Jeta e saj, një edukim i pareshtur, ku lypsej të mësonte gjithçka… Fëmijë, ajo ëndërroi një jetë të lumtur dhe kur u zgjua, kuptoi se është e vështirë.

Punoi edhe në bujqësi, atëherë kur persekutori kishte menduar që pensionin ta merrte pikërisht nga prashitja në arë në moshë fare të njomë.

Edhe sot, e pashkëputur nga Beatriçja e Dantes… Në italisht njeh radhën e gjatë të vargjeve të gruas që Dantja dashuronte, asaj që i drejtoi të gjithë adhurimin e tij si një qenie hyjnore me plot virtyte njerëzore, për ta nisur atë drejt parajsës.

Jozefina e njohu që e vogël Danten dhe Beatriçen e tij. Ishte koha kur diktatori mbante në dorë armën, kurse ajo librat…

Një gjenezë, origjinë dhe arsyeja e pastër e të qenit një pinjolle e denjë e familjes së njohur shkodrane, Çoba. Jeta e saj, një edukim i pareshtur, ku lypsej të mësonte gjithçka… Fëmijë, ajo ëndërroi një jetë të lumtur dhe kur u zgjua, kuptoi se është e vështirë. Punoi edhe në bujqësi, atëherë kur persekutori kishte menduar që pensionin ta merrte pikërisht nga prashitja në arë në moshë fare të njomë. Por vajza e vogël, plot hijeshi, që nuk mundi të vazhdonte studimet e larta në kohën e duhur, nuk u frikësua nga vuajtja, pavarësisht se ekzistonin momente kur gjithçka dukej e errët. Koha ishte krimbësuar… U shtrydh çdo minutë e diktaturës për t’i lënë vend sfidës së gruas së fortë, plot kurajë, vullnet dhe këmbëngulje që e çoi drejt sukseseve të mëdha.

Prej 5 vitesh, znj. Jozefina Topalli punon në zyrën e ish-diktatorit komunist, pikërisht në godinën e ish-KQPP-së. Drita e fortë në zyrën e madhe të krijon kontrastin e mprehtë mes Jozefinës së sotme, që ka arritur majat e pushtetit dhe asaj të shumë viteve më parë, e mësuar me bukurinë e saj që në lindje, për shkak të cilës, biçikleta i erdhi në ndihmë, për të shmangur ngacmimet e djemve shkodranë. Në këtë rrëfim të rrallë për “standard” znj. Jozefina Topalli flet për fëmijërinë në qytetin më të persekutuar të Shqipërisë, Shkodra, për rininë, martesën, lindjen e fëmijëve dhe mbështetjen e fortë të familjes përgjatë 15 viteve angazhim në politikë. Ndalet në kujtime të veçanta, disa i shoqëron me qeshje, për të tjera edhe hesht.

Shpeshherë sytë mjegullohen nga loti, pasi tek Jozefina zgjojmë ditët kur iu mbyllën dyert e universitetit apo ato të ndërmarrjes së tekstileve, apo punën në kooperativën bujqësore, duke prashitur për të arritur normën. Ndoshta qau për të shkrirë akullin e zemrës, por Jozefina nuk preferon të përdorë gomën vetëm e vetëm që të mos fshijë asgjë. Janë kujtime, qoftë dhe të hidhura, që i përkasin vetëm asaj. Dhe për shkak se ka arritur majat e politikës, Jozefina Topalli është “e dënuar” edhe t’i rikujtojë…

Znj. Topalli, çdokush në jetë duhet të krijojë rrugën e vet dhe nëpër të, të ecë vetëm. Kështu ece edhe ti?

Edhe kur isha fëmijë, edhe gjatë viteve të rinisë sime, kam qenë një vajzë e shoqërueshme. Shoqëria për mua kishte rëndësi të veçantë, ndërsa sot, jam një grua dhe funksionare e këtij vendi që punoj në ekip.

Më thuaj diçka për fëmijërinë apo për gjenin tënd?

