Sopranoja Inva Mula edhe pse është duke pritur ardhjen në jetë të vajzës së saj të parë me bashkëshortin Et’hem Ramadani, nuk i ka lënë pas angazhimet e karrierës artistike.

Vetëm një muaj pas lindjes, ajo do të ngjitet në skenën e Festivalit të Muzikës Klasike “Choregies Orange” që zhvillohet në teatrin antik “Orange”, në një nga monumentet më të bukura në Francë, që vjen si dëshmi e epokës romake. Në këtë skenë do të shfaqen në fillim të muajit korrik dy nga operat më të famshme të Puçinit, “La Boheme” dhe “Turandot”.

Sipas AFP-së, sopranoja shqiptare Inva Mula do të interpretojë rolin e saj më të dashur, Mimi në operan “La Boheme” që çel dhe festivalin më 7 korrik. Programi i festivalit është bërë publik pak ditë më parë, çka do të thotë dhe rikonfirmim nga ana e Inva Mulës që do të jetë pjesë e projektit të vënies në skenë të kësaj opere. Ndërkohë që duket se sopranoja edhe pse shtatzënë, është e angazhuar në provat e koreanit Myung-Whun Chung që do të vërë në skenë këtë opera. “Ylli i skenave operistike, sopranoja Inva Mula është mësuar tashmë me rolin e Mimi-t te opera ‘La Boheme”, – shkruan AFP.

Kjo opera i është besuar dirigjentit Jugut Myung-Whun Chung nga Koreja e Jugut, i cili do të drejtojë Orkestrën Filarmonike të Radio-Francës. “Kjo opera që ndërthur gëzimin, dashurinë dhe dëshpërimin, do të ngjisë në skenën e teatrit antik sopranon shqiptare Inva Mula në krah të baritonit Tézier Ludovic, si dhe bas-baritonin italian Marco Spotti, i cili për herë të parë merr pjesë në këtë festival dhe përkrah dy yjeve si Inva Mula dhe Tézier Ludovic”, – shkruan AFP. Festivali operistik “Choregies Orange” zhvillohet nga data 7-31 korrik, por biletat për publikun janë shitur tashmë dhe programi i festivalit është publikuar pak ditë më parë në një konferencë për shtyp.

Opera tjetër e Puçinit “Turandot” do të drejtohet nga Michel Plasson dhe Orkestra Kombëtare e Francës. Programi i festivalit përfshin dhe vepra të tjera nga Mozarti, Rossini, por dhe koncerte të muzikës lirike. Rezervimet e biletave për këtë festival janë mbyllur që në tetor të 2011-ës. Ky festival është ndër ngjarjet më të rëndësishme që daton që në vitin 1860 dhe është festivali më i vjetër në Francë.

Skena antike ku zhvillohet ky festival mban rreth 9.000 spektatorë dhe është një nga skenat që renditet në vendet e para për sa i përket akustikës. Përdorimi i kësaj skene për shfaqje muzikore filloi të përhapej aty rreth vitit 1971 dhe në këtë skenë janë ngjitur këngëtarët më të mëdhenj lirikë të të gjitha kohërave.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here