Jeta ime i ngjan FlamenkosNuk më pëlqen të dal shumë, më pëlqen të jem në shtëpi, me kitarrën time, me regjistrimet e mia, të eksperimentoj zërin tim.” Një jetë në vetmi, e ngjashme me muzikën që këngëtari spanjoll interpreton.

Duquende, emri i vërtetë Juan Cortés, erdhi për një “Natë Flamenkoje” në Akademinë e Arteve, i shoqëruar nga kitarristët Chicuela dhe Armando Orbón.

Ndjeshmëri në interpretim, shpërthime emocionale, gjendje transi dhe përpjekje e mundimshme për të përçuar pastër dhimbjen, keqardhjen, vajin, kënaqësinë, gëzimin e dashurisë kapur si me thonj në ritmet soleá, rumba, tango të Flamenkos.
Magjia e këngëtarit katalanas, Duquende, i ftuar në një “Natë Flamenkoje” në sallën Black Box të Akademisë së Arteve, nuk mbaronte me kaq. Trokitja pa zhurmë e duarve tek interpretonte ulur në karrige, kapela që i mbulonte shikimin, veshja e zezë që dukej sikur i jepte siguri dhe e vishte me harmoni zërin e tij dhe përhumbjen tonë si spektatorë.
Figura e katalanasit elegant dukej e veshur me mister asaj darke.
Herë pas here, në hijen e kapelës, shfaqej një mimikë e buzëqeshur, sytë e shndritshëm dhe plot jetë. Këngët e tij, bashkë me to edhe trishtimi, u kishin shkuar drejt e në zemër të pranishmëve, ndërsa interpretuesit i kishte ngelur shija e mirë e një koncerti të realizuar, thirrjet “bravo”, apo “oltre, oltre”.
Edhe pas një udhëtimi të gjatë Barcelonë-Tiranë dhe një orë interpretimi energjik, bashkë me kitarristët Chicuela (Juan Gómez) dhe Armando Orbón, nuk ngurron të tregojë për flamenkon, muzikën e trishtë që i këndon dashurisë dhe jetës, tekstet e këngëve, disqet, publikun që i shijon ato, e më pas për Barcelonën dhe jetën e tij në qytetin spanjoll.
Në fund të bisedës me këngëtarin, vumë re nostalgjinë për muzikën e vjetër flamenko, tek e cila ai frymëzohet. “Mendoj se duhet të ketë nga të dyja, pra të ketë kombinim të së resë me të vjetrën dhe të mbahen parasysh edhe elementet origjinalë të së vjetrës”.
Është kjo një zgjidhje që ai mendon për ruajtjen e tradicionales, origjinalitetit të pastër në muzikën e vjetër, pa i mbyllur dyert as elementëve të së resë, asaj flamenkoje që pëlqen rinia sot.
Muzika e Duquendes, emri i vërtetë Juan Cortès, është mbledhur në disa albume “Samaruco”, “Qawali Jondo” së bashku me këngëtarin pakistanez Faiz Ali Faiz dhe “Mi forma di Vivir” me kitarristin Chicuelo, si dhe një regjistrim direkt në Cirque d’Hiver të Parisit. Ka pasur bashkëpunime të rëndësishme me këngëtarin e famshëm Camarón de la Isla dhe me kitarristë të njohur Tomatito, Paco de Lucìa etj..

Duquende, 5 minuta para koncertit ju pamë në rrugë. A nuk duhet të ishit duke bërë provat e fundit të zërit?
(Qesh) Është e vërtetë. Doja të dilja të blija karamele që më bëjnë mirë për fytin.

Në këtë shëtitje të shkurtër çfarë patë nga Tirana?
Më duket shumë e bukur. Ka një magji të vetën dhe m’u duk shumë e këndshme.

Çfarë kuptimi ka për një spanjoll, “bravoja” e publikut shqiptar?
Besoj se është thelbësore për këngëtarin. Është thelbësore që njerëzit ta pëlqejnë dhe ti thonë bravo, kushdo qofshin.
Përse interpretonit ulur?
Gjithmonë këndoj ulur sepse i mbyll sytë dhe po të jem në këmbë, më merren mendtë. Futem në një gjendje transi që nuk mund ta përjetoj në këmbë, por ulur në karrige. Kështu evitoj rënien.