Unë vij nga një familje qytetare, e hershme shkodrane. Stërgjyshërit e mi njiheshin si tregtarë me lidhje të fuqishme edhe përtej Adriatikut, ndërsa gjyshërit ishin të përfshirë fort në politikë në fillim të shekullit të kaluar. Më pas vuajtëm si pjesa më e madhe e shqiptarëve, dramë familjare shkaktuar nga diktatura që u përcoll me vrasje, burgime, internime njerëzish të pafajshëm me fajin e vetëm se donin lirinë, ëndërronin Evropën dhe kulturën e saj perëndimore. Jam rritur në një ambient të ngrohtë familjar, ku nxitesha të shijoja Danten dhe sot kam kënaqësi kur kujtoj vargjet të mësuara të asaj kohe; ato që Dante ia kushtoi Beatriçes.

Për shembull cilat nga vargjet e tij?

Tanto gentile e tanto honesta pare la donna mia
Quand’ ella altrui saluta
Che ogi la lingua divien tremando mutua.E gli ochi non ardiscono di guardar.

Dante ishte i vetmi që ju magjepsi?

Përmenda vetëm atë ndër shumë që më dhanë ëndjen të zbuloja botën ndryshe nga ajo ku jetoja, që më dukej e vogël, madje shumë e vogël…

Dhe çfarë trashëguat nga ‘gjeni’?

Më shumë se kaq, kam trashëguar, mendoj, dëshirën për dije, ambicien për të parë përtej, përpjekjen dhe këmbënguljen për të mos u dorëzuar dhe së fundi atë që unë çmoj më shumë, vullnetin për të bërë mirë dhe për t’i shkuar deri në fund asaj që shpesh ne shumë e marrim për ëndërr.

Nga sa thoni, më duket se dallonit nga fëmijët e tjerë!?

Them se kam qenë një fëmijë si shumë të tjerë, me dëshira të parealizuara dhe ëndrra të vrara, por që gjeja gëzim në lodrat më vëllanë tim, Gjonin, dhe motrën time Ilda, dhe kënaqësi të veçantë në shoqërinë e axhës tim, i cili pasi doli nga burgu, erdhi të jetonte me ne. Nuk kishte ku të shkonte tjetër, pasi diktatori i kishte marrë gjithçka, vite jetë dhe pasurinë.

Fakti që vinit nga një familje e persekutuar nga regjimi komunist, a kishte krijuar një distancë me bashkëmoshatarët tuaj shkodranë?

Gëzoja simpatinë e bashkëmoshatarëve të mi; asokohe e gjithë Shkodra, ku më shumë e ku më pak, vuante dramën time. Vetë Shkodra ishte simboli i qytetit me histori të lashtë dhe kulturë perëndimore, por që u kthye në simbol të ndëshkimit nga komunizmi.

Çfarë kujton si lëndim nga ajo kohë?

Ende sot prekem kur kujtoj hallën time të martuar në Itali dhe dhimbjen e nënës së saj, gjyshes sime, e po kështu të vëllezërve të saj që nuk e panë më kurrë.

Cila është “fyerja” më e madhe që mban mend nga regjimi komunist?

Kurrë s’më kanë fyer! Përkundrazi.

Dua të di një apo dy, të pathëna!

Kur mbarova shkollën e mesme, e m’u mohua e drejta e studimit, m’u desh të kontribuoja edhe unë në jetesën e familjes, e cila, për ironi të fatit, nga një familje e kamur, përjetonte uri. Provova të filloja punë në një ndërmarrje në Shkodër. Aty më priti gruaja e njërit prej ish-mësuesve të mi. Sapo më pa, më nuk e fshehu dot sikletin, por edhe dëshpërimin, teksa më tha: “Nëse të pranoj ty, mua më heqin bukën e fëmijëve të mi!!!” (hesht për një moment).

Unë po pres të pathënën e dytë!

OK, t’ju tregoj historinë me brigadierin. Bashkë me Aishen, një shoqe timen, punonim në bujqësi. Ndonëse vajza të reja nga qyteti, punonim fort për të arritur normën e ditës. Një ditë të bukur brigadieri afrohet dhe na thotë: “Po të punoni kështu mirë, këtu do të dilni në pension!” Unë u befasova, ndërsa Aishja më mori prej krahu, duke më thënë: “Hajt moj ma, se ky asht i marrë…!!!”

Nuk dyshoj se ke qenë një vajzë e hijshme, por a ‘je bezdisur’ nga ngacmimet e djemve? Thuhet që djemtë shkodranë kanë shije… (Qesh)

OK. Ty të pëlqente biçikleta, a mos të shpëtonte nga ngacmimet e adhuruesve!?

