Emri i Inva Mulës është ai i një institucioni arti për Shqipërinë në botë. Po bëhen afër dy dekada që sopranoja me famë botërore korr suksese të njëpasnjëshmë, të cilat njëherazi i shkojnë asaj dhe rrisin ndjeshmërinë e krenarinë e shqiptarëve dhe Shqipërisë.

Rastet e tilla kanë qenë të shumta, ndërsa është i paharueshëm e gati-gati magjik, për vetë Invën e për të gjithë ne, ka qenë kur dy vjet më parë ajo së bashku me Plaçido Domingon u duartrokit 30 minuta pa pushim në Madrid.

Edhe pse pa dashur të duket patriote, në këtë intervistë Inva pohon se më mbresëlënëset kanë qenë duartrokitjet e publikut shqiptar. Aktualisht është në prova për shfaqjen që do të nis këtë sezon artistik. Është pikërisht opera “Fausti”, që do të vihet në operën gjigande të Parisit “Bastille”, në një shfaqje moderne të konceptuar si ngjarje fantastiko-shkocore, në fund të së cilës Margaritës (Invës), i pritet edhe koka.

Në këtë bisedë elektronike me Invën, ndërkaq do të mësojmë përveç të tjerave edhe projektet e ardhshme të fondacionit “Hi Classic”, të cilin sopranoja e drejton me partnerin e saj Et’hem Ramadani, siç është ai për 100 vjetorin e Pavarësisë. Por për më tepër, le t’i zbulojmë pak nga pak në këtë udhëtim të këndshëm.

Zonja Mula, si ndiheni në këtë fillim sezoni artistik?

Me shumë energji dhe dëshirë për të realizuar një sezon të suksesshëm .

“Fausti” është një opera, me të cilën ju jeni ngjitur edhe më parë në skenë. Cila është ndjeshmëria juaj sërish në këtë rol?

Është e vërtetë që është një rol që e kam interpretuar më parë, por çdo herë për mua është një herë e parë ! Ky produksion është tepër special pasi është konceptuar për teatrin gjigand të operës së Parisit Bastille, ku përmasat e skenës dhe mundësitë teknike bëjnë të mundur dhe të pamundurën e një teatri më të vogël! Kjo shfaqje është konceptuar si një ngjarje fantastiko- shkencore dhe ka transformime maramendëse gjatë ndërimit të skenave të cilat ndodhin në sy të publikut. E ndjej vetem me shumë fat që artistit në një teatër si ky i Parisit, i serviret një shfaqe e këtyre përmasave dhe e këtij niveli pa presedent! Madje mund t’ju them dhe një detaj tepër interesant ‘në finale të shfaqjes realizohet dhe një akt gijotinë, ku personazhit tim Margeritës i pritet koka! E merni me mend që me efekte speciale kjo realizohet dhe për publikun do jetë një moment tepër tronditës. (Sigurisht që më kanë fabrikuar një kokë me silicon, e cila befason të gjithë në skenë dhe jashtë saj)!

Keni interpretuar dhe shkëlqyer në role nga më të ndryshmet, për ju vetë cili është personazhi që dëshironi më shumë… që ndiheni vetvetja… dhe keni një histori që ju lidh me të?

Dikur kam patur role të preferuara si Violeta në “La Traviata”, Mimi në “La Boheme”, etj. Ndërsa tani në stadin e karrierës më interesojnë vetëm role të reja apo produksione tepër speciale dhe origjinale.

Keni marrë vlerësime dhe duartrokitje nga personalitete të botës. Cila ka qenë më e paharruara për ju?

Vlerësimet dhe duartrokitjet janë të panumërta, të cilat më kanë shoqëruar dhe mbushur shpirtërisht, por mos ma merni për patriotizëm, por më mbresëlënëse janë ato që m’i ka dhënë publiku shqiptar .

Gjatë këtij viti keni interpretuar në Bejrut gjatë festivalit “Al Bustan”, ku jeni komentuar për repertorin miks, që nga ai klasik tek ato popullore si “Fër, fër ma bën fustani”. Përzgjedhja e repertorit shqip ka qenë e mirëmenduar prej jush për të çuar diçka shqiptare në atë skenë?

Ashtu është. Kam disa vite që krahas repertorit klasik rreshtoj dhe repertorin shqiptar, i cili ndonëse modest është tepër origjinal për publikun dhe fundja me këtë repertor identifikohem unë për vendin ku kam lindur dhe muzikën që më ka ushqyer !

