Në Shqipëri, historinë e kanë bërë burrat. Sot, pas 100 vitesh shtet, të gjithë kujtojnë vetëm Marigonë që qëndisi me dashuri flamurin. Pjesa tjetër u takon burrave. Shqipëria ka jetuar ngjarje të rëndësishme, fakte të dhimbshme dhe çaste triumfi gjatë këtyre 100 viteve. Dimë emrat e atyre që kanë qenë ‘të zotët’ e shpalljes së Pavarësisë, ‘pushtimit’ nga diktatura, shpalljes së Demokracisë… Duke mos u thelluar më tej në histori, përmendim këto tri momente për të reflektuar mbi burrat e shtetit. Me siguri historia jonë nuk do kishte qenë e tillë, po të kishte pasur në mesin e tyre të paktën një femër. Padyshim që do kishte qenë më pozitive. Është ndjerë fort mungesa e një femre. Për këtë u bindëm akoma më shumë, kur zëri i saj u dëgjua mbi atë të burrave, dhe i bëri ata të heshtnin. Me vonesë (po më mirë vonë se kurrë) u shfaq zonja Jozefina Topalli, e para dhe e vetmja femër që ka ngjitur majat e shtetit. Popull i çuditshëm jemi ne shqiptarët! Na u deshën plot 100 vjet, për ta lënë pushtetin në duart e një femre. Fatmirësisht ky vend po përparon me ritme të shpejta, se kush rri e pret dhe 100 vite të tjera. “Kur vijnë për të vizituar Parlamentin grupe nxënësish, vajza e djem, kam vënë re që ata shkojnë e ulen në karriget e qeverisë dhe të deputetëve. Në karrigen time shkojnë e ulen gjithmonë vetëm vajza. Çdo vajzë e vogël, e rritur apo edhe grua e re, besoj se mendon që ajo karrige është e bërë për gra. Ato shohin modelin. Kjo mua më bën përshtypje… Besoj se ky është një model që e bën çdo grua të mendojë: ‘Edhe unë mund të jem një ditë Kryetare e Kuvendit’. Është diçka shumë e bukur”, – thotë duke buzëqeshur, kryetarja e Parlamentit. Fati deshi që ne të takoheshim me të, dhe vetë zonja Topalli pranoi të bënim një bisedë të ngrohtë. Kur e takon nga afër, sjellja e saj të bën të harrosh pozitën që ka. Është e thjeshtë, buzëqesh gjithë kohën, ngacmon, bën batuta… Mënyra se si lëviz me shkathtësi për të marrë një libër nga biblioteka e zyrës së saj, e bën të duket si një vajzë e vogël e çapkëne. Kur flet për të kaluarën dhe për familjen ndërsa na tregon foton e gjyshit, sytë e saj marrin një shkëlqim tjetër. Ajo vjen nga një familje e rëndësishme, që është marrë me politikë. Gjyshi i saj, Gjon Çoba, ka qenë anëtar i “Këshillit të Lartë të Shtetit” dhe mik i ngushtë me Luigj Gurakuqin. Fillimisht, në familjen Çoba janë marrë me tregti dhe kanë qenë shumë të pasur. Ishin tregtarë të fuqishëm. Pastaj e kanë lënë tregtinë dhe u janë përkushtuar vendit dhe politikës, derisa erdhi diktatura e i dënuan me burg. Menduam se kjo ishte arsyeja kryesore që kishte nxitur edhe vajzën e tyre, Jozefinën, të bëhej pjesë e kësaj bote. Ishim gabuar! “Kur isha e re, as që më shkonte ndërmend të merresha me politikë. E vetmja gjë që mendoja ishte ‘Ishalla nuk më fusin në burg’ (qesh). Unë kam qenë shumë e apasionuar pas matematikës. Është dashuri e madhe e imja, pasion shumë i madh”… Jeta e saj në atë kohë u lidh ngushtë pas matematikës, mësimdhënies në Universitetin e Shkodrës, pa e ditur që jeta e saj do të merrte tërësisht një tjetër rrugë. Kur mendonte se jeta i kishte marrë formë, ja çfarë i ndodhi: “Në vitin 1996 Berisha ishte president dhe donte që të kishte më shumë gra dhe më propozuan që të kandidoja për deputete. Unë nuk desha, sepse kisha ëndrrat e mia në universitet. Sapo kisha mbaruar një trajnim në Padova dhe kisha ambiciet e mia. Aq shumë këmbëngulën ata të degës së Partisë Demokratike në Shkodër, sa thashë një ‘Po’, pa e kuptuar as vetë se për ku po nisesha. U zgjodha deputete në 1996-ën dhe më emëruan Kryetare të Komisionit të Ligjeve”. Nuk arriti ta gëzonte siç duhet detyrën e re, sepse viti i vështirë mbërriti shpejt, siç tregon dhe ajo vetë: “Kur ndodhi kaosi i vitit 1997, Partia Demokratike kaloi në opozitë. Kur shkuam në opozitë, unë isha e vetmja grua e zgjedhur nga PD-ja. Ato vetëm zgjedhje që s’ishin… Kishte vetëm kallashnikov. PD-ja më propozoi mua si nënkryetare të Parlamentit. Kam qenë tetë vjet nënkryetare e Parlamentit dhe kur erdhëm në pushtet, u zgjodha kryetare”. Kjo është e vërteta, dhe duhej të ndodhte kjo, që Shqipëria më në fund të kishte një drejtuese femër. “Kurrë nuk kam menduar se mund të bëhesha kryetare e Parlamentit. Kurrë nuk e kam synuar dhe kurrë nuk më ka shkuar nëpër mend. Kur ishim në opozitë ishte kohë e vështirë. Kam pasur tre herë kallashnikovin në kokë. Nuk mund të mendoja për karrige”.
