Jonida Maliqi: Nuk do doja që garën ta ktheja në konfliktAjo është e katërta. Prurja më e re që sjell talentshou “The Voice of Albania” në vitin e tij të pestë. Sidrit Bejlerit, Alma Bektashit dhe Genc Salihut i bashkohet këtë vit Jonida Maliqi.

Si një shtyllë shumë e rëndësishme e shout dhe si element që garanton po aq spektakël, sa edhe gara mes konkurrentësh, skuadra e trajnerëve ka pasur gjithmonë interesin e veçantë të mediave, dhe jo vetëm. Sidomos kur bëhet fjalë për një emër të ri që u shtohet të vjetërve. Këtë vit e reja është Jonida Maliqi. Ajo na rrëfen ndjesitë e fillimit, para se të ulet në një prej karrigeve të kuqe të “The Voice of Albania 5”…

Tani që edhe spoti televiziv ka filluar të transmetohet në Top Channel, do të thotë se “The Voice of Albania 5” është fare pranë. Në ç’fazë të jetës dhe karrierës të gjen ky projekt i ri televiziv?
Ky projekt i ri më gjen në një moment perfekt. Të qetë dhe të plotësuar në jetën personale, në vrap dhe kërkim të vazhdueshëm në atë profesionale. Sapo kam publikuar këngën time më të fundit “Jam bërë si ti”, dhe së shpejti do punoj për një tjetër material muzikor, por sigurisht pasi “The Voice of Albania 5” të ketë përfunduar, sepse mua më pëlqen që të përkushtohem me mish e me shpirt pas gjithçkajë që marr përsipër. Momentalisht do të jem e gjitha për këtë talentshou, jo vetëm sepse është një projekt krejt i ri për mua dhe një përvojë që nuk e kam përjetuar më parë, por edhe sepse, pas përvojës së fundit televizive, më rikthen në petkat e mia, te muzika.

Je sërish në profilin tënd artistik te muzika. Të mjafton përvoja dhe siguria që të ndihesh komode dhe e qetë, edhe pse është hera e parë që ulesh në atë karrige?
Krejt ndryshe nga hera e fundit kur jam angazhuar në një projekt televiziv, si prezantuese e “Dancing with the stars”, tanimë do të jem tërësisht në profilin tim, atë muzikor. Është një sfidë artistike shumë e dashur, një program që e kam ndjekur për vite me radhë në vende të tjera, por sigurisht edhe në Shqipëri. E pse ta fsheh, edhe e kam ëndërruar. Dhe ja më në fund ëndrra u bë realitet dhe më erdhi si një surprizë shumë e këndshme. Jam e bindur që do të kem hapësirat e duhura për të qenë komode dhe për t’u argëtuar pa fund.
Meqë jemi te hapësirat, ti ke shfaqur disa profile deri më tani: sigurisht si këngëtare, si sipërmarrëse, por edhe ke prezantuar, ke dhënë mësim në

Akademinë e Arteve dhe je cilësuar sa e sa herë si ikonë e padiskutueshme e modës. A do ta shfrytëzosh këtë mundësi të re për të krijuar një tjetër dimension?
Ky rol që do të kem në “Thë Voice of Albania 5” e ka të përfshirë dhe shumë të qartë dimensionin tim të ri, kësisoj edhe një eksperiencë krejt të re. Pra, publiku do të më shohë në një tjetër pozicion, që nuk më ka parë më përpara, pavarësisht se jemi sërish te muzika, profesioni im i përhershëm. Por këtu nuk jam unë ajo që këndoj, siç kam bërë gjithmonë. Do të jem trajnere. Gjatë audicioneve të fshehta, mes dhjetëra konkurrentësh, do të përzgjedh dhe formoj një skuadër prej 14 konkurrentësh. Detyra ime është që t’i orientoj, ndihmoj e udhëzoj në një rrugë të bukur e shumë të vështirë. Por sigurisht do të guxoj edhe përtej kësaj, duke i këshilluar e duke u kujdesur edhe për imazhin e tyre. Tanimë është fakt i pakundërshtueshëm që imazhi është vërtet i rëndësishëm për një karrierë të suksesshme, dhe ata janë në hapat e parë të krijimit të një karriere muzikore.

Në fakt, kjo ishte krejt e pritshme nga një artiste si ti, që krijon kuriozitet dhe interes në çdo imtësi të paraqitjes skenike dhe jo vetëm. A bëhet ndonjëherë i lodhshëm fakti që i mëshohet kaq fort pamjes tënde të jashtme?
Dikur, unë vetë e kam paragjykuar shumë tendencën e të gjithëve për t’u marrë aq gjatë me imazhin tim, sesa me karrierën artistike. Por u duk se guximi im solli një lloj risie dhe nëse më pyet tani, mund të them se jam shumë e lumtur që kam frymëzuar sa e sa vajza të reja e në të njëjtën kohë, konstatoj me shumë kënaqësi që ruaj edhe te brezi i mamave tona një dashamirësi ndaj figurës sime, që më bën të ndihem shumë e vlerësuar dhe ta ndiej veten të përkëdhelur. Më pëlqen që ekstravaganca ime nuk ka kaluar kurrë në vulgaritet dhe tashmë jam mëse e vetëdijshme se vokali dhe imazhi shkojnë paralel dhe janë të dy të rëndësishëm. Unë do të vazhdoj t’i kushtoj rëndësi imazhit, sigurisht duke e vënë në funksion të karrierës sime artistike si një vlerë të shtuar.

Ti do jesh një trajnere e fortë, posesive, e ashpër apo e butë dhe e qetë?
Nuk dua të jem kurrsesi posesive. Unë vij nga garat vetë dhe e njoh mirë presionin që konkurrentët kanë. Qëllimi që kam është që t’i orientoj drejt, të synoj më të mirën për ta, t’u tregoj se sa e rëndësishme është ta duash profesionin dhe të punosh fort. Nuk synoj me çdo kush të kem konkurrentin fitues. Më shumë po kërkoj risi.

Si duhet të jetë një konkurrent që të bëhet pjesë e skuadrën tënde?
Unë po kërkoj personalitet, karakter dhe sidomos stil. Nuk mendoj se vetëm vokalet e mëdha dhe të fuqishme arrijnë të të emocionojnë. Tanimë koncepti i të qenit një këngëtar i kompletuar ka ndryshuar. Janë shumë komponentë të lidhur bashkë që plotësojnë një figurë të mirë artistike. Këtë po kërkoj te këta artistë të rinj, jo një kopje të mirë të Whitney Hjuston-it apo Maria Careyt. “Voice” është një garë mes konkurrentësh, por është edhe një garë mes trajnerësh.

Ti me cilin prej tyre do të garosh?
Kjo është ende një zonë e pashkelur për mua dhe nuk dua të shprehem me siguri të madhe, por nuk do doja që garën ta ktheja në konflikt. /panorama/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here