Prej dy vjetësh ajo drejton institucionin hijerëndë të Prokurorisë së Përgjithshme. Edhe pse imazhi i saj është krejt në kontrast me atë çfarë përfaqëson.

Pasi ëmbëlsia që përcjell përmes portretit, shtatit apo edhe fjalës, i thyejnë të gjitha hezitimet për t’iu afruar kryeprokurores Ina Rama. E megjithatë nëse para dy vjetësh, kohë kur ajo u vendos në krye të këtij institucioni, u tregua e hapur ndaj intervistave personale, së fundmi impenjimet në punë e kanë kufizuar së tepërmi.

Por “Bluetooth”, pas tentativave të shumta për t’u servirur jetën e kryeprokurores Rama, më në fund duket se ia ka dalë mbanë. Madje, ndjekja jonë ka arritur deri në Elbasan.

Këtë fillimjavë, babai i Ina Ramës, regjisori Haxhi Rama ka dhënë premierën e komedisë “Një lidhje për zgjidhje” në teatrin “Skampa” të qytetit të Elbasanit. Ina, si një ndjekëse e rregullt jo vetëm e shfaqjeve të të atit, por të gjithë aktiviteteve kulturore, është zhvendosur në qytetin fqinj të Tiranës. Ajo ka qenë e shoqëruar nga bashkëshorti i saj dhe dy vajzat e vogla, të cilët zbulohen për herë të parë në faqet e suplementit tonë.

Sapo është futur në teatër, krejt natyrshëm ka tërhequr vëmendjen dhe ajo si gjithmonë e mirësjellshme ka respektuar njerëzit e pranishëm, si dhe miqtë e të atit. Më tej është ulur me familjen e saj në një prej llozhave të teatrit. Sigurisht që gjatë gjithë këtij procesi ajo është shoqëruar nga sytë e kureshtarëve.

E veshur me një pallto të kuqe, ajo duket se ka përcjellë atmosferën festive, e po aq binin në sy edhe dy bukuroshet e saj të veshura përkatësisht me pallto çiklami dhe të bardhë. Veshje që sigurisht janë zgjedhur me shije nga mamaja e tyre, që gjithmonë ka rënë në sy për një paraqitje sa serioze aq edhe moderne. Pasi kanë shijuar shfaqjen gjithë humor, Ina dhe familja e saj i është kthyer kryeqytetit për të vazhduar ritmin e përditshëm./Bluetooth/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here