Flet spikerja dhe prezantuesja e emisionit “Dritëhije” në televizionin AS, Jonida Shehu.

Jonida ka filluar punë rreth tetë vjet më parë tek “Tele Norba Shqiptare”. Më pas tek “TV Arbëria”, në “Vizion +” dhe së fundi në AS.

Një femër gjithmonë në kërkim, e palodhur, studiuese dhe befasuese. Dhe pse ka qenë në qendër të disa emisioneve televizive, merr mbi supe dhe një detyrë të re më me përgjegjësi, duke u bërë një folëse e lajmeve në AS, krahas të mirënjohurit Dhimtër Gjoka, i vetmi profesionist i dy sistemeve, që koha ia ka rritur reputacionin.

Pra, në këtë televizion të ri Jonida shfaqet në dy dimensione, si folëse e lajmeve qendrore dhe si drejtuese e një ndër emisioneve më të ndjekur në AS, “Dritëhije”. Për të, luku është një pjesë e rëndësishme e një femër, por inteligjenca mbetet primare. Dashuria për të është gëzim i jetës që duhet ushqyer me mirësi.

Një kapërcim nga Vizion Plus në AS, ishte më shumë një ofertë ekonomike apo profesionale?

Absolutisht një kapërcim profesional. Në punën tonë, pjesa ekonomike duhet vetëm të justifikojë një pjesë të punës, por kurrsesi nuk mund të jetë arsyeja kryesore e lëvizjeve dhe zhvillimeve profesionale. Ishte një ofertë profesionale shumë joshëse dhe erdhi në situatën e një ezaurimi profesional në ekranin, ku unë punoja. Kisha kohë që po mendoja për një rifreskim idesh dhe paraqitjeje dhe sigurisht që një ekran i ri është një nisje pak a shumë nga e para.

Ku ndihet më mirë Jonida, si spikere apo si drejtuese emisionesh? Ku janë të veçantat dhe të përbashkëtat e tyre?

Për mua është e njëjta gjë. Të moderosh lajmet përditë e të jesh pjesë e gjithë procesit të përgatitjes së një lajmi, të bën të kuptosh gjithçka ndodh rreth nesh, të dish madje, se çfarë ka ende nevojë për t’u zhvilluar nga një lajm, çfarë është e rëndësishme e çfarë jo. Lajmi në edicionet informative është një ajsberg, i cili ka nxjerrë vetëm majën në sipërfaqe. Çdo ditë në edicionet informative unë arrij të kuptoj se cili nga lajmet që transmetohet ka nevojë të ndiqet e të shihet në disa këndvështrime.

Rruga e suksesshme, sigurisht ecën mes vështirësish. Ku ndihet më e xhelozuar Jonida mes meshkujve apo mes femrash?

Xhelozia është diçka që ka lindur bashkë me njeriun. Për mua s’ka rëndësi në janë femra apo meshkuj, nuk mundohem të di a janë a s’janë xhelozë për mua. Madje, më vjen keq për ata që janë në këtë pozicion, sepse sigurisht nuk kanë arritur dot të realizojnë njërën nga gjërat që mund të kem realizuar unë. Në fund të fundit, ne kemi në dorë të mundohemi për më të mirën, por jo për të pamundurën. Pra, është një kompromis që duhet ta bësh me veten që të mos të të mbysë mllefi.

Je penduar që keni zgjedhur të qënit gazetare si profesion?

Jo. Deri tani, asnjë ditë. Më pëlqen aq shumë profesioni që kam zgjedhur sa edhe shqetësimet që vijnë prej tij s’më hyjnë në sy.

A është ende maskiliste shoqëria shqiptare?

Po! Pasi maskiliste është ende shoqëria perëndimore, e jo më ajo shqiptare, ku burri vendos, burri mendon, burri punon, burri gjykon dhe femrat ekzekutojnë detajet e rregullave të vendosura nga burri.

Keni menduar të merreni me politike, sepse thonë siguron të ardhura të mira?

