Rikthehet pas 12 vitesh si prezantuese e Festivalit të 50- të të Këngës në RTSH, por kësaj here me një status ndryshe.

I kujton me nostalgji vitet kur sapo kishte fituar një kurorë miss-i dhe prestigjin për të qenë një prezantuese festivali ia jepte ajo kurorë.

Pas tri viteve rresht si prezantuese e këtij evenimenti të rëndësishëm të fundvitit që nga viti ‘97, dy herë në krah të Adi Krastës dhe një herë në krah të Gazmend Gjokës, tani sërish në krah të një aktori si Nik Xhelilaj. Zbulojmë prapaskenat e prezantimit të një viti jubile, ku ethet e këngëtarëve do të alternohen me historinë e 50 viteve muzikë e lehtë shqiptare, në katër netë show duke filluar nga 26 dhjetori.

ÇFARË PRITET NDRYSHE NË TRESHEN HYGERTA, NIKU DHE ENKELEDA

Ajo është një miss me shumë vite eksperiencë televizive, aq sa në mbi një dekadë punë si prezantuese festivalesh, spektaklesh bukurie, apo show të përjavshëm në televizion, natyrisht të krijon idenë se tashmë roli i shoqërueses së një mashkulli prezantues me peshë të skenë, ta marrë ajo. Dhe kjo ide përfocohet, duke marrë parasysh që aktori Nik Xhelilaj e ka për herë të parë prezantimin, po ashtu dhe gazetarja sportive e RTSH-së, Enkeleda Zeko, e ka për herë të parë. Hygerta shprehet për këtë rast: “Jemi tre prezantues me një peshë të barabartë në skenë.

Do e mbajmë me pak kimet Nikun se e kemi të vetmin mashkull, që do të thotë se ndoshta shpeshherë do të nisë të flasë ai pari, por pesha e prezantimit është e barabartë mes të treve”, sqaron Hygerta. Jemi kureshtarë të dimë se si do të shkojë ky trinitet, ndërkohë që Festivali i RTSH-së asnjëherë nuk u ka shpëtuar komenteve për formulën e prezantimit, që për vite të tëra ka pasur si figurë qendrore një prezantues mashkull me vetësiguri në skenë dhe dy femra shoqëruese.

“ME NIKUN DO SHKËMBËJMË BATUTA JASHTË SKENARIT”

Gjatë provave me skenarin e Pandi Laços dhe Edlira Birkos, ata kanë zbuluar tek njëritjetri edhe sensin e humorit, duke nuhatur se mes tyre mund të realizohet një prezantim jashtë skemave. Hygerta pohon se: “Mendoj që do shkëmbejmë batuta të momentit në katër netët e festivalit, pasi të tre jemi persona me humor, spontanë, të lirshëm.

Të paktën këtë fakt e kam vënë re dhe te Niku, të cilin po e shoh në prova që ka lirshmëri, dhe pse jo batuta të rastit”. Sigurisht, thotë ajo, që do i përmbahemi një linje të skenarit që është konceptuar, ku alternohet prezantimi i këngëve me një lloj historie të 49 viteve festival. Por pa dyshim do të ketë batuta që do t’i lihen momentit, pra një komunikim spontan me njëritjetrin, pa u dashur që të jenë të përgatitura më parë”.

HYGERTA HYN NË DIETË INTENSIVE

Ajo këmbëngul se në këtë rast nuk i intereson aq shumë pamja sesa prezantimi, ndaj po punon që të shfaqet në skenë e zhdërvjellët. “Ky është një festival jubile, ka ngarkesë të madhe emocionale dhe ngarkesë profesionale sepse nuk është pak të prezantosh festivalin e RTSH-së së fundvitit, dhe ndaj po punoj që të mundem të transmetoj emocionin e 50 viteve”, thotë ajo. Por si do të shfaqet në pamjen e saj?! “Në pamje natyrisht që nuk jam më një vajzë e vogël, si atëherë kur kam qenë 21-22 vjeçe.

Tani unë vij me një tjetër status, dhe mbi të gjitha me një tjetër staturë në skenë. Atëherë unë kam qenë e ftuar më shumë si ai personazhi femër në krah të një mashkulli, ndërsa tani raportet janë ndryshe. S’mund të vij si shoqëruesja e një partneri të zotë mashkull, por me një personalitet të plotë të krijuar në vite dhe të shprehur me vetësiguri”, pohon Hygerta.

Kanë kaluar shumë vite, dhe pas lindjes së vajzës pesë vite më parë, Hygerta ka ndryshuar pak nga linjat që kishte kur u shpall miss. Ndaj ajo, prej dhjetë ditësh ka nisur një dietë impenjative, që duket se i ka dhënë rezulatet e para. “Deri tani ka humbur 2 kg, dhe shumë shpejt shpresoj të humb edhe 2 kg të tjera për të arritur tek pesha 65 kg, e justifikueshme për gjatësinë time”, tha ajo. Për sa i përket look-ut, ajo shprehet se në këtë rast nuk do shqetësohem shumë për të, dhe nuk do mërzitem nëse nuk do pëlqehet ngjyra ime e flokëve, fustani apo vathët.

Jam e prekopuar që të marr vlerësime vetëm për prezantimin”, shprehet ajo. Gjithsesi, tashmë ngjyrën e flokëve e ka portokalli, por në festival ka shumë mundësi të shfaqet me flokë të errëta gështenjë. “Jam duke eksperimentuar me pamjen, dhe dëshiroj që të mos shfaqem ekstravagante si në veshje, ashtu edhe në grim e model flokësh”, përfundon Hygerta.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here