Megjithëse ka kaluar më shumë se një vit nga paralajmërimi, Hollywoodi ende nuk ia ka dalë ta bindë Craig Jurisevicin që t’ia shesë të drejtën që rrëfimi i tij për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të shkrihet në film.

As kompanitë me nam kardiokirurgut australian që iu bashkua luftës së UÇK-së nuk kanë arritur t’ia mbushin syrin për ta bërë film librin e tij “Blood in my hands”.

Ani pse është në kontakt me studio, producentë, regjisorë e skenaristë që synojnë ta shndërrojnë në skenar filmi rrëfimin e tij për kohën kur i ishte bashkuar batalionit “Atlantiku”, Jurisevic ka konfirmuar se ende nuk ka shitur të drejtat autoriale për realizimin e filmit.

Jurisevic ka thënë për “Kohën Ditore” se interesimi për blerjen e të drejtave autoriale të “Blood in my hands” (Gjaku në duart e mia) është i madh, por synimi i tij shkon përtej asaj që i kanë ofruar.

“Ka pasur interesim nga studio të mëdha, si ‘Fox’, ‘Paramount’, por jam duke pritur një propozim që do të rezultojë me një film që tregon më shumë sesa rrëfimin e një njeriu”, ka thënë Jurisevic, derisa ka shtuar që dëshira e tij është të rrëfehen vuajtjet e kosovarëve.

Jurisevic në vitin 1999 kishte udhëtuar për në Shqipëri, ku kishte nisur punën si mjek në Spitalin e Kukësit, që u bë qendra kryesore e mjekimit dhe rehabilimit fizik të luftëtarëve të plagosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Puna në këtë spital e kishte bindur t’i bashkohej batalionit “Atlantiku”, që hyri në Kosovë dhe libri “Blood…” pasqyron rrëfimin e tij.

“Dua që personazhi im të jetë thjesht një medium mes të cilit do të tregohet rrëfimi i mijëra refugjatëve, ushtarëve e të tjerëve”, ka thënë Jurisevic.

Synimi i australianit është që filmi për UÇK-në të jetë një film që do ta shkundë kinematografinë botërore.

“Dua që filmi të lërë gjurmë sikurse filmat e mëdhenj ‘Schindler’s List’, ‘Apocalypse Now’, ‘Saving Private Ryan’, në të cilët personazhi kryesor nuk i lë nën hije ngjarjet e mëdha që e rrethojnë”, ka thënë ai.

Jurisevic, i cili vitin e kaluar realizimit të filmit bazuar në “Blood in my hands” i kishte vënë çmim prej 50 deri në 100 milionë euro, nuk ka dashur të komentojë për çmimin.

“Sa i përket çmimit do të preferoja të mos jepja detaje. Mjafton të them se ka pasur oferta që arrijnë shumën shtatëshifrore”, ka thënë ai.

“Ngurrimin” për të shitur të drejtat autoriale, Jurisevic e arsyeton me pak fjalë.

“Shumë rrëfime të mëdha janë shkatërruar për shkak të adaptimeve të dobëta. Nuk dëshiroj të më ndodh kjo. Miqtë që kanë vdekur pranë meje dhe familjet që kanë ndryshuar nga ngjarjet e vitit 1999 duhet të kenë historinë e saktë dhe të realizuar me aq pasion sa është e mundshme”, ka thënë ai.

Sa i përket mundësisë për bashkëpunim me producentë shqiptarë, Jurisevic ka bindjen se aktualisht nuk është e mundshme.

“Nuk po kërkoj prodhues shqiptarë në këtë fazë, derisa të mos ekzistojë mundësia për realizimin e një filmi me buxhet të madh”, ka thënë ai.

Krahas filmit, Jurisevic ka folur edhe për librin “Blood in my hands”, i cili gjatë kësaj vere do t’u ofrohet një numri më të madh lexuesish. “Libri do të botohet ndërkombëtarisht në muajin gusht”, ka thënë ai.

Realizimi i filmit për UÇK-në nga Hollywoodi ishte paralajmëruar në shkurt të vitit 2010, përderisa aktorë potencialë për role kryesore ishin përmendur Matt Damon dhe Eric Dana.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here