(Qesh) Ende më pëlqen biçikleta. Po të kisha mundësi, edhe sot do të lëvizja me të, si në Tiranë, Shkodër…

Ju ngacmojnë dhe sot meshkujt? P.sh. Berlusconi në drekën e shtruar për ndër të tij nga Kryeministri Berisha në Tiranë, ku ishit edhe ju, Kavalieri me xhentilesën e tij të njohur, i mahnitur ju tha: “Siete singola!!!!!”

(Qesh me të madhe) Këto janë si historitë e Kavalierit ….

S’është vështirë të bësh kurorë, por është vështirë të gjesh kokë të mirë për të, por a ishte Toni, bashkëshorti që sot keni në krah, mbreti që të trajton si princeshë?

Ishte një histori e thjeshtë plot respekt dhe dashuri.

‘Një grua e zgjuar është si këpuca që të vret’. Ç’thotë Toni për këtë?

Vall, a nuk po pyet Tonin për këtë! (qesh me të madhe)

Pas martesës dhe fill pas rrëzimit të komunizmit, ti ndoqe studimet e larta, ndërkohë që ishe bërë nënë. Besoj ia ke dalë me vështirësi apo jo?

Isha shumë e lumtur që ia arrita asaj dite. Shkollën e kisha dashur gjithmonë e nuk ia përtoja të mësuarit. Mbaj mend se shpesh më duhej të lexoja duke mbajtur Megin foshnje në krah. Vështirësia e vetme ishte të rikuperoja sa më shpejt gjithçka që padrejtësisht më ishte mohuar. Kështu mbarova fakultetin e parë dhe të dytin e me radhë një sërë studimesh brenda dhe jashtë vendit.

Dikur një vajzë e persekutuar, sot kryetare e Parlamentit. Mban lidhje me shoqërinë apo miqësitë e dikurshme, tani që jeni gruaja e pushtetshme në vend?

Po përpiqem sa mund t’i mbaj lidhjet dhe miqësitë e dikurshme, por ndërkohë numri i atyre që kërkojnë vëmendjen dhe mbështetjen time, është rritur shumë. Janë zgjedhësit e mi dhe në përgjithësi qytetarët e Shkodrës. Në tërësi janë fëmijët dhe gratë në nevojë kudo, në qytet apo fshat. Stafi im menaxhon një network të rregullt që më përcjell problemet dhe vështirësitë e grave që takoj gjatë turit tim në vazhdim.

Shpesh keni përmendur vjehrrën apo vjehrrin për ndihmën në rritjen e fëmijëve, duke të dhënë më shumë mundësi e kohë që të merresh me karrierën tënde. Sot që ata janë rritur, cilat janë raportet që ke me Megin dhe Genarin?

Nana Gitë dhe gjyshi Gjenar nuk janë më, por ne dhe fëmijët tanë ruajmë respekt dhe mirënjohje për gjithë afeksionin dhe përkujdesin që treguan ndaj nesh. Po fëmijët janë rritur, ndonëse si për të gjitha nënat, edhe për mua mbeten mendimi i parë me të cilin zgjohem dhe ai i fundit me të cilin më zë gjumi. Jam e lumtur dhe krenare që ata janë fëmijë të mirë dhe të dashur, të vendosur për të bërë përpara me jetën e tyre. Ata s’ma kanë prishur kurrë zemrën.

Çfarë ka trashëguar Megi nga mami Jozefina? Ka menduar ndonjëherë që të hyjë në politikë dhe nëse po, a do ta inkurajoje?

Megi ka trashëguar gjërat më të mira të familjes. Ndonëse mentorimi nga ana jonë nuk i ka munguar, ne e kemi lënë të lirë të zgjedhë vetë rrugën e saj… ekonomi a politikë, do të jetë zgjedhja e saj.

Po tani që Megi studion në Francë, pjesën më të madhe të dashurisë amënore, e merr Genari?

(Një buzëqeshje e ndritshme i lodron në fytyrë)

Kur jam në shtëpi kaloj kohë me të edhe për të hequr mallin e Megit. Ai është mjaft i dhembshur, por edhe lojcak. Kur më sheh të lodhur e të menduar, më sillet rrotull me gjithfarëlloj ojnash e nuk ndal, derisa ia arrin të më bëjë të qesh … e qeshim bashkë pambarim. Por edhe aq pambarim bisedojmë për tema nga më të ndryshmet. Jam e lumtur për fëmijët dhe familjen që kam./Gazeta Standard/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here