Jeta e Juela Meçanit ka ndryshuar shumë kohët e fundit. Është folur për ndryshimet e saj në karrierë, ndryshimet në jetën private, e megjithatë Juela duket se ka mbetur e njëjta.

Me po të njëjtën energji ajo vazhdon punën e saj si këshilltare në Ministrinë e Punëve dhe Çështjeve Sociale, ku një sensibilitet të lartë kanë edhe problemet që kanë të bëjnë me femrën në tërësi. Jemi ndalur gjatë në bisedën me Juelën se çfarë duhet të ndryshojë, përse ka kaq shumë dhunë mbi femrat në Shqipëri dhe si e sheh ajo këtë problem, duke qenë se vetë ka drejtuar një projekt të BE-së për gratë e dhunuara.

Të gjitha këto probleme shpesh bëhen edhe politike, në atë se çfarë duhet të bëjë shteti për të përmirësuar gjërat që nuk shkojnë dhe nëse një pjesëmarrje më e madhe e grave në politikë do të bënte diferenca, për të cilat Juela mendon kështu: “Në Shqipëri ende jemi herët, po është bërë shumë në këtë drejtim. Do të ishte akoma më e madhe forca, nëse do të kishte bashkëveprim mes grave të forcave të ndryshme politike mbi tema delikate dhe me rëndësi, siç është kjo e dhunës në familje apo në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve”. Veç punës aktuale, Meçani flet edhe për ambiciet e saj në politikë, ku tregon se është e duruar dhe i pëlqen të eci me hapa të sigurt. ”Mendoj se vjen një ditë ku puna dhe përkushtimi, ndershmëria dhe zotësia të shpien aty ku do. Unë jam e duruar si natyrë dhe preferoj të mos i sforcoj gjërat dhe ta vendos jetën time në baza të hekurta”, thotë ajo. Jeta e saj përherë duket se drejtohet nga energji, forcë dhe përkushtim. E, ndër këto përkushtime, ai më i rëndësishmi është ndaj vajzës së saj, së cilës përpiqet t’i mësojë vlerat më të çmuara.

Juela, nga zëdhënëse e Kryeministrit, tashmë jeni këshilltare e ministrit të Punëve dhe Çështjeve Sociale. Si ndiheni në këtë pozicion dhe cila është diferenca me të qenit zëdhënëse?

Ndihem në një pozicion të natyrshëm. Me tematikat që kjo ministri përmbledh, unë jam marrë në të shkuarën dhe janë fusha që më interesojnë në veçanti. Diferenca është në faktin se këtu fushat janë më të gjera dhe janë dhe shumë të lidhura me faktin se unë jam femër dhe sensibiliteti im mbi to është më i madh.

Ka qenë i vështirë për ju menaxhimi i situatave të ndryshme që kërkon sidomos pozicioni si zëdhënëse?

Sigurisht që ka qenë i vështirë, sepse në fillim ishte një eksperiencë e paprovuar më parë dhe ishte punë që kërkonte vëmendje dhe përqendrim, por me kalimin e kohës dhe me kolegë të aftë e luajalë, çdo gjë u bë më e lehtë. Kam patur fatin të punoj në një kolektiv shumë të mirë e shumë përkrahës.

Është e vështirë të jesh zëri publik i një institucioni të caktuar shtetëror, ku do apo nuk do emri yt ndodh të bëhet objekt sulmesh personale nga kundërshtarët?

Pa diskutim që nuk është e lehtë dhe kur pranon të kryesh një funksion të tillë duhet t’i bësh mirë llogaritë. Për vetë faktin se do jete një betejë e vazhdueshme, ku jo gjithmonë do të të kuptojnë dhe jo gjithmonë do jenë delikatë apo luajalë me ty. Thonë që me kohën mësohesh, por unë për shembull nuk do mësohem kurrë me luftën pas krahëve. Jam edukuar t’i bëj betejat e mia ballazi. Gjithsesi, kur mendon se sa e madhe është eksperienca që përfiton, ia vlen në çdo rast.

Juela, ju keni qenë drejtuese e një projekti të BE-së për gratë e dhunuara. Si e shihni sot këtë problem?