Me kuriozitet ne e pyesim se çfarë e bëri Partinë Demokratike t’i jepte kaq shpejt besimin dhe postin e rëndësishëm, dhe ajo na përgjigjet duke qeshur: “Për këtë duhet të pyesni Berishën”. Është femër e bukur! Veshur me një fustan të gjelbër, zonja Topalli rrezaton pozitivitet. Por kur i përmend fëmijët, na shfaqet para syve një Jozefinë krejt tjetër. Nuk e kishim parë kurrë kështu, kaq të brishtë e të dhembshur… “Tani që fëmijët janë rritur, më kanë ikur ato momentet e bukura që çdo nënë do të donte t’i jetonte me fëmijët e saj. Ata gjithmonë kanë jetuar me ankthin se mami po ikën dhe gjithmonë më pyesnin: ‘Mam, prap do ikësh?’ Sigurisht që vitet nuk më kthehen më”, – thotë, teksa kujton. Tregon se e quan veten me fat, pasi prania e prindërve të bashkëshortit, i ka dhënë një ndihmë shumë të madhe. Shpesh e ka menduar dhe vazhdon ta mendojë mundësinë për të hequr dorë nga gjithçka e t’i përkushtohet vetëm familjes, për t’i dhuruar vetes sa më shumë orë të lumtura që çdo nënë do t’i donte. Për të familja është e shenjtë! Bashkëshorti është mbështetësi i saj më i madh. “Nuk është ankuar kurrë! Një herë të kishte bërë një gjest, unë nuk do isha këtu ku jam. Familja është e para. Pa qetësinë familjare nuk bën dot asgjë. Nëse dikush në shtëpi fillon e të ankohet, sigurisht që zgjidhja më e mirë është të heqësh dorë nga ajo që të pëlqen të bësh dhe të ruash familjen”. Më pas ajo na shpjegon se në punë nuk ndodh e njëjta gjë, pasi politika është sfidë. Nuk duhet të ketë qenë e lehtë për të vetmen femër në Partinë Demokratike të ngjitet lart, duke kaluar mbi të gjitha vështirësitë. Na erdhi natyrshëm ta pyesnim nëse kishte qarë ndonjëherë, gjatë presioneve të mëdha në punë… Si gjithmonë duke buzëqeshur rrëfen: “Asnjëherë për punën. Kam qarë kur jam larguar nga fëmijët ose kur ata janë mërzitur apo u ka ndodhur diçka. Qaj unë… Qaj edhe kur shoh një film, qaj edhe kur dëgjoj një këngë të bukur”. I propozojmë kryetares të mos flasim më për lotët, por ta kthejmë vëmendjen tek festa. Pranon dhe bëhet menjëherë entuziaste. Nuk duket aspak në ankth për angazhimet e panumërta që e presin këto ditë, sepse për të festa ka filluar që në janarin e 2012-ës. Për të gjithë ata që duan ta shohin dhe ta njohin këtë zonjë të veçantë, ne po ju zbulojmë se më 28 Nëntor ajo do të zgjohet në qytetin e Vlorës, për të qenë prezente gjatë ngritjes së flamurit. Më pas e pret Tirana, me ceremonitë zyrtare, koncertet, paradën, drekën që do të shtrojë Kryeministri, darkën që do të shtrojë Presidenti… Duket kaq e lumtur për këtë festë dhe ndërsa flet për 100-vjetorin e Pavarësisë, merr sërish pamjen e vajzës lozonjare me të cilën u njohëm në fillim. Kjo është Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, zonja Jozefina Topalli, e cila këto ditë festash na bëri dhuratë një rrëfim krejt të veçantë. Ashtu siç di të rrëfejë vetëm një nënë, një femër…

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here