Arian Zeneli - JaniReperi kosovar 19-vjeçar, Arian Zeneli – Jani, së shpejti do ta editojë albumin e ri “Ultimatum”.

Në një bisedë për “Epokën e re”, Jani ka treguar se është duke punuar shumë në realizimin e këtij albumi. Jani ka thënë se ka filluar të merret me muzikë që nga viti 2008, ndërsa deri më sot i ka realizuar dy videoklipe.

Jani ka bërë me dije se, krahas muzikës, është edhe duke studiuar. “Jam në vitin e parë në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës”, është shprehur Jani. Ai ka treguar se si i ka lindur ideja të merret me muzikë. “Në fakt, kishte shumë kohë që e vizitonim studion e shokut tim, Arber Qetajt. Aty ia nisem si për humor të merremi me muzikë. Shumicën e këngëve i incizoj aty në studion ‘RAP-SOUDRECORD’S’. Zhanri hip-hop gjithnjë më ka pëlqyer. Do ta vazhdoj këtë zhanër të muzikës”, ka thënë Jani.

Jani është shprehur se dy videoklipet e realizuara “E Bon Mir Ti Baby” dhe “M’FAL NONE” janë mirëpritur shumë mirë nga publiku kosovar. “Deri më tani i kam realizuar dy videoklipe. Njëra këngë e titulluar ‘E Bon Mir Ti Baby’ është punuar në studion e Genc Prelvukajt, ndërsa këngën tjetër ‘M’FAL NONE’ e kemi punuar së bashku me Arbër Qetajn. Kjo këngë ka domethënie të madhe për ata që e kuptojnë, por edhe për mua”, ka theksuar Jani.

Jani i ka falënderuar të gjithë ata, të cilët e kanë mbështetur në realizimin e dy videoklipeve të mëhershme. “Të dy videoklpiet janë pritur shumë mirë. I falënderoj të gjithë ata të cilët më kanë përkrahur. Gjithashtu, falënderoj shumë produksionin ‘MenMedia’, i cili më ka përkrahur shumë”, është shprehur Jani. Për suksesin e arritur ai e ka falënderuar edhe familjen. “Mbështetje për realizimin e këngëve të reja kam gjithmonë prej familjes dhe shoqërisë. Besoj se edhe këngët e tjera do të jenë më të mira. Shpresoj t’i pëlqejnë publikut”, ka thënë reperi Jani.

Edhe pse i ri në moshë, ai ka deklaruar se nuk do të ndalet së realizuari këngë të reja. “Çdo fillim është i vështirë, por nëse ke vullnet për punën që e dëshiron, ua arrin sukseseve. Gjithashtu, nëse ke përkrahje, gjithmonë ke për të pasur suksese dhe shumë më lehtë i kalon vështirësitë”, është shprehur Jani, i cili është bir i një dëshmori. “Babai im është dëshmor. Ai ka qenë komandat i Brigadës 132, e cila ende mban emrin e babait. Ndihem shumë krenar jo vetëm për babanë, por për të gjithë dëshmorët që kanë derdhur gjak për lirinë tonë”, ka treguar ai.

Ndër të tjera, ai ka bërë me dije se është pjesë e “G-BLOOD”, në të cilin grup bëjnë pjesë shumë reperë dhe artistë nga shumë qytete të Kosovës. Jani ka thënë se për të ardhmen ka shumë plane. Një ndër to edhe realizmin e albumit të titulluar “Ultimatum”. “Kam shumë plane për të ardhmen. Jam në përfundim të albumit tim të cilin kam vendosur ta titulloj me emrin ‘Ultimatum’. Gjithashtu, gjatë këtij muaji do ta finalizoj edhe një këngë me reperin Ghetto. Këngën do ta realizojmë në studion e Genc Prelvukajt. Po ashtu do t’i publikoj edhe disa këngë të reja me anëtarë të grupit”, ka treguar Jani. /Epoka e Re

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here