Unë, së bashku me Edi Ogën bëj një program mbrëmësor në Club TV, i cili titullohet “Makinë me dy timonë”. Natyra e programit është pak më ndryshe se formatet që jemi mësuar, por edhe në këtë dritare çoku vjen ndonjë mysafir.

Një redaktore imja kontaktoi një ditë me Kristi Pinderin dhe e ftoi në program. Kristi, më thotë ajo, e ka refuzuar ftesën, pasi Keli është homofob, madje me gjithë grua.

Të them të drejtën u ndjeva i diskriminuar nga ky lloj paragjykimi. Unë Kristin nuk e njoh, kurrë nuk kemi shkëmbyer një fjalë me sho-shoqin, por ai ka këtë mendim për mua. Nejse, në program, Edi, kolegu im, bëri shaka me këtë mungesë dhe shpiku një fjalë të re për të më vënë në lojë. Nuk më thotë më homofob, por homodhjaks, duke marrë shkas nga slang-u ynë i dikurshëm. Tash, që ky debat ka marrë një farë përmase, nuk e fsheh që Kristi më ka vënë në mendime dhe më ka cytur të shoh marrëdhëniet e mia me homoseksualët.

Më rezulton që njoh shumë prej tyre, madje të kem bashkëpunime dhe miqësi. Askënd prej tyre, kur kam punuar apo kemi shkëmbyer biseda, nuk i kam pyetur se më kë e ndajnë shtratin, se as ata nuk kanë qenë të interesuar të më tregojnë gjëra të tilla. Askush prej tyre nuk më ka detyruar të ndryshoj mënyrën e komunikimit, megjithëse në të folmen ditore, shqiptarët si gjithkund në botë, ia këpusin ndonjë të share që cenon shtresa të caktuara. Fjala vjen, unë si çam përjetë kam pasur ndonjë epitet nga pas, por ende nuk i kam shkruar letër ambasadorit holandez për këtë diskriminim të vazhdueshëm.

Në këto njëzet vjet që bëj gazetarin, më ka rastisur të drejtoj redaksi, të marr njerëz në punë dhe asnjëherë nuk kam qenë i interesuar për shijet seksuale të askujt, burra apo gra qofshin. Ma merr mendja se jam i pari gazetar që kam bërë jo një, por disa emisione për homoseksualët, pa dalë ende në dritë shoqëria “Pink”. Kam mbushur studion plot me transë dhe kam intervistuar prej kohësh njerëz me identitet të fshehur, të cilët për hir të mentalitetit nuk dalin dot sheshit të bëjnë outing. Megjithatë, mbetem homodhjaks. Përse? Ma merr mendja fajin duhet ta ketë Fevziu, pasi kam qenë në një emision të tij, ku jam shprehur hapur kundër martesave gay. Në fakt, unë nuk jam kundër homoseksualëve, jam kundër denatyrizimit që kërkon të kthehet në institucion. Pasi, ndryshe nga liberalët e sotëm, unë nuk besoj se Sodoma dhe Gomorra është legjendë, përkundrazi. Po ashtu, nuk besoj që do të ketë sërish ndëshkime vertikale për perversionin, pasi për ta mbyllur këtë raport ndëshkues me hyjnoren vdiq ai që Kristi e mban në emër. Dhe këtë unë e besoj. Ndaj njerëz si unë mendojnë në familjen burrë-grua dhe në fëmijët që vijnë në rrugën hetero, në asnjë lloj koncepti tjetër familjar apo mbjellje fëmijësh.

Jam i ndërgjegjshëm që ky lloj artikulimi i imi konsiderohet prapa kohe, konservator dhe madje i rrezikshëm nga liberalët, majtistët ose më saktë “mendjehapurit”, ndaj fill pas kësaj me rregull treshi, unë duhet të etiketohem “homodhjaks”, sidoqë jam kundër çdo lloj dhune, përjashtimi, diskriminimi, fyerje ndaj të gjitha shtresave të margjinalizuara të shoqërisë. Kjo e fundit nuk pi ujë, pasi besimi im është démodé dhe vjen nga periudhat obskurantiste, ku Xhordano Bruno ndëshkohej në turrën e druve.