Po kapela ju mbron nga vështrimet e publikut?
Kapelën e kam vënë tani. Nuk ka lidhje. Është thjesht një zbukurim, dekorim.

Çfarë gjuhe flasin duart tuaja kur këndon flamenkon?
Përplasja e duarve është për të mbajtur ritmin dhe për të qenë në kontakt me tingullin e kitarrës së Chicuelos.

Përse bënin fjalë tekstet e këngëve? Përcillnin shumë trishtim…
Flasin për dashurinë, flasin për jetën, për varfërinë, pasurinë, pak nga të gjitha. Për jetën në përgjithësi. Kanë ndjenjën brenda, janë të bëra me zemër. Kështu që, ndoshta e kanë edhe atë notën e trishtimit brenda.
Kur e ndjetë për herë të parë flamenkon?
Flamenkoja ka hyrë tek unë nëpërmjet gjeneve. E kam të trashëguar nga familja. Gjyshi i binte kitarrës, këndonte, mamaja ime njëkohësisht, xhaxhai im i binte kitarrës, pra e gjithë familja.
Çfarë kërkon kjo lloj muzike nga një këngëtar?
Të ketë afinitetin e zërit, dëgjimin ta ketë shumë të zhvilluar dhe pasionin.
Pasioni lëviz malet, kështu që është komponenti më i rëndësishëm.

A ka ambiente të posaçme, ku ajo shijohet më mirë?
Kjo muzikë është inspirim dhe këndohet kudo që të jetë. Meqë frymëzimi të vjen kudo, atëherë edhe flamenkoja mund të përjetohet në çdo vend.
Flamenko e kërcyer dhe e kënduar. Ku qëndron ndryshimi?
Ka këngëtarë që këndojnë për t’u vallëzuar dhe ka të tjerë që vetëm këndojnë. Janë dy tipe të ndryshme.
Po në lidhje me transmetimin e ndjesive?
Ai që këndon vetëm, këndon më mirë, përcjell shumë më shumë, fokusi është tek ai. Ai që e shoqëron është për të thënë pak gjëra dhe shumica e muzikës do të kërcehet.
Një disk i titulluar “Mënyra ime e të jetuarit” (Mi forma di vivir). Mund t’jua kenë bërë shumë këtë pyetje, por në këtë moment ç’përgjigje do më jepnit?
Shumë flamenko (Qesh). Nuk më pëlqen të dal shumë, më pëlqen të jem në shtëpi, me kitarrën time, me regjistrimet e mia, të eksperimentoj zërin tim.

A është vendi i duhur për të jetuar, krijuar, kënduar Barcelona?
Për këtë duhet të pyesim Carmela Majën, që është më e mira këngëtare e Spanjës. Këta janë këngëtarë të veriut të Barcelonës, nuk janë nga vendet më tipike. Talente lindin kudo, nuk kanë të bëjnë me vendin.
Jeni mbrojtës i flamenkos së vjetër. Çfarë nuk shkon me të rinjtë?
Po e konsideroj veten një pasionant pas këngës së vjetër, dhe kjo besoj që është baza kryesore për një këngëtar.
Ajo që shoh është se të rinjtë nuk e dëgjojnë tradicionalen të vjetrën dhe kështu humbet origjinaliteti dhe ajo gjëja e pastër që ka qenë e tradicionales. Unë mendoj se duhet të ketë nga të dyja, pra të ketë kombinim të së resë me të vjetrën dhe të mbahen parasysh edhe elementet origjinalë të së vjetrës, me të vërtetë autentikë të flamenkos së vjetër. Pra të ketë një kombinim të të dyjave.
Nesër fluturoni drejt Barcelonës. Me çfarë përshtypjesh largoheni nga këtu?
Jam shumë i kënaqur dhe kthehem në Barcelonë shumë i lumtur. Ishte një publik shumë i mirë që më emocionoi shumë./shekulli/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here