Silva  Edhe në muzikë ‘rastësia është mbret i botës’. Kështu mund të thuhet për këngëtaren e hitit momental të Silva Gunbardhit, e cila në bashkëpunim me Mandin dhe reperin Dafi, kanë pushtuar klubet shqiptare dhe radiot me këngën e tyre “Të ka lali shpirt”

Me plot ëmbëlsi, Silva tregon për “Kosova Sot”, rastësinë e asaj për ta dëgjuar pak këtë këngë në studio, ku kishte shkuar për ta kërkuar një baladë. Për më shumë, ndiqeni rrëfimin e saj!

*Silva, vërtet të paska “lali shpirt” këtë fillimvit, pasi kënga është super e dëgjuar?
Silva Gunbardhi: Më vjen mirë që ky vit ka filluar mbarë, jo vetëm për mua, por dhe për të gjithë ata që e dëgjojnë këngën “Të ka lali shpirt”.

*Më trego pak, ju jeni e ftuar në këngë apo ju i keni ftuar djemtë?
Silva Gunbardhi: Ishte rastësi. Unë shkova në studio për ta porositur një baladë dhe, sapo dëgjova pak nga kënga, vendosa ta këndoj.

*Pse kjo ide dhe ky kombinim?
Silva Gunbardhi: Shpesh dëgjojmë këngë, ku bën pjesë edhe e kënduara tallava, por jo të gjitha godasin. Kombinimi ishte thjesht rastësi, në vendin e duhur, në kohën e duhur.

*Kush i thotë më shumë ‘të ka lali shpirt’ Silvës?
Silva Gunbardhi: Tani, të gjithë njerëzit, sapo më shohin, më thonë ‘të ka lali shpirt’. Jam çuditur me një fëmijë 2 vjeç, kur edhe ai më tha ‘të ka lali daaan’.

* E ju, kujt i thoni më shumë ‘të kam xhan’?
Silva Gunbardhi:‘Të kam xhan’ i them gjithë publikut tim. I dua shuuumë, dhe pa ta nuk mund të bëj dot asgjë.

*Si kanë reaguar kolegët, nga kush ke marrë urime e nga cilët jo?
Silva Gunbardhi: Ka kolegë që më marrin nga klubet dhe më thonë, shiko se ç’po bëhet me këngën, duke u gëzuar për suksesin e saj. Për të tjerët nuk jam e interesuar.

*Po nëpër koncerte, tashmë kur t’ju ftojnë, do të shkoni të tre?
Silva Gunbardhi: Ka shumë ftesa për të tre, kështu që, pse jo, do shkojmë.

*Kjo është një këngë komerciale për treg apo edhe për të qenë ‘in’ Silva?
Silva Gunbardhi: Kjo është një këngë, që i përmban të dyja. Është një këngë që i ka bërë të lumtur shumë njerëz, ka një fjalë shumë të dashur dhe 100 për qind shqiptare, siç është fjala ‘lali’.

*Cili do të jetë projekti i ardhshëm?
Silva Gunbardhi: Projekte për të ardhmen kam shumë, të cilat do t’i zbuloj kur të vijë koha, gjithmonë në kohën e duhur. Dua ta falënderoj studion “AS” dhe bashkëpunëtorët e mi, si dhe gjithë artdashësit e mi. Ju ka Silva Xhan.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here