Historia e homoseksualëve në Shqipëri, nuk është një ngjarje e re. Burrat shqiptarë e kanë pat’ njohur mirë këtë lloj “qejfi”. Mjaft, t’u kujtoj një këngë të Shqipërisë së Mesme, ku në Durrës pritet një varkë me vela, mbushun plot me dylbena, ose Bajazitin e baron Nopçës, apo djelmoshat e Ali Pashait. Ndaj, në momentin që danezët, holandezët e të tjerë çelën ambasadën “Pink” duhet të themi që habi nuk pati. Ndoshta kishte skeptikë që nën zë flisnin për fonde të fituara në kurriz të disa njerëzve që janë të paqartë për identitetin e tyre seksual. Më tej pati veprimtari, njerëz që bën outing. Klodi i Big Brother, për të cilin nuk kujtohet më kush, se nuk është më trendy. Pastaj është Mustafa Nano që ankohet për burrat koti të Shqipërisë, që kanë namuz dhe persekutojnë homot. Me siguri pas diktaturës së Sali Berishës, ky është halli i dytë më i madh që ka publicisti. Dhe na vjen Ekremi dhe pas Ekremit, Murati. Këtu nis sherri.

Unë që e njoh Ekremin, e di që ky i fundit është ngatërruar me shprehjet frazeologjike të shqipes, por ata që e kthyen në shënjestër nuk kanë interes për këtë, pasi ambasadorit holandez, danez, amerikan shprehjet frazeologjike u jepen të përkthyera, ku huri shqiptar i ngjan drurit të nazove hitlerianë. Por, Ekremit mirë t’i bëhet, se një politikani nuk i lejohet të bjerë në grackën e gjuhësisë. Kush e njeh Muratin, e di që ai mali me muskuj nuk vret dot një mizë, jo më të birin si Abrahami, por Muratit i pëlqejnë metaforat e forta që tërheqin vëmendjen. Është i njëjti Murat që në studion time qante, kur më rrëfente se mbreti Leka u shua. Megjithatë, kështu krijohet një çështje, raportohet në media, kancelari të huaja, zyrat e Komisionit dhe ku i dihet, na vjen një tjetër rekomandim. Kaq në modë është bërë ky diskutim me homoseksualë të persekutuar dhe legalistë persekutorë, sa Imer Mushkola i Prishtinës gati sa nuk po plaste nga marazi që në kryeqytetin kosovar nuk kishte të tillë si në shtetin amë apo Malin e Zi, ndaj iu përvesh një hoxhe nga Prizreni, që i thotë homove “pedera” dhe i konsideron të smutë.

Shqipëria pak nga pak po bie në të njëjtën përpunim propagandistik në të cilin është Perëndimi. Realiteti homoseksual po fillon të paraqitet si triumf, madje protestë ndaj sistemit, ndërsa të tjerët, familjarët tradicionalë, shihen si pjesa e mykur e shoqërisë. Në të njëjtën studio që nuk erdhi Kristi, erdhi Altin Hazizaj, të cilit i bëra një pyetje të thjeshtë për këtë përpunim propagandistik në masë. A mund të më gjejë kush në prodhimet e fundit të kinemasë apo televizionit një homoseksual që të jetë personazh negativ? Altini e vrau mendjen dhe nuk e gjeti, unë që e bëra pyetjen e kam vrarë pak më shumë dhe vështirë se gjej. Përkundrazi në kinema (veçanërisht në Amerikë), heterot janë në masë negativë, ndërsa në përgjithësi janë kriminelë po të pinë duhan dhe këtë e kupton pa thënë asnjë fjalë. Në të gjitha telekomeditë apo serialët është stereotip tashmë që homoseksualët janë pozitivë, kurse në jetën e përditshme nuk qëllon përherë kështu. Është afërmendsh, sepse duhet ta kenë shumë të rëndë bashkëjetesën me kapërcimin seksual, dyshimet për identitetin e tyre, pasigurinë natyrale, ndaj për pasojë duhet të kenë një sërë kompleksesh, të cilave po nuk ia dole, jo përherë të çojnë drejt njeriut zemërbardhë. Por propaganda e ka një agjendë, ndaj e tillë do të bëhet edhe në Shqipëri.

Kam përshtypjen se do të vazhdojmë kështu deri ditën e paradës, e cila në fakt nuk do të jetë paradë. Nuk do të ketë burra të veshur si gra dhe gra të veshur si burra, nuk do të ketë kërcime me tundje vithesh dhe njerëz të bojatisur, do të jetë thjesht një marshim, në të cilin më shumë sesa homoseksualët në hall do të marrin pjesë, Mustafai, Avokati i Popullit, Imeri, ambasadorët e kështu me radhë. Do të jetë një marshim që nuk duhet ndalur asnjëherë në botë, pasi sensibilizon luftën ndaj persekutimit të një pjesë delikate të shoqërisë. Uroj që askujt mos t’ia marrë era mendtë dhe t’u gafurret. Por, uroj edhe që e njëjta skuadër të bëjë marshim për të ngujuarit e Mentor Kikisë, çamët, hebrejtë, romët, ballkano-egjiptianët, klandestinët afganë, minoritarët, fëmijët që punojnë në semaforë, prostitutat…dhe lista shkon gjatë dhe këta do na mbeten rrugëve.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here