Hueida El Sayed ndihem si 20 vjecJavën tjetër do të jetë nata finale e spektaklit “Një këngë për ty” dhe prezantuesja e saj Hueida Al-Sayed rrëfen për këtë eksperiencë që e ka bërë të mendojë ndryshme për shumë gjëra të rëndësishme të jetës.

Por jo vetëm kaq, ne kërkuam të mësojmë edhe për jetën e saj, dashurinë dhe planet mbas spektaklit.

Finalja e spektaklit “Një këngë për ty” është javën e ardhshme, si të rezulton kjo eksperiencë muzikore mes fëmijëve tani që po shkon drejt fundit?
Mund ta konsideroj si një nga eksperiencat më të bukura dhe më të kompletuara, jo vetëm në planin profesional, por dhe në atë personal.

Në fillim, kur drejtuesit e Televizionit Kombëtar “Top Channel” më propozuan ta drejtoja këtë spektakël, ideja më pëlqeu, por nuk e imagjinova që do të ndihesha kaq mirë. Të punosh me fëmijët, pavarësisht lodhjes, është një eksperiencë krejtësisht e veçantë.

Ndaj tani që jemi pranë finales mund të them se më kanë bërë një dhuratë shumë të bukur.
Çfarë të ka dhënë personalisht ky spektakël ?
Unë jam fëmijë i vetëm. Deri pak vite më parë më gënjente mendja se çdo gjë rrotullohej rreth meje. Ka qenë ikja në Paris dhe largimi nga familja ime që më detyroi të mësoja të ndaja diçka me të tjerët. Falë këtij spektakli mund të them që më në fund kam bërë paqe me këto « qënie të vogla », çamarrokë, të talentuar dhe të çiltër që nuk kanë lidhje fare me zilitë e të rriturve. Tani, mund të kaloj orë të tëra mes fëmijëve, t’i dëgjoj, t’i këshilloj dhe t’i hapim zemrën njëri-tjetrit.

Çfarë do të të mungojë më shumë nga ky spektakël?
Shpesh kur shoh dritën e tunelit, gëzohem sepse them po ia arrij qëllimit e ndoshta ka ardhur koha për një mision tjetër të ri, për sfida të tjera. Por në këtë rast unë jam e gëzuar dhe e trishtuar njëkohësisht. Sepse do të më mungojnë miqtë e mi, fëmijët, Arjoni, Alessia, Redi, Adi, Rudina, Dori, Vini, Miri, dhe të gjithë ata që kanë punuar për këtë spektakël. Por për fat pas mbrëmjes finale do të jemi sërish bashkë, pasi ne kemi një tjetër surprizë për teleshikuesit.

Cila ka qenë metoda jote për të qenë ndryshe nga prezantueset e tjera ?
Nuk e kam kërkuar një gjë të tillë. Ajo është bërë në mënyrë të natyrshme. Pamja ime e jashtme, mënyra e të folurit, dëshirat e mia, më kanë bërë mua kjo që jam sot. Coco Channel ka thënë: «Për të qenë e pazëvendësueshme, duhet të jesh ndryshe».

Kalojmë tek jeta private, si i ke marrëdhëniet me dashurinë?
E si mund të jetojë njeriu pa dashuri ? (qesh) Aq më tepër të gjithë kemi nevojë për një pikë referimi. Në çdo vend të botës, beqaria në një moshë të caktuar, ta jep mundësinë të mburresh e thua: «Unë jam i lirë, e mund të bëj ç’të dua», por ajo që është më e vërtetë në këtë rast është se je më shumë i vetmuar! Sidomos të dielën në darkë, kur ke uri, e fillon të ngrohësh ndonjë ushqim të konservuar.

Megjithatë kemi përshtyjen që për ty është shumë e rëndësishme pavarësia e të ndërtosh çdo gjë vetë apo jo?

Sigurisht për mua është e rëndësishme pavarësia ime. Nuk dua të varem jo vetëm nga një mashkull, por nga askush. E nëse nuk ndihem mirë me dikë, të kem mundësi të largohem. Ndaj i kam krijuar kushtet vetes të kem gjithnjë shtëpinë timë, miqtë e mi e gjithçka që më nevojitet. Shpesh them: “Unë, jam burri i jetës sime” (qesh)
A të frikëson 35 vjetori që po afrohet ?
Mosha ime varet nga njerëzit që më rrethojnë. Ka njerëz që më bëjnë të ndihem shumë e moshuar, e nëse ata nuk largohen, filloj e ndihem 100 vjeç. (qesh) Çuditërisht tani, ndihem më mirë se kur isha 20 vjeçe. Shpresoj që të jem si një shishe vere, që me kohë sa vjen e bëhet më e mirë. (qesh)./Panorama Plus/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here