Ajo i beson suksesit të emrit, që nëse do të jetë e preferuara e publikut, ata do ta ndjekin në çdo ekran që të shfaqet. Dhe ndaj është kundër reklamimit të vetes vend e pa vend, siç mund të jetë dhe pjesëmarrja në eventet high class me personazhe të zgjedhur.

“Miss Albania 1995”, Hygerta Sako, e cila në këtë sezon të ri shfaqet si moderatore e programit “Drejtpërdrejt” në TVSH me Ketrin Gjoçaj, flet për eksperiencën e saj të re në këtë format familjar, marrëdhënia me vajzën gjashtëvjeçare dhe stilin e jetës si një ish-miss.

Rikthehesh në ekran me një program pasdreke në TVSH, që është serioz dhe familjar. Pse kjo zgjedhje?
Programi erdhi në kohën dhe momentin e duhur. Unë e ndjeva që isha gati për të moderuar një program të tillë, që ka autorësinë e Alda Bidës. Deri tani kam qenë prezente në ekran me programe televizive të këndshme, interesante dhe rinore, por një program në përmasa të tilla, dhe me këtë lloj serioziteti në përmbajtje, ky është i pari që unë moderoj. Pavarësisht se unë kam trajtuar tema interesante me programin “Venus” në TVA, apo në “Jo vetëm kafe” në TVSH prej katër vitesh, por kësaj here vij më e rritur, më e pjekur dhe më me eksperiencë. Nga ana profesionale më përshtatet shumë, pasi aty promovohen vlera, flitet për problematika e fenomene, që na shqetësojnë të gjithëve, dhe mua të parën.
Të ndodh të përfshihesh me pasion në debatet me të ftuarit, ndien ankthin e të papriturave?
Deri tani nuk kemi pasur të ftuar që përplasen me mendime të kundërta, pasi aty lind debati. Megjithatë ne trajtojmë tema të rëndësishme, ku duhet të tregohem shumë e kujdesshme, që do të thotë as të improvizoj apo të flas ç’më vjen në mendje, pra të jem shumë e kujdesshme në çfarë them. Madje në trajtimin e temës “Krimi për pasion”, ndërsa kishim hyrë në diskutimin se si po trajtohet femra shqiptare nga një burrë apo i dashur, që në fund të fundit po ndodh që po i merr dhe jetën, unë mbajta qëndrim personal duke hyrë në debat me shumë pasion. Në këtë rast m’u bë vërejtje, pasi moderatorja duhet të jetë më shumë ngacmuese për të nxitur debat, sesa të mbajë qëndrim personal.
Programet e pasdites në televizione janë kthyer në tendencë. Si e ndien veten në këtë konkurrencë me programet e tjera?
Si fillim programi vjen konkurrues në cilësi, përmbajte dhe imazh, e për më tepër që është 5 orë e gjysmë transmetim, nga e hëna deri në të enjte. Stacionet e tjera televizive e kanë realizuar këtë kohëzgjatje vetëm një të diel. Do ta cilësoja një aventurë televizive që deri tani ka shkuar shumë mirë. Për sa i përket konkurrencës, patjetër që ndihet, pasi tashmë publiku të anashkalon me një zapping. Por unë jam e vetmja moderatore në transmetim në atë orar, pasi të tjerat fillojnë pasi unë mbyll rubrikat e mia.
Edhe moderatoret e tjera të pasditeve janë të maturuara. I ndjek për të bërë krahasimin?
Unë nuk shoh televizion, dhe është kontradiktore po ta mendosh se merrem me televizion. Por nuk shoh televizion pasi dita ime është shumë e ngjeshur dhe nuk kam mundësi. Dhe ato momente që jam në shtëpi, toleroj vajzën për të parë “Beng Beng”, ndërsa në darkë preferoj më shumë një film cilësor sesa një program. Në përgjithësi i njoh disa nga prezantueset, si Rudina Magjistarin, tek e cila kam qenë dhe e ftuar dhe e di që ka program të ndjekur.
Vazhdimisht je shprehur se të qenët larg televizionit për ty është gati vuajtje. Pse kjo varësi?
Nuk është varësi, por pasion, pra një punë që më pëlqen ta bëj. Unë jam diplomuar për Aktrim, dhe ndoshta mund të më ofrojnë në rol si aktore, sepse në fund të fundit në këtë profil jam diplomuar. Por pasioni im që fëmijë, përveç të qenët këngëtare që nuk e realizoj dot dhe e kam lënë mënjanë, është televizioni. Thjesht është dashuri, dhe jam shumë e lumtur që bëj atë që më pëlqen.
Sa orë punon në ditë, kur e fillon punën dhe sa zgjat?
Më ndodh që të hyj në TVSH në orën 08:00 të mëngjesit deri në 16:00 pasdite. Këtë punë e dua, nuk e bëj as për përfitime monetare, as për të qenë në qendër të vëmendjes, pasi njëkohësisht jam tipi që nuk më intereson të dal në gazeta apo në ekranet e tjera, që të reklamoj veten.
Ndërkohë që ti mungon në albumet e fotografive për evente, përvjetore apo mbrëmje gala. Pse?
Po, e vërtetë. Në fillimet e mia të karrierës patjetër që i kam frekuentuar eventet që organizoheshin. Ndërsa tani nuk i preferoj për faktin se nuk më pëlqen të reklamohem në këtë mënyrë, sidomos në këto festa, ku ndihet shumë konkurrenca se kush duket më bukur. Nuk më tërheqin këto ambiente, dhe më shumë do preferoja ambientin e shtëpisë me vajzën time gjashtëvjeçare.
Në punën që bën ke fansa, po marrëdhënia jote me jetën virtuale, cila është?
Fansa që takoj përditë në rrugë apo kudo ku shkoj, të cilët më bëjnë edhe komplimente për punën, apo pamjen. Ndërsa fansa virtualë s’kam nga t’i kem pasi s’kam facebook, funpage, twitter etj si këto. Komunikimi virtual më duket humbje kohe, dhe nuk kam ndër mend të bëhem ndonjëherë pjesë.
Sa kohë kalon me vajzën Anais, ke filluar ta kanalizosh që tani në pasionet e saj të fëmijërisë?
Unë nuk jam tipi që dua ta ngarkoj vajzën me anglishten, kurset e pikturës apo muzikës, pasi për mua është herët. E kam çuar në balet për t’u kënaqur dhe për të fituar linja të mira, e çoj në not pasi është mbreti i gjithë sporteve dhe ajo e do. Vajza ime bën jetën e një fëmijë, që i pëlqen të luajë. Nuk jam me atë që duhet t’i mësojë të tëra pa u rritur ende.

