Axl Rose e mbajti premtimin e tij për të bojkotuar ceremoninë e përurimit në “Rock and Rock Hall of Fame”, të shtunën mbrëma në Cleveland.

Megjithatë, ish-anëtarët e grupit vendosën që spektakli i “Guns N’Roses” duhet të realizohet edhe pa të, duke i pranuar me shumë mirënjohje trofetë, para se të performojnë disa këngë me Myles Kennedy në rolin e vokalistit.

Kennedy, i cili ka bashkëpunuar me Slashin në solo projektin e tij të fundit, performoi në formacionin që përfshinte basistin Duff McKagan, bateristët Steven Adler dhe Matt Sorum dhe kitaristin Gilby Clarke në tri këngët e albumit debutues të “Guns N’Roses”, “Appetite for Destruction”, të realizuar në vitin 1987.

Mbi shtatë mijë njerëz të mbledhur në “Cleveland’s Public Auditorium”, ku u mbajt ceremonia, fishkëllyen emrin e Rose. Por vokalisti i “Green Day”, Billie Joe Arstront, i cili e mbajti fjalimin për prezantimin e “Guns N’ Roses”, iu drejtua audiencës.

“Mbylleni gojën. Ai ka qenë vokalisti më i madh që ka dalë ndonjëherë para mikrofonit. Por ai është… i çmendur. Dhe unë mund të garantoj për këtë”.

McKagan zgjodhi diplomacinë për të tejkaluar zhgënjimin e fansave duke u thënë: “Nuk mendoj se ka rëndësi kush është sonte këtu, sepse kjo po bëhet për këngët që ka krijuar grupi”, ka thënë ai.

Axl Rose kishte deklaruar se nuk do të jetë i pranishëm për të pranuar nderimin që i është bërë grupit duke hyrë në “Rock and Roll Hall of Fame”. Ai kishte publikuar një letër të hapur përmes së cilës ka njoftuar se nuk do të jetë i pranishëm në ceremoni, duke lënë të kuptohet që nuk është i gatshëm të ndajë skenën me ish-shokët e tij të grupit dhe ka kërkuar që ai të mos nderohet në mungesë të tij.

“Duke marrë parasysh historinë e ‘Guns N’ Roses’, ata që planifikojnë të jenë të pranishëm në ceremoni, për arsye personale, kanë zgjedhur të përfshijnë në nderimin ‘tonë’ … mos të ofendohet asnjëri, por ceremonia e hyrjes në ‘Hall of Fame’ nuk më duket diçka në të cilën aktualisht jam i dëshiruar apo i respektuar”, kishte shkruar Rose

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here