Dhuna në familje dhe jo vetëm, është një dukuri jo vetëm shqiptare, është një problem madhor botëror. Fatkeqësisht nuk ka të bëjë vetëm me kushtet ekonomiko-shoqërore. Nuk është më shumë në zonat rurale se në qytete. Kohët e fundit jemi përballur me raste ekstreme të shfaqjes së saj… Unë jam nënë e një vajze dhe sinqerisht ndihem direkt e prekur. Nuk duhet harruar për asnjë moment se ka shumë gra e vajza që brenda një kutie të fildishtë, siç duan shoqëritë ta quajnë familjen, durojnë me vite presione, dhunë, keqtrajtim verbal dhe fizik. Shpeshherë meshkujt që dhunojnë janë të veshur me kravata dhe jashtë mureve të shtëpisë janë engjëj dhe të respektuar në shoqëri, brenda mureve të saj janë diktatorë. Ndaj në këtë kuadër merr një rol parësor mbrojtja që i bën dinjitetit të saj femra vetë, forca që ajo duhet të tregojë, përkrahja që asaj duhet t’i vijë nga familja e origjinës dhe shoqëria…

Sipas jush, çfarë e shkakton këtë “urrejtje” ndaj femrave në shoqërinë shqiptare?

Nuk do ta quaja urrejtje ndaj femrës. Femra shqiptare ka dinjitet dhe pushtet, kur lufton për të dhe kur i ndërton bazat e jetës së saj që në fillim vetë me forcat e saj. Mendoj se femrat në një shoqëri që ka qenë shumë vite e izoluar duhet të përkrahin njëra- tjetrën dhe jo me patetizëm, por realisht. Duhet kuptuar që çdo luftë hapur apo pas krahëve që i bëjmë një tjetër gruaje krijon një precedent të keq dhe i bën ato mijëra gra e vajza të shkolluara dhe të mençura, shumë më vulnerabël.

Besoj i shihni lajmet dhe kronikat e shumta mbi gra, vajza të gjymtuara. Cilat janë përgjegjësitë jo vetëm të një ministrie, por të të gjithë shtetit tonë në përgjithësi?

Një institucion ka për detyrë të ndërmarrë nisma ligjore, të ndërtojë struktura, të hartojë skema për zbatimin e një sistemi përkrahës ndaj femrave dhe fëmijëve. Unë mendoj që në këtë drejtim është bërë shumë. Sigurisht që duhet bërë më shumë dhe për këtë mendoj se edhe ky institucion, por edhe shteti në tërësi, ka një sensibilitet të veçantë.

Si mund të parandalohet ky fenomen, i cili tashmë duket se është bërë shqetësues?

Mendoj se mund të bëjnë shumë mediat në këtë drejtim, me një ndikim direkt në opinion dhe në publik, sepse kanë një ndikim të drejtpërdrejtë. Personazhet e njohur femra të politikës duhet të përdorin imazhin e tyre dhe ndikimin për këtë temë… Është shumë për t’u përqafuar p.sh. iniciativa e vazhdueshme e Kryetares së Kuvendit në këtë drejtim. Shoqatat joqeveritare, gjithashtu, bëjnë një punë shumë eficente dhe duhen përkrahur pa rezerva. Por, theksoj, çdo gjë nis nga denoncimet e akteve të dhunës që në fillesë nga vetë gratë, që ato të mos agravohen e të shkojnë në ekstremitet…

A është, në fakt, gruaja shqiptare sot më e pambrojtur?

Nuk mendoj se është kështu, mendoj se duhet të jetë më e informuar se ku dhe si duhet të drejtohet për ndihmë dhe mbi të gjitha t’i garantohet anonimati dhe siguria me çdo kusht.

Çfarë mund të ndryshojë një femër sot në politikë?

Femra ka një sy më të hollë ndaj fenomeneve. Duke qenë shpesh shtylla e familjes, ajo ka një ndjeshmëri më të lartë ndaj mirëqenies psikofizike të shoqërisë. Gjithashtu ajo duhet të hyjë me një angazhim të qartë, që të mos jetë një shtojcë apo ornament, por të mbrojë fort pikërisht zgjidhjen e problemeve që has çdo ditë në jetën e saj dhe të fëmijëve të saj.