Hygerta, 17 vite pas shpalljes “Miss”
17 vite më parë ishte e sigurt në bukurinë tënde?
Në fakt, kur mora pjesë në “Miss Albania”, nuk mendoja se do mund ta fitoja kurorën. Qëllimi ishte për ta pasur si trampolinë për t’i hyrë botës së televizionit. E përdora kurorën për këtë qëllim dhe fatmirësisht arrita të merrja atë që doja.
Cili është riti yt i ditës për të qenë në formë?
S’kam asnjë sekret apo rit, thjesht falënderoj Zotin lart, që është treguar bujar me mua.
Merresh me ndonjë sport?
Unë s’merren me sport, jo s’e nuk dua, por nuk kam kohë.
Për të shkarkuar stresin, shkon në palestër?
Nuk jam e fiksuar dhe as e pasionuar pas palestrës. I respektoj të gjithë ata persona që frekuentojnë palestrën, por unë e kam provuar dhe më shumë më streson, sesa më heq stresin. E bëj pa qejf.
Trajtohesh në qendra estetike?
Nuk shkoj në qendra estetike, dhe maksimumi që mund të bëj janë lyerje flokësh dhe modelim thonjsh.
Cilat janë ushqimet që konsumon, ke ndonjë recetë personale?
Jo. Mëngjesin e kam të domosdoshëm, një briosh, patjetër të shoqëruar me kafe. Drekën e konsumoj të bollshme, ndërsa darkën mundohem ta kaloj me ndonjë frut ose sallatë. Aktualisht po mbaj një peshë fikse trupore. Pesha ime ideale aktuale është 65 kg, e kam arritur deri tani dhe do e ruaj me fanatizëm, pasi nuk kam dëshirë as të humb dhe as të fitoj në peshë.
Do dëshirojë ndonjëherë që të arrije elegancën e tipit “kockë e lëkurë”?
Jo, unë nuk dua të dobësohem shumë dhe nuk dua të bëhem kockë e lëkurë. Kjo për arsyen sepse më shkon pak shëndet në fytyrë, pasi në të kundërt humbas freskinë.
Mania jote për të shpenzuar para, kujt i dedikohet?
I dedikohet veshjes, pasi unë shpenzoj shumë për veshjen. Por gjithashtu një pjesë të mirë të parave m’i shpenzon vajza ime Ana, pasi nuk i them dot jo në asgjë. Ajo është mësuar t’i plotësohet çdo tekë, pasi në çdo vend që shkojmë, mjafton të thotë “e dua” dhe unë ia plotësoj të gjitha.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here