Hermes Nikaj u lind në Tiranë. Që i vogël ishte i apasionuar pas aparatit dhe ëndrra e tij më e madhe ishte të bëhej model.

Është vetëm 21 vjeç dhe deri tani ka arritur t’i realizojë të gjitha qëllimet që i ka vënë vetes. Pasioni më i madh i jetës së tij është pasarela, por nuk ngelen pas edhe baleti dhe udhëtimet në vende të ndryshme të botës.

Hermes Nikaj është nipi i këngëtares së njohur Pavlina Nikaj, e cila në vitet ’50-’70, së bashku me Anita Taken, u bënë mjaft të dashura për publikun shqiptar. Ai është pasardhës i një familjeje artistësh dhe pikërisht nga gjyshja ka trashëguar dashurinë për artin dhe të bukurën në tërësi. Hermes ka përfaqësuar Shqipërinë në shumë gara, evente dhe kompeticione mode, duke marrë vlerësime për tiparet dhe fizikun e tij të veçantë, të cilin e përkufizuan të tipit latin. Gjithashtu ka pozuar për koleksione veshjesh të firmave të ndryshme, duke u bërë pjesë e katalogëve përkatës. Por është pjesëmarrja në emisionin “Good morning Albania” që e ka bërë Hermesin të njohur për gjithë publikun shqiptar. Edhe pse ka vetëm tre muaj që i është bashkuar stafit të emisionit, ai është kthyer në një yll të vërtetë mediatik. Për të gjithë ata që duan të dinë më shumë për “Zogun e Tiranës”, siç tashmë e thërrasin të gjithë, intervista më poshtë do t’ju tregojë shumë gjëra interesante.

Hermes, sa më shumë kalon koha, aq më shumë shtohet popullariteti yt. Kjo është ajo që ti ke dashur gjithmonë, apo jo?

-Po, është e vërtetë që këtë kam dashur gjithmonë dhe tashmë që jam i njohur nga të gjithë më vjen mirë për këtë gjë. Por për të arritur deri këtu ku jam sot më është dashur shumë punë, vullnet e sakrifica.

Fillimisht ke qenë i njohur si model, por së fundmi të gjithë të njohin si Hermes i “Good morning Albania”. Si u gjete në këtë emision?

-Është e vërtetë që gjithçka ka nisur nga modelingu. Janë bërë tre vjet që kam pasur një punë intensive në këtë fushë. Sa i përket emisionit, u bënë 3 muaj që jam pjesë si moderator për Tiranën.

Ndihesh mirë në këtë emision?

-Ndihem shumë mirë dhe jam i lumtur që jam pjesë e këtij reality show të përditshëm, pasi unë të tillë e konsideroj.

 

Për të gjithë ata që ndjekin “Good morning Albania”, e dinë që Aldo të ka “pagëzuar” me emrin “Zogu”. Çfarë kuptimi ka ky epitet?

-(Qesh) E, kështu më thërret Aldo, por në fakt jo vetëm mua por të gjithë ne gazetarëve. Kuptimi është tepër dashamirës, mendoj unë, pasi Aldo ka një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me mua.

Të vjen keq, apo të pëlqen ky pseudonim?

-Aspak, jo vetëm që nuk ka përse të më vijë keq, por tashmë jam mësuar me fjalën “zogu”, pasi kështu kanë filluar të më thërrasin të gjithë (qesh).

Aldo mbahet si një person mjaft ironik, që bën shumë batuta ngacmuese. Të ka ardhur ndonjëherë keq nga shakatë e tij? Je ndierë ndonjëherë i ofenduar?

-Absolutisht që jo. Unë jam tip që në përgjithësi më pëlqejnë shakatë, kështu që ndihem mirë me të gjitha batutat e Aldos, aq më shumë që e di që ai nuk i ka me të keq.

  Cili është ekzaktësisht roli që ti ke në këtë emision. Mund të quhesh gazetar?

-Detyra që kam unë në këtë emision është të përcjellë informacione të ndryshme urbane dhe një rubrikë showbizi. Mendoj që më shumë sesa gazetar, mund të quhem moderator.

Për eksperiencat e tua si model është folur mjaft, por unë jam kurioze të di tani që iu fute rrugës së televizionit cilat janë synimet e tua të ardhshme? 

-Sigurisht që e mira s’ka fund. Unë gjithmonë kam pasur qëllime dhe synime në jetën time. Së shpejti do të jem imazh i një kompanie super gjigante. Vitin që vjen diplomohem dhe më pas do të nis një master për gazetari, pasi dua të kompletohem sa më shumë në këtë fushë.

E shikon veten si një showman në të ardhmen?

-A ty të lumtë goja (qesh)! Po, pse jo?

Cili është idhulli yt në botën e televizionit dhe spektaklit?

-Ardit Gjebrea mendoj që është i paarritshëm. Ai është këngëtar, prezantues, kompozitor, producent etj. I vetmi që mban emrin showman i vërtetë.

Ke deklaruar se ke shumë fanse vajza dhe gra. Si e ke zbuluar këtë? 

-Nga Twitter dhe Facebook. Çdo ditë më vijnë ftesa pa fund, gjithashtu dhe mesazhe të ndryshme.

 

Çfarë mesazhesh?

-Nuk thuhen se janë me pullë të kuqe (qesh).

Cila është çmenduria më e madhe që një nga këto fanse ka bërë për ty?

-Njëra ka ardhur në tavolinë dhe më ka puthur në buzë (qesh). E kujtoj si tani atë çast. U habita!

Po ti vetë çfarë lloj femre pëlqen?

-Një femër moderne, seksi dhe sigurisht të shkolluar.

Kur e ke dhënë puthjen e parë?

-Kur kam qenë 15 vjeç.

Po marrëdhënie seksuale kur ke kryer për herë të parë?

-Kur kam qenë 18 vjeç.

Një djalë trendi… 

Duhet të ketë patjetër një eksperiencë televizive që të quhet trendi?

-Jo, s’është e thënë. Jo të gjithë mund të jenë modelë.

Duhet të depilohet i tëri?

-(Qesh) Unë për vete kështu bëj. Shumica e modelëve depilohen pasi e kërkon puna këtë gjë.

 

Nuk duhet ta ketë problem të përdorë make up, fondotintë, shkëlqyes dhe pak rimel? 

-Nuk ka përse ta ketë problem, por të kuptohemi që jo në jetën e përditshme. Duhet të dimë t’i ndajmë gjërat, pasi kur del në ekran është e nevojshme pak make up.

Duhet të ketë minimumi dy të dashura në të njëjtën kohë?

-Jo, mendoj që del një e dashur.

Duhet të ketë të paktën një eksperiencë me një mashkull gjatë jetës së tij?

-Ahahahha, pse jo!

  Duhet të flasë me llafe të pista?

-Varet nga personi. Ka njerëz që të flasin me fjalë të pista e shikojnë si shenjë e të qenit trendi.

Nuk duhet t’i japë kurrë makinës me më pak se 100 km në orë?

-Po, e vërtetë. Çunat trendi i japin makinës vetëm me më shumë se 100 km në orë (qesh).

Duhet patjetër të fryjë buzët sa herë që del në foto?

-Jo, nuk është e thënë, por nëse pozon atëherë patjetër që po.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here