E veçantë dhe unike. Kështu cilësohet këngëtarja Hana Zeqa, tani solistja e grupit Gillespie. Me një karrierë që e filloi që në moshën gjashtëvjeçare, përderisa vitin e kaluar ajo ishte pjesë e projektit të quajtur “Pischmen”.

Ishte një projekt së bashku me DJ Totonin dhe Faton Dolakun, ku muzika ka qenë elektronike dhe ne kemi bërë hapjen e koncertit të grupit të njohur “Angles ‘ Morcheeba”, thotë Hana në një bisedë për Express.

Projekti sipas Hanës, nuk kishte zgjatur shumë, por për të ai mbetet si njeri prej projekteve që ajo e do më së shumti. “Por, në anën tjetër, gjithë kam pasur dëshirë të këndoj në bend, tamam bend, me kitarist, basist e bubnjar, sepse më duket që puna në grup është gjithë më e këndshme, shpesh më e lehtë, ndonjëherë me mospajtime në ide të ndryshme…por në fund të ditës, mjaft produktive. Kështu që unë po ndihem mjaft sigurt dhe e kënaqur në Gillespie”.

Hana, edhe më parë, por edhe në paraqitjen e saj në këngën “Anisa” gjithmonë ka bërë muzikë më ndryshe, një fakt të cilin ajo e pranon. “Muzika që unë kam bërë deri tash ka qenë mjaft ndryshe prej Gillespie, edhe pse Gillespie kanë qenë qysh moti në playlistën time dhe i kam dëgjuar kohë pas kohe”, thotë ajo. Ndryshe Hana njihet për veçantitë e saj artistike. Ajo thotë se zakonisht ka shkruar tekste në gjuhën angleze.

“E di që tingëllon pak pa respekt kjo, mirëpo veshi im ishte mësuar të dëgjojë muzikë në të cilën gjuha shqipe nuk dukej se po kombinohet, prandaj e kisha vështirë të gjeja mënyrën për të shkruar këngë shqipe”.

Por gjërat shkuan ndryshe kur ajo filloi me “Gillespie”. “Ata në njëfarë mënyre ma hapën trurin për të shkruar këngë shqip, këngë shumë, shumë pozitive. Pa vetëdije e pashë që muzika po ndikon shumë mirë tek unë në përgjithësi, jo vetëm në shkrimin e këngëve. D.m.th. mbi çdo rutinë ditore, në kohën me më pak disponim etj. Këngët me japin shumë energji pozitive”.

Tashmë Hana ka një mori këngësh që i do shumë. Eh…njëra prej tyre është edhe nga albumi i ri i saj me grupin. “Sa herë po e dëgjoj po me vjen të qaj. Në fakt, këtë e kam bërë në ushtrime…por jo në kuptimin negativ, por po e nxjerr atë energjinë e përzier që më grumbullohet brenda. Kjo këngë me qetëson shumë”.

Por, para se ajo të fillojë punën me Gillespie, Hana kishte kënduar kryesisht anglisht. “Nuk i dihet. Por, është mirë që njëherë për njëherë të lëmë muzikë të mirë në skenën kosovarë, muzikë rock’n’roll në gjuhën shqipe. Sepse me këndue anglisht, në fund të ditës është shumë lehtë”, tha në fund këngëtarja.

Turneu nëpër fshatra

Hana ka treguar edhe për turneun e fundit të “Gillespie”, që ishte quajtur “Gillespie Green Tour / Turneu i gjelbër i Gillespie”, i cili i mbajt në 28 fshatra, qyteza dhe qytete. “Qëllimi ynë ka qenë që ne të jemi sa me afër gjithë njerëzve nëpër plot vende të ndryshme pasi shpesh mediat e pamundësojnë këtë hapësirë për bendet urbane. Pjesë e turneut ka qenë vetëdijesimi i popullatës të këtyre vendeve për mbrojtjen e ambientit dhe pastërtisë, ku ne kemi bërë listën me mënyrat se si ata mund të kontribuojnë dhe ua kemi dhënë”. Kjo mënyrë e turneut për të ka qenë shumë e thjeshtë, e çuditshme dhe shumë e veçantë.

Karriera me Gillespie

Hana krejt rastësisht kishte filluar karrierën e saj me Gillespie. Ajo thotë se ata e kishin ftuar atë që ajo t’i bjerë pianos dhe në kuadër të këngëve të tyre të fusë edhe elemente të muzikës elektronike. “Ndodhën ndryshime dhe bendi më ftoi që të këndoj për ta. Pasi që unë vetëm isha mësuar me këngët e tyre dhe kisha analizuar se si zhvillohen gjërat, ndjeva që dua të marr pjesë në kultivimin e kësaj muzike”. Hana e cilëson bendin unik. “E ai pozitiviteti dhe mënyra shumë e lezetshme e shkrimit të këngëve po përshtatet me një pjesë të karakterit tim”. /Ardian Jasiqi/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here