Ka surprizuar këdo me daljen e saj në muajin e gjashtë të shtatzënisë, si konkurrente në festivalin “Kënga Magjike”. Dhe menjëherë ka marrë miratimin e publikut përmes duartrokitjeve një javë më parë në skenën e spektaklit “E diela shqiptare”.

Jonida Maliqi, këngëtarja e njohur, është larguar nga ky festival si fituese e vendit të parë me këngën “Njëri nga ata”. Pas tre edicionesh ajo kthehet me bebin e saj, dhe me një këngë për të e titulluar “Thesar pa emër”, realizuar nga Pirro Çako.

Në këtë intervistë për faqet VIP të gazetës “Mapo”, Jonida tregon pikërisht emocionet e kësaj periudhe të lumtur të jetës. Shoqëruar kjo edhe me një foto të mrekullueshme, e realizuar nga fotografi Armand Sallabanda, ku Jonida përkëdhel bebin në bark. “Ndjesitë e mia pozitive dua t’i ndaj me publikun”, tregon ajo, ndërsa për më tepër le të ecim në këtë rrëfim të ëmbël…

Jonida, së pari urime për shtatzëninë! Si po e përjetoni këtë periudhë?

Ju faleminderit shumë! Për mua kjo periudhë është ndër më të lumturat. Ndihem si në qiellin e shtatë dhe shpresoj që deri në fund çdo gjë të shkojë për së mbari.

Bebi i ka marrë rrezet në barkun e mamit dhe ku?

Po, e ka marrë mjaftueshëm melaninë nëpërmjet meje nën rrezet e diellit në jug të Shqipërisë, ashtu sikurse edhe në bregdetin Egje.

Këtë vit i keni surprizuar të gjithë. Edhe pse shtatzënë, keni pasur një jetë aktive artistike. Pas klipit veror tani edhe në “Kënga Magjike”. E qëllimshme prezenca në muzikë?

Në fakt, as vetë nuk e kisha menduar që të isha në këtë periudhë kaq produktive, por ashtu sikurse e përmenda edhe më lart energjia pozitive që mbart më bëri ta shijoj këtë moment në lidhje të drejt për drejtë me artin tim. Për më tepër që pas kësaj periudhe do të bëj një pushim artistik, pasi dua t’i përkushtohem 100% familjes sime.

“Thesar pa emër” është kënga me të cilën ju konkurroni në “Kënga Magjike”. Pa kaluar te detajet, që tani e keni siguruar veçantinë tuaj në këtë Festival, falë shtatzënisë. Si lindi ideja për të konkurruar, kur jeni shtatzënë?

Eh… Kjo ka qenë një ndër ëndrrat e mia në sirtar, të cilën nuk ia kisha thënë askujt, por ama brenda vetes e dija që kur të vinte ky moment do të realizoja me dëshirë të madhe një këngë dedikuar periudhës së shtatzënisë dhe bebit tim. Gjithnjë i kam adhuruar femrat gjatë kësaj periudhe, sepse ndjesia që më përçojnë është mjaft e veçantë dhe e mrekullueshme si ajo që po përjetoj edhe unë.

Gjatë regjistrimit të këngës keni ndjerë vështirësi dhe sa muajshe keni qenë kur e keni realizuar këngën?

Në fakt këngën e kam realizuar para dy javësh, pikërisht në fillim të muajit të gjashtë të shtatzënisë. Vështirësitë ishin disi të pranueshme, pasi edhe diafragma tashmë është e ngjitur lart, por falë mjeshtërisë së bashkëpunëtorëve të mi, si Pirro Çako, i cili e shkroi këtë këngë posaçërisht për mua, unë u ndjeva më së miri duke e interpretuar atë në një formë tjetër, pra më të ëmbël se çdo material që kam kënduar deri më sot.

Kënga i dedikohet bebit tuaj që do të lindë në fillim të vitit tjetër. Na tregoni diçka rreth ndjesisë së krijimit të kësaj kënge?

Bashkëpunimin me kompozitorin Çako për të qenë pjesë e “Kënga Magjike” së bashku e kishim ideuar prej kohësh, madje përpara se të mësoja për shtatzëninë time. Ndaj, pasi ramë dakord për melodinë, kishte mbetur vetëm tema për të cilën duhet të mendonim. Fatmirësisht lajmi i mirë përkoi fiks në kohën e duhur dhe na inspiroi për të krijuar këtë këngë prej së cilës edhe vetë Pirro shkroi këtë tekst të mrekullueshëm, duke pasur edhe ai eksperiencën e tij personale meqenëse ka një djalë.

Përveç gjetjes, një bisede me bebin e pa lindur, edhe muzika është paksa eksperimentale, e nisni në oktave poshtë dhe më pas shkoni një oktavë më lart, si është e mundur që keni guxuar kaq shumë?

E bukura e këtij profesioni pikërisht këtu qëndron… Unë edhe Pirro e kishim në kokë të gjithë idenë dhe dëshironim që kjo këngë të ishte mbi të gjitha e veçantë, duke patur dhe një tematikë po kaq të veçantë. Falë bashkëpunimit të mrekullueshëm që kemi me orkestruesin e këngës, Darko Dimitrov, ku realizuam dhe incizimin, eksperimentuam pa hezituar dhe në fund të gjithë mbetëm të kënaqur.

Jonida, kur të vijë koha e finales së festivalit do të jeni në muajin e tetë… Si e prisni?

E pres me shumë kënaqësi, sepse për mua është shumë e rëndësishme që të ndaj me publikun këtë ndjesi dhe ata gjithashtu të gjejnë veten në këtë këngë.

Pretendoni të njëjtin sukses si në daljen tuaj të fundit në këtë festival, ku edhe jeni vlerësuar me çmimin e parë?

Asnjëherë nuk kam konkurruar në kompeticione të tilla siç janë Festivalet me idenë fikse për të qenë domosdoshmërish fituesja. Fatmirësisht gjatë karrierës sime i kam prekur të gjitha çmimet, kështu që kënaqësia që do të jem prezent në këtë edicion ndryshe nga herët e tjera i kalon kufijtë e ambicies për të qenë sërish fituese.

Le të kthehemi te bebi, Jonida, i keni bërë gati veshjet dhe dhomën e gjumit të tij?

Një pjesë të mirë të aksesorëve të dhomës i kemi porositur, ndërsa veshjet do t’i blemë në udhëtimin tonë më të afërt.

Po bashkëshorti juaj Genti, si po e përjeton këtë kohë?

Ndoshta do të kishte qenë më mirë t’ia bënit ju këtë pyetje, por jam e bindur se do ta kuptonit menjëherë nga sytë e tij lumturinë që përçojnë.

Përsa i përket emrit, na keni treguar që atë do ta zgjedhë babai i Gentit. Ka qenë dëshira e tij apo një vendim i marrë prej jush?

Në fakt kjo ishte edhe një surprizë për Gentin, pasi kjo ide më lindi mua fill pasi morëm vesh që prisnim një djalë. E ku ka më bukur që emrin ta vendosë gjyshi, i cili është artist dhe piktor i njohur gjithashtu!

Keni menduar ku do të lindni?

Po pikërisht këtu ku kemi lindur edhe ne, në Tiranë. Ndihem mjaft mirë nën mbikëqyrjen e doktor Halim Kosovës, i cili falë energjisë së tij të mbush me besim dhe dashamirësi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here