Gati dy vjet më parë jeni duartrokitur për 30 minuta pa pushim së bashku me Plaçido Domingon për interpretimin në operan “Simon Boçanegra”. Rast, sigurisht I rrallë. Sot, si e kujton atë natë, atë moment, atë përjetim?

Po është e vëretë dhe më shumë se 30 minuta! Shfaqjet ishin tepër emocionuese, këndoja me Placidon në vendlindjen e tij, përpara një publiku të elektrizuar nga dëshira për të shijuar dhe vlerësuar çdo notë që dilte nga goja e artistëve, opera ndiqej në sallë nga familja mbretërore dhe mbretëresha Sophia dhe jashtë në një ekran gjigand gjendeshin 10 mijë spektatorë! Ishin momente magjike, të cilat do mbeten nga më të bukurat e karierrës sime.

Zonja Mula, së bashku me partnerin tuaj Et’hem Ramadanin në emër të fondacionit “Hi Classic” vetëm këtë vit keni dhënë dy Çmime Karriere për artisten Drita Pelingu dhe dirigjentin Rifat Teqja. Çmime që janë shoqëruar edhe me një honorar domethënës për këta njerëz. Është një mënyrë kjo e juaja për të shëprblyer ata njerëz, që në fakt në fakt do të duhej t’i shëprblente shteti?

Qëllimi i fondacionit “Hi Classic” është të vlerësojë artistin shqiptar për vlerat e tij dhe kontributin e dhënë për artin shqiptar. Këtë vit ne vlerësuam dy emra të mëdhenj si zonja Drita Pelinku apo zoti Rifat Teqja, por dhe një djalë 13 vjeçar, i cili premton. Ky vlerësim më në fund bëhet nga artist dhe artëdashës dhe aspak nga burokratë apo njerëz që janë mësuar të paragjykojnë. Këtu nuk pretendojmë të bëjmë atë që nuk ka bërë shteti, por me modesti të japim një vlerësim në mënyrën tonë.

Cila është ndjeshmëria juaj për jetën e artistëve (brezin e vjetër kam parasysh) në Shqipëri? A ju është shpërblyer sa duhet dhe si duhet puna që kanë bërë?

Në këtë pikë unë jam shumë sensibël, pasi jam bijë e dy artistëve pensionistë! Ajo që artistëve shqiptarë ju mohua ishte dhënia e mundësisë për ta bërë artin e tyre të lirë, atë që duket tepër normale sot. Duhet të mos harrojmë që artisti shqiptar ka qenë vegël e regjimit dhe e ideologjisë së tij; arti ka qenë i censuruar si koseguencë dhe artisti shqiptar ka qenë antikap në mënyrën e të shprehurit. Ato breza artistësh dolën tepër të varfër financiarisht, por jam e bindur që kanë vlerësimin më të vlefshëm, i cili nuk blihet me para atë të popullit që i ka dashur dhe respektuar!

Cila do të jetë iniciativa e rradhës e fondacionit “Hi Classic”?

Në adresën e fondacionit tonë kërkesat janë të përditeshme. Ne po përballohemi me një fluks të madh projektesh, iniciativa dhe idera të cilat disa dhe tepër interesante, por është e pamundur t’u përgjigjemi sikur të kishim dhe buxhetin e BE-së. kështu kemi vendosur të seleksionojmë me kujdes atë që për ne është me origjinale. Gjatë vitit në vazhdim do kurojmë projekte që lidhen me 100-vjetorin e pavarësise dhe besoj se do realizojmë aktivitete që do të jenë dhe në lartësinë që shënon dhe kjo ngjarje për Shqipërinë.

Zonja Mula, pas “Faustit” si do të vijojë sezoni juaj artisti?

Ky sezon është shumë i ngjeshur dhe me projekte interesante! Pas Faustit do filloj një proksion të ri të operes “Thais” të kompozitorit Jules Massenet! Është vepër tepër interesante dhe jam shumë e kënaqur që opera e Avignonit e vë në skenë pas kërkesës sime. Ishte pikërisht ky titull që i propozova drejtorit të këtij teatri dhe ai e programoji për të përmbushur dëshirën time. Tani s’më mbetet gjë tjetër veç të përmbush besimin që më kanë dhënë./Gazeta Mapo/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here