Këngëtarja Whitney Houston po bën një kthim triumfues në kinema. Në një intervistë për Extra Tv ajo ka rrëfyer planin e saj për të luajtur në një film, pas plot 15 vitesh.

Filmi titullohet “Sparkle” dhe tregon historinë e 3 vajzave që bëjnë pjesë në një grup muzike për të rinj.

Filmi pritet të shfaqet në vitin 2012, ndërsa Houston do të luajë rolin e nënës së protagonistes Jordin Sparks, fituese e audicionit “American Idol”. “Jordin është e përsosur”, ka komentuar këngëtarja, ndërsa është shprehur se tani ndjehet mirë me atë që po bën.

“Unë jam pjekur. Ndjehem mirë që kam arritur deri këtu. Frymëzim kam vajzën, ajo më ka inspiruar për të luajtur këtë rol”, citohet të ketë thënë këngëtarja.

“Sparkle,” me producentë Cee-Lo Green dhe Derek Luke, ishte planifikuar të xhirohej vite më parë dhe rolin kryesor do ta luante këngëtarja e R&B, Aaliyah. Por pas vdekjes tragjike te saj, projekti u anullua.

Filmi i fundit i Houston ishte “Preacher’s Wife”, në të cilin luajti para 15 vitesh./BalkanWeb/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here