Jonida MaliqiNuk vjen asnjëherë njëlloj, madje profilet me të cilat shfaqet gjithmonë surprizojnë publikun. Këtë herë ajo ka ardhur si kantautore. Bëhet fjalë për këngëtaren Jonida Maliqi, e cila sapo ka publikuar klipin e këngës “Vlej për ty”. Një rock balad që e shfaq atë në një dimension muzikor mjaft surprizues.

Tashmë këto të fundit janë pjesë e pandarë e Jonidës. Në intervistën e mëposhtme ajo zbulon projektet më të reja në fushën e medias, biznesit dhe sigurisht pa harruar edhe detaje nga jeta e saj publike apo në çift.

Cila është e veçanta e këngës “Vlej për ty” me të cilën ju jeni prezantuar para publikut këtë herë?

E veçanta e kësaj kënge është që unë për herë të parë vij si kantautore.
Mbas 17 vitesh në skenë, vij me këtë këngë, ku tekstin dhe muzikën e kam shkruar vetë. Ka qenë një kompozim që ka ardhur si frymëzim i brendshëm nga një ndjesi e imja dhe është e lidhur me një periudhë, e cila më ka bërë të kisha këtë lloj frymëzimi. Kënga është realizuar para dy tre vitesh, por unë hezitoja ta bëja publike, pasi nuk isha e sigurt në ishte në nivelin e duhur.

Fatmirësisht pas bashkëpunimit për Këngën Magjike me Darko Dimitrov dhe Kaliopin besova në orkestrimin e Darkos dhe ai e mirëpriti me shumë dashamirësi dhe më dha shtysën që unë ta bëja publike.

Si ndjeheni në rolin e kantautores?

Ndjesia e të shkruarit të muzikës është një ndjesi shumë e bukur dhe impresionuese. Kam tentuar që të bëj edhe disa gjëra të tjera dhe mund të them se pse jo në të ardhmen do të mund të më shihni edhe si kantautore. Shpresoj dhe mesa kam dëgjuar nga miqtë e mi kënga është pëlqyer dhe kjo ka shumë rëndësi për mua. Unë jam si në klip dhe në të kënduar 100% Jonida.

Çfarë keni dashur të thoni me titullin “Vlej për ty”?

Ajo rreth së cilës rrotullohen gjërat është dashuria. Për mua dashuria është si një grafikë që ka uljet dhe ngritjet e saj. Në jetën time ka ardhur një kohë kur ia kam bërë këtë pyetje vetes: A vlej për të? Dhe kjo është e shprehur dhe tek kënga, por në fund të saj unë nuk ngurroj të them “të dua”. Mendoj se të thuash fjalët “të dua” “më fal” është virtyt dhe janë këto fjalë që bëjnë të ndryshojë jeta. Kënga ka shumë ndjenjë dhe më pëlqen shumë fakti që jam në rolin e kantautores.

Diçka rreth klipit?

Klipi është një prodhim i “Supersonic”, të cilët me fitimin e Këngës Magjike më dhuruan këtë videoklip dhe këtu gjej rastin t’i falënderoj, pasi e cilësoj këtë bashkëpunim si mjaft frytdhënës. Aktori dhe regjisori që është protagonist i klipit tim Elvis Lule është një profesionist që më ka ndihmuar shumë, ndërkohë që për sa i përket fotove janë një punë e Geljant Kalecit.

Çfarë projektesh ka tani në dorë Jonida pas këtij të fundit?

Kam një sërë projektesh por që nuk kanë të bëjnë me muzikën por me të bukurën. Së shpejti do të kem tek një nga revistat e modës në Shqipëri një rubrikë timen, ku do të jap këshilla lidhur me botën e “fashion”, duke u gjendur sa më pranë vajzave dhe femrave, kjo nisur nga eksperienca ime. Shpresoj që të jetë diçka e bukur dhe e mirëpritur nga publiku femëror. Për të kaluar tek jeta personale.

Si ndjehet Jonida pas një viti martese?

Nuk ka asnjë lloj ndryshimi sepse unë me Gentin kisha bashkëjetuar katër vite. Përkundrazi nga kjo jemi të unifikuar më shumë se kurrë. Martesa është e domosdoshme pas një bashkëjetese të gjatë. Kur vendos të martohesh kuptohet që lidhja është më serioze se kurrë dhe në momentin që merr një vendim mendon për të dy. Nuk mund të marrësh vendime si në kohën e dashurisë kur je ende e pavarur. Nga ky moment si primare kalon familja dhe unifikimi në çift.

Po për zgjerimin e familjes? Ndonjë fëmijë në planet tuaja të afërta?

Kjo pjesë më bezdis sepse njerëzit në Shqipëri janë të prirur të dinë çdo detaj të jetës tënde. Pyetja e radhës pas martesës është ajo për një fëmijë. Prioriteti ynë momental në çift nuk është një fëmijë. Jemi akoma të rinj dhe sigurisht mendojmë që në një moment të mëvonshëm do të ketë kohë që të zgjerojmë edhe familjen.

Po jeta sociale daljet me shoqërinë si janë pas martesës?

Kam dalë dhe vazhdoj normalisht lidhjet me shoqërinë, madje pak ditë më parë takova shoqet e mia të Liceut, sepse jetojnë jashtë. Kemi kujtuar bëmat tona të adoleshencës dhe jemi kënaqur pas kaq kohësh pa u parë dhe mendoj se është shumë bukur kur mban kontakte me shoqërinë.

Burimi: Panorama Plus

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here