Është padyshim një ndër fotografët më të njohur shqiptarë, me një famë të padiskutueshme në shkallë botërore. Para aparatit të tij kanë pozuar me qindra personazhe të shquar nga bota e modës, politikës, muzikës, biznesit e jo vetëm prej tyre…

Sepse i tillë është Sonny, një shqiptar me një dashuri të thellë për vendlindjen e tij, emrin e së cilës mundohet çdo ditë ta ngrejë më lart nëpërmjet punës së tij si fotograf me iniciativa të jashtëzakonshme e humanitare. Por jo shumëkush i di fillesat e të madhit Sonny në artin e fotografisë. Emri i tij është padyshim më i lakuari për sot dhe vërtetë i dashur për publikun shqiptar.

Në një intervistë ekskluzive për gazeten “Telegraf”, Sonny rrëfen fillimet e tij në fotografi, personazhet shqiptarë me të cilët ka punuar dhe shumë gjëra të tjera. Ai rrëfehet natyrshëm pa emocion por me shumë përgjegjësi. Në bisedë tregohet korrekt duke ruajtur sensin e masës. Është i lidhur shumë me profesionin dhe pëlqen konkurrencën e ndershme në profesion.

Si je gjendur në profesionin aktual ?

Jo rastësisht. Jo çdo gjë është e rastësishme në jetë. Që i vogël më pëlqente të bëja foto me çfarëdo aparati të më binte në dorë. Ishte ky pasion i madh për aparatin fotografik, që më futi në botën e madhe dhe të bukur të fotografisë, ku tashmë u bënë vite që ushtroj këtë profesion.

Si e vazhdove këtë rrugë?

Duke lexuar çdo gjë që kishte dhe ka lidhje me fotografinë. Lexoja për jetën e fotografëve më të mirë të botës sigurisht dhe për markat dhe llojet e aparateve fotografikë. Fotografët me zë kanë një jetë shumë interesante që më fusnin dhe më fusin në mendime dhe në zhbirime të tilla jetësore, që më japin dije të mëdha. Aq më tepër që industria e aparateve fotografikë ka marrë një zhvillim të paparë. Sot sheh aparate që të shtangin kur i vëren nga vitrinat.

Cilat kanë qenë firmat më të mira dhe më të mëdha që kanë qenë të besuara në punën tënde?

Sigurisht të shumta, saqë dhe nuk i mbaj mend. Përmend këtu: “Albtelekom”, “Plus”, “Bonavita”, “Stef”, “Birra Tirana”, “Birra Stela”, “Bellair” e shumë të tjera.

Cilat janë angazhimet e momentit?

Si fillim, dua të them që unë jam fotografi zyrtar i një agjencie mode : Icon-Agency, gjithashtu, kam disa projekte fotografike me disa personazhe nga bota artit. Pra, është një jetë e ndërthurur, ku koha vetiu ecën pa e ndjerë. Bota e fotografisë është një magji që ta heq nocionin kohë.

Para jush kanë pozuar me qindra personazhe të njohur nga bota e modës, politikës, muzikës etj.. Na përmend disa emra?

Siç e përfshitë dhe në pyetje janë shumë, ku unë mund të përmend vetëm disa si: Ilir Meta, Jozefina Topalli, Rozana Radi, Ermal Merdani, Hermes Nikaj etj..

Thonë që nuk ka industri mode në Shqipëri, Ju si fotograf, çfarë mund të thoni?

Në fakt e kam dëgjuar shpesh dhe më vjen keq sepse e thonë pikërisht ata që ndërkohë merren me këtë gjë. Është mëse normale që s`mund të flasim për industri si vendet e botës, por gjithsesi edhe këtu ka shumë përpjekje për të arritur. Stiliste, Modelë, Fotografë, janë në gamën e modës, ku secili përpiqet në një mënyrë apo tjetër të sjellë diçka të re. Ndoshta, fakti është se shumë herë duke mos pasur dhe një edukatë mode shumë gjëra nuk perceptohen. Është më e thjeshtë të flasësh kundër sesa të ecësh me hapin e kohës.

Në gjykimin tuaj, si janë shqiptarët me modën dhe a mendoni se ata dinë t’i diferencojnë veshjet ?

Mendoj që shqiptarët nuk kanë një etikë veshjeje dhe që nuk dinë ta diferencojnë atë.

Çfarë do të donit të këshillonit për modën?

Këshilla ime do të ishte që ta ndajnë veshjen, ndryshon një veshje për të shkuar ne shkollë ose punë dhe ndryshon një veshje kur del në darkë për të pirë një gotë.

Cili është personazhi shqiptar i veshur më mirë, sipas jush?

Do të vecoja Ina Ramën, e cila në daljet e saj publike duket vërtet këndshëm dhe me një veshje të përshtatshme që i takon postit të saj. Gjithashtu dhe Jonida Maliqi, e cila është një kameleon i shndërrimeve në look, gjithmonë na surprizon.

Jeni për martesë apo bashkëjetesë?

Sigurisht, të dyja në kohën e duhur. Mendoj se një bashkëjetesë ka më shumë shanse për një martesë korrekte.

Pro apo kundër martesave Gay ?

Totalisht Pro. Është viti 2012 ! Tashmë në jetë, në demokraci nuk ka pse të ketë tabu. Jeta shfaqet me të gjitha ngjyrat e ylberit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here