Irma në fundvit më duhet të jem edhe grua shtëpieDitët kalojnë dhe asnjëherë nuk gjendet në të njëjtin vend. Udhëtime pafund për të kënaqur gjithë popullin shqiptar në diasporë.

Sapo ka përfunduar një tur dyjavor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada bashkë me dy motrat kosovare dhe momentalisht gjendet në Tiranë. Nuk i ka shumë qejf intervistat apo të rrëfejë për veten, dhe ne me ngulm i shkëputëm pak minuta kohë për të na rrëfyer diçka të re për suplementin ‘Bluetooth’.

Kafenë e mëngjesit e pi gjithmonë me bashkëshortin në një lokal në qendër të Tiranës, ndërkohë që aty e gjetëm dhe ne, ndërsa Irma na pret gjithë dashamirësi. Plane pafund për në vijim dhe trokitja e ndërrimit të viteve, këtë vit do ta zërë diku tjetër, përsëri duke kënduar.

Ka shumë kohë që publiku nuk e sheh me një tjetër bashkëpunim me Erandën, dhe për Irmën tani është koha që të vijë realizimi i radhës me të motrën. Këto dhe të tjera Irma na i tregon në këtë rrëfim.


Një periudhë shumë e ngjeshur për ty. Udhëtime pa fund në koncerte. Si ka qenë kjo periudhë dhe ku ke kaluar më mirë?
Muaji që lamë pas ka qenë me punë plot për mua. Përveç punëve në Shqipëri, kisha një tur dyjavor në SHBA dhe Kanada. 6 koncertet e mëdha ishin në Ohajo, Çikago, Detroit, Dallas, Toronto dhe New York, së bashku me motrat Mustafa nga Kosova, që u bëmë në të vërtetë tre. Të gjitha koncertet kanë qenë të mirëorganizuara. Një festë me shqiptarët e të gjitha trojeve tona. Ndihesha mirë, ‘tironsit’ bënin tifo për vajzat nga Kosova, sikurse më vinte mirë që struganët apo ana e Malit (Mali i Zi), gëzonin me muzikën time e të motrave kosovare.

Bukur. Dhe, pak politikë atdhetare. Pse jo? Festa e Flamurit tonë ishte. Një falenderim të veçantë kam për Ilirin në Ohajo. Ajo mbrëmje i kaloi kufijtë e saj argëtuese, duke sjellë me vete edhe vendimin e bashkisë së atij vendi për të vendosur edhe ne simbolin tonë në këndin ku përfaqësoheshin komunitetet. Nënë Tereza jonë do jetë atje. Një tjetër falenderim shkon për Jeton’s Party. Gjithë mirënjohjen time për dëshirën dhe seriozitetin e koncerteve.

Si do të jetë vijimi me koncertet?
Dhjetori ka edhe më shumë punë. Të gjithë duan të festojnë, të blejnë, të gëzojnë. Edhe unë jam pjesë e këtij dekori. Në këtë atmosferë feste, çelësi që kurdis menjëherë zemrat e njerëzve është edhe muzika.
Duke qenë se ju një ikonë e muzikës shqiptare…Në cilat faza mendon se është muzika aktualisht?
Në këto ditë të gëzuara, ku gjithë atmosfera merr ngjyra, zhurmë e ka tjetër ngarkesë emocionale, nuk do doja të kritikoja askënd, as muzikën. S’e kam edhe aq fort për zemër pozicionin e të ‘dhënit mend’. Gjërat kanë rrjedhën e tyre.

Dhe, muzika dhe çdo zhvillim ka rrugën e vet. Vlerën nga antivlera, koha e ndan më mirë. Këtu po e lë…
Sipas teje, cilët janë zërat që vërtet premtojnë dhe janë të mirë?
Kemi zëra të bukur plot. Imitojnë nga pak modelet që vrullshëm i sjell bota, por prapë janë produkt i këtij vendi, të pasur në melizma, zëra me dritë, zëra shqiptarë.

Ke menduar për ndonjë tjetër këngë me Erandën? Ndonjë projekt për në vijim?
Jemi duke menduar me Erandën për të realizuar një tjetër këngë bashkë. U bë kohë që s’kemi kënduar të dyja. S’kemi qëlluar ndonjë gjë, ndaj dhe më mirë kemi preferuar të shohim, dëgjojmë ku do të ndalemi.

Cila është motoja në punën tënde?
Të mos marr përsipër një punë që nuk di ta bëj. Të bëj më të mirën e mundshme në sipërmarrjet e mia, dhe pas çdo fundi të shtrëngoj duart me njerëzit që kam pasur punë.

Ku do të të gjejë fundviti?
Përveç punëve dhe profesionit, kam edhe ca punë të tjera që i përkasin familjes. Çdo gruaje, sipas traditës sonë, i duhet të bëjë përgatitjet e fundvitit dhe nëse ajo punon, duhet t’i lërë gati të paktën. Sofra e Vitit të Ri për mua ka shumë vite që nuk ka stacion. Festoj duke punuar e punoj duke festuar, po me Besnikun ama gjithmonë. Do të jem në Kosovë në fundvit, së bashku me Erandën. Ç’të bësh? Artistët, shtegtarë të përjetshëm.

Do të bësh dhurata?
Po, do bëj. Patjetër. Ja kam nisur. Gëzohem shumë kur më bëjnë, akoma më shumë kur dhuroj.

Çfarë urimi do të jepje për Vitin e Ri?
Shumë diell për shëndetin, të zhurmshëm për punë të mira, të paqtë në familjen mbarëshqiptare.
/Bluetooth/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here