Unë jam marrë dhe merrem me politikë në të përditshmen time si gazetare, në intervista, lajme etj.. Por me politikëbërje asnjëherë nuk jam marrë e as do merrem se me pëlqen roli që kam në shoqëri, rolin e politikëbërjes e kanë zgjedhur të tjerë e s’mund të gjithë të bëjnë gjithçka. Mirë është të bësh atë që bën më mirë.

Ç’është dashuria për Jonidën dhe a je plagosur ndonjëherë nga dashuria?

Është pjesa më e rëndësishme e jetës së njeriut dhe në një shoqëri pa të, njerëzit do të hanin njeri -tjetrin. Dashuria është një ndjenjë aq e rëndësishme për njeriun sa ja vlen edhe të plagosesh për të, për të tjera ndjenja jokonstruktive jo.

Për momentin a jeni e dashuruar?

Po.

Kush ka më shumë rëndësi për Jonidën, bukuria apo inteligjenca?

Rëndësi ka të jesh e bukur nga të gjitha anët, të bësh gjëra të bukura dhe ti bësh njerëzit të ndihen bukur, se nëpërmjet pamjes, inteligjencës apo karakterit s’ka rëndësi për mua.

“Dritëhije”, një emision social

Emisioni ka pak kohë që ka nisur, megjithëse ishte një periudhë e gjatë e përpunimit të tij në mendjen dhe qenien time. Kam ndenjur net të tëra pa gjumë duke menduar edhe në subkoshiencë detajet e këtij projekti dhe tani ende jemi duke kuruar në mënyrë materiale emision pas emisioni, mënyrën se si qëllimi im dhe i programit në vetvete të realizohet. Emisioni titullohet “Dritëhije”, është një talk -show tërësisht social, ka të bëjë me të gjitha problemet e përditshme, ngjarje me të cilat jemi pajtuar padashje në heshtje. Dukuri të mbetura në hije për shkak të mosreagimit e mos diskutimit, probleme të njohura, por që nuk pranohen nga të gjithë Zgjidhja e problemeve nuk është qëllimi ynë primar. Ne duam të marrim sa më shumë informacion, për një problem për një ngjarje dhe ta lëmë publikun ta gatuajë vetë në ndërgjegje realitetin dhe mënyrat e zgjidhjes, pasi i kemi dhënë gjithë komponentët e duhur. Në këtë kontekst ne vendosëm ta titullonim programin “Dritëhije”, jo si një term figurative, por për të treguar se drita dhe hija ose errësira, janë në një luftë të vazhdueshme dhe informacioni ka qëllim të ndriçojë sa më shumë zona të errëta të realitetit, të ndërgjegjes së gjithsecilit dhe të shumë e shumë ngjarjeve të mbetura në hije për shkak të kompromiseve të çuditshme sociale, të cilat na kanë bërë të jemi më shumë të interesuar për fjalë boshe e për shou -bizz, se sa për jetën tonë.

Përditshmëria dhe kontrata fikse me teleshikuesin

Kjo është njëra nga gjërat më thelbësore në jetën time, sepse është e përditshme dhe merr pjesën më të madhe të energjive dhe përkushtimit tim. Jeta e një njeriu si unë dhe koleget e mi, që çdo ditë janë pjesë e një edicioni informativ, aq me tepër qendror, është thelbësisht e shënuar nga ky impenjim. Nuk mund të jesh asnjë ditë pa qejf, asnjë ditë pa humor, pa vëmendje, pa përqendrim dhe pa energji. Nuk mund të jesh askund në orarin e takimit me publikun, e duhet që gjithçka ndodh në ditën tënde ta vendosësh në funksion të edicionit të lajmeve, që do të thotë, s’mund të lejosh njeri të të prishë ditën aq sa të cenosh informacionin e të gjithëve, e s’mund të ndihmosh askënd nëse ka nevojë për ty në këtë periudhë të ditës. Me një fjalë është një kontratë strikte me teleshikuesit që s’mund të thyhet për asgjë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here