Juli dhe Genti braktisin Ardit GjebrenëAktorët e humorit heqin dorë nga “E Diela shqiptare”, por edhe nga të gjitha projektet artistike në “TV Klan”. Juli dhe Genti, të identifikuar tashmë si grupi i suksesshëm i humorit “The SHBLSH” nuk do t’i shohim këtë të diel në hapjen e sezonit të ri të spektaklit të përjavshëm në “TV Klan”,

“E Diela shqiptare”, që drejtohet nga Ardit Gjebrea. Ende nuk dihet nëse do të zëvendësohen nga aktorë të tjerë, apo nëse organizatorët kanë ndryshuar formatin e emisionit. Gjithsesi të pyetur nga “Panorama Plus”, aktorët kanë pohuar se “arsyeja e largimit ishte sepse nuk u ndiem mirë”.

Jul Deda pohoi se, “kështu vendosëm të mbyllim kontratën me “Tv Klan”, “Pra jemi larguar nga ky televizion duke hequr dorë nga të gjitha projektet e planifikuara për të realizuar atje”. Po të njëjtën gjë ka pohuar dhe Genti, duke sqaruar se, “jemi duke negociuar me një tjetër televizion, dhe shumë shpejt do të zhvendosemi atje”, edhe pse nuk kanë zbuluar detaje për cilin ekran bëhet fjalë se ku do të mund t’i shohim këtë sezon të ri televiziv.

Ndërkohë burimet tona pranë “Tv Klan” kanë treguar se, arsyeja pse dy aktorët kanë vendosur të ndërpresim marrëdhënien e punës me këtë spektakël të përjavshëm por edhe me “Tv Klan”, ka qenë pakënaqësia në mënyrën e të punuarit atje, zhgënjimi që kanë ndier pasi nuk kanë realizuar atë që u është premtuar, dhe se në një vit pune artistike nuk u është ofruar mbështetja për të arritur çfarë kanë pretenduar.

Aktorët e grupit “THE SHBLSH”, Julian Deda dhe Gentian Zenelaj gjatë sezonit të kaluar bënë humor çdo të diel në show-n maratonë “E diela shqiptare” si dy karaktere shumë të veçantë. Ata luajtën rolet e dy grave në moshë, që vinin në lojë personazhe të njohur të politikës, dhe showbizzit madje dhe vetë prezantuesi Ardit Gjebrea.

Në fakt pjesëmarrja e tyre në këtë program u pa si zgjidhje e momentit për ta, ndërkohë që ishin punësuar nga “TV Klan” pas divorcit të tyre nga spektakli Portokalli në “Top Channel”, TV. Ata lidhën kontratë me “Klan” për të realizuar një emision që do të kishte autorësinë e tyre. Bëhej fjalë për një show humoristik me titull “Klandestin”, që u njoftua edhe me anë të një reklame që do të niste në “Tv Klan”, por që nuk nisi asnjëherë.

Spektakli ishte ideuar me shumë personazhe humori dhe do të moderohej nga vetë aktorët. Ndërkohë ky mund të konsiderohet i dyti divorc artistik i aktorëve të njohur të humorit brenda dy viteve. Pas largimit të bujshëm nga “Top Channel”, ambicia e tyre artistike ishte të krijonin një program ku të krijonin profilin e moderatorit, i provuar më parë në drejtimin e Festivalit të Këngës në RTSH, por edhe në spektakle të tjera. Gjithsesi ata suksesin e patën si grupi “The SHBLSH” që përbëhej nga Juli, Genti dhe Ermal Mamaqi.

Ermali për arsye të punëve të tij personale u shkëput më parë nga ata, ndërkohë që me kalimin e kohës emri i grupit u mbajt dhe u përvetësua kryesisht nga Juli dhe Genti. Ende nuk dihet nëse ata kanë hequr dorë përfundimisht nga emisioni komik dhe satirik, Ping-Pong, në bashkëpunim me radio Energy dhe Andy DJ.

Në emisionin ku me shumë ironi komentohet mbi fenomenet shqiptare, çdo të hënë dhe të mërkurë nga ora 11:00-13:00, ata realizojnë pothuaj diçka të ngjashme me “Rikoshet” që bënin në “Top Albania Radio”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here