Ina Shaqiri, modelja, aktorja dhe biznesmenja kosovareIna Shaqiri është njëra prej femrave më aktive në Kosovë. Bukuroshja nga Ferizaj, krahas modelimit, me të cilin u bë e njohur, kohëve të fundit e ka nisur edhe një biznes të saj privat, ndërkohë që e ka provuar veten edhe në aktrim.

28 vjeçarja, edhe pse gjatë gjithë kohës është e zënë, e menaxhon mjaft mirë kohën, duke ia dalë që ndërkohë t’i kryejë të tria këto punë.

Fillimisht, ajo e prezanton veten, duke nisur nga modelimi, me të cilin nisi gjithçka në karrierë. “Jam Ina Shaqiri nga qyteti më i mirë i Kosovës, nga Ferizaj. Kam studiuar në fakultetin e Edukimit. Si hobi mund të them se e kam modelimin, pasi kam marrë pjesë në revy të ndryshme si dhe kam organizuar revytë e mia në qytetin tim”, tregon fillimisht Ina për “Zërin”.

Image
Aktrimi po i ecën për mrekulli

Krahas modelimit, ajo e ka provuar veten edhe në aktrim, ku po i ecin punët mjaft mirë. “Unë nuk jam ndalur me kaq. Kam pasur rol edhe në një dramë të regjisorit Adem Mikullovci-“Baba”, si dhe në serialin më të ri shqip të regjisorit Krenar Belegu-“192”, që do të shfaqet së shpejti në RTK”, shpjegon ajo.

Image
“InAlb Decor”, kompania e Inës

Ina është femër mjaft ambicioze dhe nuk kënaqet me pak. Prandaj, ajo e ka zgjeruar diapazonin e saj, duke e hapur edhe një biznes dekorimesh, përmes së cilit organizon ahengje të ndryshme, përfshirë këtu dasmat, ndejat etj.

“Sa i përket pjesës biznesore, kam një biznes të hapur prapë në qytetin tim, që si përshkrim mbi të mund të them se ka të bëjë me të bukurën. “InAlb Decor” është kompania që mban një emër shumë domethënës për mua. Janë inicialet e emrit tim dhe shoqes sime, Albulenës, ani pse ajo nuk është pjesë e kompanie, por unë e mbaj këtë biznes me motrën e saj, Donikë Çalaj. Ajo është e mrekullueshme, studion në fakultetin teknik, Hoteleri dhe Turizëm. Profesioni i saj na hyn shumë në punë. Pra, “InAlb Decor” drejtohet nga Ina dhe Donika”, vazhdoi Ina.

Image
Të tria profesionet i ushtron me kënaqësi

Përkundër punës së lodhshme dhe mundit, Ina nuk e ka ndërmend të ndalet. Ajo do të vazhdojë t’i ushtrojë të tria profesionet, pasi vullneti nuk i mungon assesi.

“Unë i dua të gjitha këto profesione që i ushtroj. Mund të them se me kënaqësi e vullnet, iu përkushtohem të gjithave. Modelimin mund ta quaj vetëm hobi, ndërsa me filmin e kompaninë do të vazhdoj aq sa më lejon Zoti”, thotë zonjusha Shaqiri.

Image
Ndër të tjera, ajo nuk e harron edhe bashkëpunimin e fundit fotografik. “Mund të them se së fundmi jam duke bashkëpunuar me fotografin tim, i cili tash është Flamur Ilazi nga Ferizaj”, përfundoi Ina.

Pa dyshim, ferizajasja është një femër mjaft aktive, me objektiva të qartë. Ajo është e vendosur të arrijë sa më lart, t’i kap majat, në secilin profesion që e kryen. E kur ka vullnet dhe përkushtim, suksesi është i garantuar. /Zëri/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here