Kanë kaluar shtatë muaj, nga dita kur sopranoja e njohur Inva Mula u bë nëna e një vajze pas martesës me Et’hem Ramadanin, dhe në këtë 100-vjetor të Pavarësisë ajo jep koncertin e saj të parë në Shqipëri pas lindjes. Ajo ka bashkëpunuar me kompozitorin Genc Tukiçi, për të sjellë si kompozime të ripunuara këngët e njohura shqiptare në koncertin madhështor që Inva Mula do të mbajë më 28 Nëntor në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

Tashmë janë realizuar dy klipe që Inva realizon në kuadër të këtij koncerti nga “Pro Video”, nën regjinë e Edlira Bahollit. Për imazhin e saj, përfshirë veshjet dhe gjithçka, po punon stilisti Joni Peçi, ndërsa për make up, Artur Muça. Në lidhje me mënyrën e prezantimit të saj, dhe stilin e veshjeve në këtë koncert të madh, Joni pohon për “Panorama” se: “Është një kënaqësi e vërtetë të punosh për këtë koncert të organizuar per 100-vjetorin e Pavarësisë. Inva po vjen në një formë të shkëlqyer si nga ana artistike, ashtu dhe ajo fizike pas lindjes së vajzës. Dua të theksoj se vërtet jam mahnitur nga linjat e saj, që ishin më perfekte, madje dhe para lindjes, ndërkohë që jam emocionuar nga muzika që kam dëgjuar gjatë regjistrimit të dy videoklipeve me këngët e Shqipërisë, siç është “Për ty atdhe”, që Inva i ka sjellë të ripunuara”, thotë ai.

Koncertin thuhet se Inva do ta prezantojë vetë, ndërsa ka të ftuar shumë artiste me emër nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia etj. Po si do të jenë veshjet e saj në këtë koncert?“. Patjetër që do të ketë një ndërthurje të së kuqes me të zezën, ngjyrat që i shkojnë për shtat këtij 100-vjetori, por të miksuara me veshjet autentike shqiptare në fustane të realizuara me materiale moderne”, thotë Joni Peçi, i cili punon prej nëntë vitesh me sopranon. Ai pohon se sopranoja mban një regjim të mirë për sa i lejon axhenda e ngjeshur e koncerteve, gjë që reflektohet edhe në linjat e saj të mira. Për sa u përket parapaskenave nga xhirimet e dy klipeve dhe provave për koncertin, Joni pohon se: “nga konfidenca që kemi gjithë kohën Inva flet për vajzën, duke u shkëputur herë pas herë për të qenë në kohë në ushqimin me gji”. Ndërsa për sa i përket ndikimit që bashkëshorti i saj Et’hem Ramadami ka në prezantimet e saj skenike, stilisti Joni Peçi tregon se “ai nuk ndërhyn aspak në këtë pjesë.

Et’hemi është profesionist dhe në këtë martesë patjetër që ka marrë parasysh jetën e një artisteje të madhe si Inva, botën e artit që kërkon impenjim dhe përkushtim”. Inva u bë nënë për herë të dytë, ndërsa ka një djalë 17-vjeçar nga martesa e parë, Anthony. Vetëm 2 muaj pas lindjes së vajzës, Nina, sopranoja u kthye në skenë me rolin e Mimisë, në operën e “La Boheme” të Giacomo Puccinit, në Les Chorégies d’Orange.  PanoramaPlus

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here