A ka forcën e duhur gruaja kur bëhet fjalë për të ndryshuar gjërat politikisht?

Në Shqipëri ende jemi herët, po është bërë shumë në këtë drejtim. Do të ishte akoma më e madhe forca, nëse do të kishte bashkëveprim mes grave të forcave të ndryshme politike mbi tema delikate dhe me rëndësi, siç është kjo e dhunës në familje apo në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve.

Duke qenë se ende sot në shumë institucione shtetërore numri i femrave në pozicione drejtuese është i paktë, a do të thotë kjo se një femre i besohet më pak për të qenë lidere?

Unë punoj në një ministri ku pjesa më e madhe janë gra e vajza, ka shumë drejtuese femra të të gjitha niveleve. Gjithashtu vij dhe nga një eksperiencë në Këshillin e Ministrave, ku barazia gjinore ishte shumë e respektuar ndaj nuk jam dakord me këtë. Mendoj se shumë më tepër problem ka në planin e kompanive private apo biznesin privat, ku vërtet postet drejtuese i dominojnë meshkujt.

Njiheni si gazetare, si një ish-miss, si moderatore, pjesë e politikës, por keni edhe mjaft pasione të tjera, si muzika. Nëse do të zgjidhnit përfundimisht, cili do të ishte profesioni ideal që do ta ushtroje deri në fund të jetës?

Mendoj se gazetare do jem gjithmonë…

Juela, cili është ritmi i jetës suaj, tashmë që i keni dhënë fund martesës?

Ruaj pak a shumë të njëjtin ritëm. Unë pas pune merrem me vajzën time dhe jam me të. Në fundjavë marr pak kohë për veten dhe mikeshat e mia… Dëgjoj muzikë, shkruaj, lexoj, shoh filmat e rinj në treg dhe kur mundem dal jashtë Tiranës.

Është e vështirë të jesh nënë, por edhe një femër në karrierë?

Kur nuk janë ankuar nënat e gjyshet tona, që kishin më shumë se një fëmijë, që lanin me dorë, gatuanin me soba druri, që mbushnin ujë në kat të parë dhe ushqeheshin me tallona, si mund të ankohem unë? Kjo kohë ka strese dhe lodhje të tjera, por ka dhe shumë lehtësira… Është e vështirë, por aspak e pamundur.

Sa cungohet liria si femër, kur duhet t’i bësh këto të dyja?

Një femër e zonja gjen kohën për të gjitha dhe i bën të gjitha në ekuilibër, duke i dhënë sigurisht precedencë familjes dhe fëmijës.

Cilat janë parimet të cilat përpiqesh t’ia ngulitësh fort në mendje vajzës tënde?

Të ruajë karakterin që ka. Të mos ndikohet shumë nga ambienti dhe moda, të mësojë e të lexojë, por jo për mua, por në emër të pavarësisë së saj të mëvonshme. Të mos harrojë ata që i kanë qenë afër në të mirë e në të keq e mbi të gjitha të dojë shumë veten.

A sillesh rreptë me të, apo je nënë që ka nerva të shpjegojë çdo gjë me qetësi?

Kam nerva ndonjëherë, nuk e fsheh. Unë jam instinktive në reagime, por nuk e dënoj apo kërcënoj se nuk do të të blej këtë apo nuk do të të lë më të bësh këtë. Përpiqem ta bëj të reflektojë vetë mbi gabimet e saj.

Së fundmi, së shpejti vijnë zgjedhjet e 2013-ës. Cilat janë ambiciet tuaja politike? Deri ku shkojnë ato?

Ia lë kohës çdo gjë. Mendoj se vjen një ditë ku puna dhe përkushtimi, ndershmëria dhe zotësia të shpien aty ku do. Unë jam e duruar si natyrë dhe preferoj të mos i sforcoj gjërat dhe ta vendos jetën time në baza të hekurta. Themelet e bëra shpejt, i rrëzojnë muret shpejt.

Nëse një ditë do të drejtoje Shqipërinë, gjëja e parë që do të rregulloje, që do i jepje përparësi, cila do ishte?

Hierarkisë në administratë. Në këtë vend të rinjtë duhet të mësohen t’i ngjisin shkallët pak nga pak dhe me meritë./Gazeta MAPO/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here