri. Për më tepër, mendoj se “Apartamenti 2XL” në raport me ndonjë spektakël tjetër është më familjar, më i ngrohtë, është më shtëpi. Prandaj, mendoj që për këto arsye edhe publiku e pranoi dhe e pëlqeu shumë shpejt. E kështu “Apartamenti” korri sukses… Përveç këtyre arsyeve që rendita, “Apartamenti 2XL” është i vetmi spektakël humoristik që transmetohet në “Sky”, i titruar në gjuhën italiane. Prandaj, mendoj se e merituam atë çmim…!

Çfarë do të ketë të re “Apartamenti 2XL” dhe “Sketch Show” këtë herë”?

Kësaj pyetjeje nuk di se si t’i përgjigjem, sepse për momentin po pushojmë. Ndoshta më vonë, kur të mblidhemi dhe të diskutojmë nga afër për detajet, mund të flasim sërish. Por e përgjithshmja është e qartë, “Apartamenti 2XL” dhe “Sketch show” do t’i argëtojnë pafund shikuesit… Pastaj nuk duhet të harroni që presim të na vijë për vizitë Kryeministri Sali Berisha gjatë këtij sezoni.

Unë personalisht besoj që në Shqipëri aktorët e këtij zhanri lodhen shumë gjatë sezonit televiziv. A ndihet një lloj konsumimi apo përkundrazi?

Aktorët e humorit, dhe jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën, janë qenie mjaft të ndjeshme, ndoshta dyfish më të ndjeshëm se aktorët e ndonjë zhanri tjetër. Pse?! Sepse e vëzhgojnë me vëmendje çdo fenomen, karakter, situatë, qoftë edhe dramatike, nga e cila përpiqen të nxjerrin komiken. Prandaj punojnë më shumë për të nxjerrë në skenë aftësitë e veta. Gjithë këtë panoramë e shpjegova me pak fjalë, në mënyrë që t’ju them se ne lodhemi shumë. Pa marrë parasysh faktin që jemi çdo javë në ekran, që është një lodhje teknike më vetë, por edhe kjo lodhje është.

A ka ndonjë personazh të njohur që nuk ka shkelur ende në studion tuaj dhe që do të dëshironit ta kishit?

Siç e thashë edhe më sipër, ne presim Kryeministrin, ky është pikësynimi ynë i momentit. Pastaj për mua s’ka rëndësi kjo. Për mua ka rëndësi që ne të bëjmë gjëra të bukura në atë skenë. Që publiku t’i shijojë dhe të na komplimentojë dhe që ne t’i falënderojmë. Se kush është i ftuar, nuk ka shumë rëndësi.

Juli, fëmijët e tu janë ende të vegjël, por a ke spikatur te ata të dhëna për humor? Do të të pëlqente që një ditë edhe ata të bëheshin aktorë, apo është shumë i mundimshëm ky profesion?

Hahah, fëmijët e mi janë shumë energjikë, tej mase mund të thosha. Djali është më shumë i dhënë mbas lojërave me thelb aktrimin…! A do të doja unë që ata të bëheshin aktorë kur të rriteshin?! E vërteta është që unë si prind do të doja që ata të bëhen ashtu si ata të duan, për çfarë të kenë më së shumti talent. A do bëhen aktorë apo doktorë për mua s’ka rëndësi, mjafton që të jenë të dobishëm dhe të nderuar në shoqëri.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here