“In memoriam” i Ilirian Himajt dhe “Akropolis” i Blerdi Malushit kanë qenë filmat e parë të metrazhit të shkurtër, që janë shfaqur në start të edicionit të parë të festivalit të filmit që kanë nisur në Gjakovë, në dy objekte të ndara.

Krijimi i Himës është shfaqur në “Paloas Cino”, ndërsa autorit gjakovar Malushi ka hapur festivalin në sallën universale të Pallatit të Kulturës.

Në të dy sallat të enjten janë dhënë 43 filma, shumica prej tyre nga autorë shqiptarë nga Kosova e Shqipëria. Organizatorët nuk i ka penguar as viti i prodhimit të filmit. Në garë kanë futur edhe produksione që kanë shëtitur nëpër festivale tash gati tre vjet. Pikërisht “In memoriam” i cili më 2010 në festivalin e filmit të shkurtër “Nine Eleven” mori pesë çmime – është vetëm njëri prej tyre. Në ditën e parë as shikues nuk ka pasur shumë.

Mirëpo sipas themeluesit të këtij festivali, Valdet Avdiu, ka pasur intervale kohore kur në të dy sallat janë parë numër i madh i dashamirëve të filmit.

“Kanë filluar njerëzit që të vijnë, por ne mund të jemi të kënaqur vetëm atëherë kur salla është plot. Ka qenë një mesatare prej 30 vetave. Por ka pasur edhe raste kur ka pasur më shumë shikues, sidomos nga nxënës”, ka thënë Avdiu të enjten në mbrëmje.

Dramaturgu kosovar Fadil Hysaj ka thënë se ky festival ka ardhur në kohën e duhur, ndërsa Kosova po bëhet një qendër globale e filmit të shkurtër.

“Krijimi i festivalit të shkurtër në Kosovë ka kuptim më shumë sesa në vendet e tjera të rajonit. Ne nuk kemi arritur që të formojmë një kinematografi të suksesshme të filmit të gjatë, duke pasur parasysh mungesën e buxhetit dhe infrastrukturës . Por filmi i shkurtër ka qenë një mundësi që kineastët e rinj të provojnë veten dhe të tregojnë që kanë talent. Në të njëjtën kohë mendoj që filmi i shkurtër i jep mundësi më të madhe për kreativitet se filmi i gjatë”, ka thënë Hysaj.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here